UBT

Detyrë e Kosovës dhe e Serbisë për vitin 2016 – ta kuptojnë që është viti 2016

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Adriatik Kelmendi – Nuk do të ishte e kapshme se si serbët në një Kosovë që përmbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë do të kishin më shumë të drejta sesa shqiptarët në një Serbi që përmbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë. Standardet e BE-së do të duhej të vlenin njësoj e barabar për të gjithë, dhe të mos jenë të dyfishta. Dhe po. Në Evropë nuk mund të ketë asnjë shtet në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që nuk njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti tjetër, po ashtu, në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

E PARA QË do të duhej të kuptonin elitat politike dhe qytetarët respektivë në Kosovë dhe në Serbi në vitin 2016, është pikërisht fakti se jemi në vitin 2016.

Kjo i bie se kanë kaluar plot 15 vjet nga konflikti i fundit ndëretnik në ndonjë pjesë të ish-Jugosllavisë, në këtë rast në Maqedoni, po bëhen 17 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, 21 vjet nga Konferenca e Dejtonit.

Nëse e marrim një person që sapo ka hyrë në moshën e pjekurisë, nënkupton se ai nuk ka përjetuar asnjë nga konfliktet e këtij rajoni dhe se botëkuptimi i tij do të varet krejtësisht nga diskurset interpretuese të palëve, varësisht se në cilën anë ka qëlluar të jetojë.

Në vitin 2016, ky 18-vjeçar është koshient se bota ka preokupime të tjera, larg më të komplikuara se mosmarrëveshjet në rajonin e Ballkanit. Sot preokupimet dominuese të qendrave të vendosjes janë përballja me një formë të re të terrorizmit bazuar në dallimet e qytetërimeve si rezultat i religjionit, krizat e papara të refugjatëve, transformimi i jetëve tona si pasojë e zhvillimit të teknologjisë e deri te rreziqet e ngrohjes globale.

Ballafaquar me këto dilema të 2016-s, pyetja se si t’u jepet fund mosmarrëveshjeve në Ballkan, konkretisht çështjeve të hapura Kosovë-Serbi, duket se ka përgjigjen më të lehtë. Ajo është: Edhe Kosova, edhe Serbia janë pjesë të Evropës, të aplikohen standardet evropiane për të zgjidhur problemet.
Natyrisht, kjo do të ishte kaq e lehtë sikur edhe liderët në Kosovë dhe në Serbi ta kuptonin se janë pjesë e Evropës dhe se, siç u tha, është viti 2016.

Fatkeqësisht, ata, për shkak të përfitimit të poenëve të lirë politikë dhe kryesisht zhvendosjes së debatit nga ngecja ekonomike e vendeve, duan ta mbajnë popullatën të ngujuar në atmosferën e fillimviteve 2000.

E vetmja shtysë që i vë qeveritë në Beograd dhe në Prishtinë t’i adresojnë problemet e mbetura të hapura është kur kjo i vjen si kushtëzim nga Brukseli ose Washingtoni, ose nga Berlini. Dhe në këtë situatë, ky është lajmi i mirë brenda lajmit të keq. E lajmi i keq është se këta politikanë ende nuk e kanë bindur vetveten se duhet të jenë të sinqertë me qytetarët të cilët i udhëheqin dhe t’i pranojnë realitetet në të cilat jetojmë.

Ta kuptojnë se bota nuk sillet rreth nesh dhe se bllokadat janë politika të shekullit të kaluar.
Ja një shembull i fundit: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO ka marrë vëmendjen shumë më të madhe sesa e meriton, meqë kjo çështje u kthye në garë ndërmjet dy qeverive. Në njërën anë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, donte që ta kishte këtë si arritje personale në politikën e jashtme, duke rrezikuar shumë edhe pozicionin e shtetit, teksa homologu i tij serb, Ivica Daçiq, bëri lobim të paparë kundër, ndonëse edhe logjika e tij e nënkupton se trashëgimia kulturore do të ishte më e sigurt nën mbikëqyrjen e UNESCO-s sesa pa të.

Duhet theksuar se Kosova deri më tash është anëtarësuar në shumë organizata shumë më të rëndësishme ndërkombëtare, siç janë FMN-ja, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, etj., mirëpo ato nuk ishin kthyer në beteja të egove të politikanëve në Prishtinë e Beograd.
Episodet si ky i UNESCO-s absolutisht nuk çojnë përpara pajtimin e shumëdëshirueshëm në këtë pjesë të Evropës dhe duhet të mos përsëriten në 2016-n.

NË ANËN TJETËR, me të drejtë, në sytë e bashkësisë ndërkombëtare nuk mund të ketë kohë më të përshtatshme se viti 2016 për ta hequr qafesh problemin Kosovë e Serbi. Dhe të gjithë ne që jetojmë në këto dy shtete me probleme me njëra-tjetrën do të duhej të ishim të përgatitur për ato që mbesin të shkruara pastaj në histori si – vendime të mëdha.

Në dukje të parë, krijohet përshtypja se fuqia është në terren. Në Kosovë, me krijimin e koalicionit të madh PDK-LDK-“Srpska”, me mbi dy të tretat e votave në Kuvend, si dhe në Serbi, me një fuqi edhe më të madhe të votës me koalicionin SNS-SPS-SVM – do të mund të kalohet çdo gjë.

Ndërkohë Kosova ka nënshkruar tashmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, kurse Serbia ka filluar hapjen e kapitujve të parë në procesin e anëtarësimit në BE.

Ky është shansi që nuk do t’ia lejojë vetes ta lëshojnë nga dora Brukseli, Washingtoni e Berlini, me synimin që një herë e mirë ta mbyllin kapitullin e problemeve në Ballkanin e Jugut, gjithçka nëpërmjet vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

E të gjitha këto, me shtysën, plotësimin e kushteve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Mirëpo, nga ajo që u pa në pjesën e fundit të vitit 2015, sidomos në Kosovë, flet se nuk mjafton vetëm fuqia e numrave që ka Qeveria në Kuvend, në mënyrë që të kalojnë kërkesat e Beogradit për Prishtinën.

Droja e bllokimit të funksionimit të Kosovës nga Serbia, edhe me mënyrën se si është dizajnuar Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, ka bërë që opozita të përpiqet ta bllokojë jetën institucionale. E Beogradi, me UNESCO-n, u përkujdes që t’ua rikujtojë të gjithëve se Serbia ende është shumë e interesuar ta bllokojë Kosovën, kudo që mundet.

MUND TË THUHET se nuk mund ta di vetëm po të kishte mundësi që dikush të jetonte në Mars për këta 15 vjet, por të gjithë të tjerët që kanë ndonjë njohuri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe e dinë se cilat janë synimet e palëve.

Uji Dea

Shqiptarët dëshirojnë që nëpërmjet dialogut ta rrumbullakojnë procesin e pavarësisë dhe të sovranitetit, dhe në fund të jetë në këtë aspekt e barabartë me shtetet e tjera të botës.

Serbët e dinë se s’mund ta ndalin këtë, por në të njëjtën kohë kërkojnë sa më shumë autonomi dhe të drejta për pjesëtarët e etnisë së tyre në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare do që nëpërmjet sintagmës eufemistike “normalizim i marrëdhënieve”, të mbajë palët e interesuara në dialog, derisa të mos vijë koha e kërkesës edhe për njohje juridiko-kushtetuese të të dyja shteteve mes vete.

Mirëpo të gjitha këto të ditura e kanë një të përbashkët kryesore – frikën. Drojën se nëpërmjet këtij procesi gjërat mund të shkojnë keq, dhe që përfundimisht palët, por edhe kjo pjesë e Ballkanit do të zhytet në probleme të reja.

Shqiptarët druajnë se duke bërë koncesione të mëdha ndaj serbëve në mënyrë që këta të fundit ta njohin pavarësinë, veçanërisht me rastin e kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo mund të dalë si një Kalë Troje në fund. Nëse do të ketë kompetenca ekzekutive e politike Asociacioni, druhet se edhe në rastin e njohjes së pavarësisë ai mund të jetë një faktor destabiliteti me dirigjim nga Beogradi për shtetin e ri, i cili do ta bëjë defunksional edhe vetë shtetin. Në këtë mënyrë, pra, koshienca shqiptare punon, serbët do të mund ta rrënojnë çdo të arritur, e rrjedhimisht edhe të minojnë gjasat për anëtarësim në BE, me qëllimin final që Kosovën ta quajnë shtet të dështuar, nga i cili mund edhe të ndahet Asociacioni dhe t’i bashkohet Serbisë.

Në anën tjetër, serbët druajnë që nëse procesi i dialogut përfundon pa pasur ata njëfarë lloj autonomie brenda Kosovës, atëherë shqiptarët do të mund që t’i kritikojnë rrethanat në atë mënyrë që vendi të zbrazet përfundimisht prej tyre.

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikën se me mosmenaxhim si duhet të situatës dhe me mungesë të një pajtimi të kënaqshëm nga shqiptarët dhe serbët, rrezikohet i gjithë angazhimi i tyre i deritashëm në rajon, si dhe rritet potenciali i konflikteve të reja.

KËTO EDHE JANË çështjet kryesore që duhen t’i kenë parasysh edhe Prishtina, edhe Beogradi e edhe qendrat e vendosjes për vitin 2016.

Kosova dhe Serbia që të dyja janë pjesë të Evropës. Që të dyja janë në stade të ndryshme të anëtarësimit në BE. Që të dyja duhet t’i respektojnë standardet evropiane për të drejta të njeriut dhe kontroll të territorit, njësoj si dhe çdo shtet tjetër evropian.

Po. Në një Kosovë evropiane do të duhej të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë serb, njësoj siç do të duhej që në një Serbi evropiane të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë shqiptar.

Pra, me reciprocitet të plotë.
Përndryshe, nuk do të ishte e kapshme se si serbët në një Kosovë që përbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë do të kishin më shumë të drejta sesa shqiptarët në një Serbi që përmbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë. Standardet e BE-së do të duhej të vlenin njësoj e barabar për të gjithë, dhe të mos jenë të dyfishta.

Dhe po. Në Evropë nuk mund të ketë asnjë shtet në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që nuk njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti tjetër, po ashtu, në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Se përndryshe do të kishim standarde të dyfishta.

Dhe këto standarde të dyfishta nuk do të ishte e rekomandueshme t’ua mësojmë 18-vjeçarëve të 2016-s.

Ata s’e kanë për borxh të mbesin peng i luftërave të fundit të shekullit të kaluar dhe pushtetarëve që duan me çdo kusht t’i mbajnë atje.

(Bazuar në fjalën e mbajtur nga autori në konferencën “Bota në vitin 2016” të revistës prestigjioze “The Economist” në Beograd)

http://koha.net/?id=31&o=1033