Eko Higjiena

Diktatura dhe kultura

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Nëse regjimet totalitare komuniste e kishin kuptuar drejt maksimën se “arti na mbron që të mos na vrasë e vërteta”, atëherë ata edhe ishin pozicionuar që duke e shfrytëzuar artin, t’i vrisnin gjithë kundërshtarët, dhe populli proletar te mos e kuptonte. Kështu kishin bërë diktatorët e kohës, që nga Stalini e deri tek i fundit për ideologjinë shqiptare, Enver Hoxha!

Arti dhe kultura e masave, përhapja e letërsisë, e muzikës, poezisë, pikturës dhe e të gjitha krijimtarive të tjera artistike, sado që për qëllime ideologjike dhe për diktatorin, ka shërbyer më mirë se asnjëherë që popuj të tërë të mos vriteshin nga e vërteta.

Megjithëse Kosova ishte një “sui generis” edhe në zhvillimin e arit të ideologjisë, ekspertët ngulin këmbë se dikur dhe nën pushtim, “arti ishte më shqiptar sesa sot, më hyjnor e më cilësor, madje dhe pa asnjë dyshim më popullor!”

Kosova ka disa vjet qe nuk ka më kohë që artin dhe kulturën ta ketë prioritet. Një vend që kërkonte emancipimin dhe në të njëjtën kohë rrinte në front për t’u mbrojtur nga ekzekutimi, ka vetakuzuar atë që njihet si punë shpirti. Arti thonë është shpëtim, dhe qëllimi i tij është të na e pastrojë përditshmërinë nga pluhuri që i vëmë çdo ditë.

Çfarë na e pastron “zhyllin” e përditshëm? Arti jo! Nuk e duam s’e nuk e duam. A kemi qenë gjithnjë kaq fanatik në mosdashjen e artit, apo ‘ka ndodhur’ rrugës që të bëhemi refuzues kokëfortë? Trashëgimia jonë popullore flet ndryshe. Edhe në kohët e tmerrshme, ajo që ishte shpirtërore qe e vetmja mbijetesë. “E kemi artin të mos vdesim nga e vërteta!” Por me gjasë të vërtetën e duam më shumë dhe në këtë rrugë të stërgjatë kemi parë vetëm ato që kishim të rëndësishme, të tjerat mbetën të padukshme.

UBT

Prandaj ndodh që një sallë teatri të jetë bosh, që një muze të mos ketë vizitorë, një galeri të ketë mallë për artdashësit, një kinema përgjysmë e mbushur, një shtëpi kulture të duket si fantazmë, siç duket dhe një bibliotekë. Ato ekzistojnë, të mjerueshme ashtu siç janë, vetëm se vizitorët nuk i kanë. Por ndodh që edhe në këtë ateizëm kulturor, të ketë salla që din të mbushen plot, megjithëse kryesisht rrallë, madje edhe në këmbë të përcjellin një shfaqje. Vetëm se kjo qe një shfaqje për fëmijë dhe e mbushur plot me të vegjël dhe prindër. Ndoshta prindërit do ta shfrytëzojnë si një ‘picture to share’ në rrjetet sociale për të kallëzuar sesa të përkushtuar janë. Edhe atëherë kur shfryjnë brenda sallës ose pinë kafe jashtë saj.

A po i vret e vërteta të rriturit aq sa ua ka vrarë edhe ndjesinë për ta kapur të bukurën. Apo ndoshta ashpërsia e botës reale nuk është aq e ashpër, dhe toleron një botë edhe pa kulturë?

Ajo që krijuesit e shndërrojnë në art dhe populli në kulturë nuk rri në sipërfaqe. Mbase ne e kemi dënuar të vdesë pa i dhënë asnjë mundësi që të shfaqë atë karakterin që lëvizë botën. Por bota jonë kishte të tjera halle, dhe kështu ndodhi. Ia kemi shtypur kryet dhe e kemi vrarë, pa e lënë asnjëherë të bëhet i dukshëm.

Dikush thotë se arti duhet t’i imponohet popullit. Po si mund të bëhet kur ai shndërrohet në ‘një lloj” që luhatet në prag të shfarosjes. Ndoshta pse institucionet që udhëheqin me kulturën janë bërë të korruptueshme vetë dhe prandaj s’kanë asnjë interes që të bëjnë për të tjerët. Apo ndoshta pse edhe pushtetet tjera nuk i japin hapësirë, duke e shtypur e shtypur. Televizionet në “prime time” vjellin prej politikës, e sa për lajmet qendrore, vend ka vetëm kur vdes ai, artisti i madh. Emisionet për kulturën lëvizin poshtë e lart orëve, por edhe atëherë kur janë, ta shpifin. Kështu ndodh dhe kështu e kemi pranuar!

Mbase sensi ynë për artin po shfaroset dhe ne s’e kemi guximin të mos e lejojmë. Apo mund të ndodhë që edhe ne si rusët apo kinezët, pas revolucionit kulturor një shekull më parë, të thërrasim: “Në emër të së ardhmes po e djegim të sotmen, po i shkatërrojmë muzetë dhe mbi lulet e artit do të shkelim!” Lëvizja që inspironte krijimin e një estetike të re për klasën punëtore, kishte marrë emrin nga diktatura dhe kultura e proletariatit. Ajo ishte opiumi i popullit që vritej e nuk e kuptonte. Çfarë emri do të mund të kishte diktatura dhe kultura sot…në mos të miletit, ato të dyja janë të pushtetit. Këta të gjitha i kanë për vete!