Deshtë e hekurt kundër legjitimitetit

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ismail Syla – Më tragjikët në këtë lojë të dashit të hekurt dalin ata të cilën janë bërë emra publikë përmes një subjekti të fuqishëm. Mjelja dhe vjelja e të mirave bëhet me subjektin në pozitë (të funksionarit), por edhe pozicionimi për shkatërrimin e ish-subjektit të tij, sërish shndërrohet në ushqim (të renegatit)
“Rreth dhunës të përbashkuar” ky do të mund të ishte titulli i tryezës së shoqërisë civile dhe liderëve të lëvizjes Vetëvendosje mbajtur dy ditë më parë (25 janar 2016), si varg i himnit të flamurit kombëtar që në Kosovë kurrë nuk këndohet mirë, sepse në vend që të thuhet të gjithë atij (flamurit) duke iu betuar, thuhet të gjithë atje (ndajfolje vendi). Kjo ndajfolje vendi “atje” është ftesa themelore e tryezës së shoqërisë civile, që nënkupton vendin para ndërtesës së qeverisë, sheshet e qytetit, nga ku me tubime të lajmëruara dhe të pa lajmëruara duhet rrëzuar qeveria legjitime edhe me mjete dhune.

Fakti që sot nuk ka forcë, arsye, lider, diplomatë, politikanë, vendor e ndërkombëtarë, që ta bind opozitën se kauzës së saj i janë djeg dy kartat, demarkacioni dhe asociacioni, tregon më së miri se në ç’shkallë pjekurie janë një pjesë e lidershipit politikë, duke vënë në pikëpyetje qëllimin politik dhe nacional përballë përfitimit personal dhe individual. Synimi për përmbytjen e pushtetit legjitim, mohimi i vazhdimësisë së proceseve historike, aplikimi i metodave të dhunës për arritjen e qëllimeve nuk janë gjë tjetër veçse shenja paralajmëruese që keqësojnë jetën e individit në këtë vend, mbytin shpresën dhe besimin që shoqëria jonë shkon drejt progresit dhe emancipim të përgjithshëm.

Derisa lëvizja Vetëvendosje është shquar për retorikën patriotike puro shqiptare, thua se në këtë planet jemi vetëm ne, për kursin e drejtësisë së saj të distiluar, pjesës së saj softuerike iu shtua edhe ajo harduerike. Me të drejtë nga një publicist kjo shtesë u quajt simbolikisht “krahu i armatosur”, forcën e të cilit e ndjeu edhe një polic i sigurimit tek porta e kontrollit, brenda ndërtesës së Kuvendit. Madje filozofia e trimërimit të VV po zbatohet me inteligjencën e miut të gjirizit, që thuhet se është aq i kujdesshëm sa nuk e han pjesën e madhe të ushqimit menjëherë, por e micëron, e sheh a po i bën dëm fillimisht grimca, e tek pastaj e ha të tërin. Veprimet e cenimit të shkallëshkallshëm të punës së Kuvendit, të sulmeve janë shenjat e këtyre veprimeve.

Të gjithë e kemi parë në filma historikë ose kemi lexuar për mjetin e fuqishëm përmes të cilit synohet thyerja e portave të kështjellave – dashin e hekurt. Lëvizja Vetëvendosje më në fund e ka krijuar këtë mjet me të cilin po përpiqet ta thyejë qeverinë legjitime. Të gjithë ata që kanë mllef, urrejtje patologjike ndaj liderëve të pozitës, ndaj subjekteve të tyre politike, për interesa të përbashkëta momentale, por edhe për interesa individuale, konsiderojnë se është momenti i tyre. E dinë se askund në horizont nuk është koha e tyre, por për të luajtur rolin e dashit të hekurt janë të gatshëm dhe luftarakë. Shtëpi televizive, shtyp, libra, tribuna, rubrika, analistë, gazetarë e gjithçka tjetër e vënë në funksion vetë për ta përmbysur pushtetin legjitim.

Eco Higjiena

Një mike që vjen nga bota e medieve, me status shoqëror mjaft prestigjioz, pati të drejtë kur një pjesë të këtyre deshve të hekurt i quajti “gjuetar postesh”, analistë e “njohës” të çështjeve politike etj. të cilët kanë bërë që në mediet qendrore të shtypit, në ato televizive por edhe në portalet, emisionet ku ata aktrojnë dije dhe analiza, t’i shndërrojnë në drenazhe ku rrjedh qelbi i tyre. Mjafton që të kihet parasysh spekulimi për arrestimin “peshqve” të mëdhenj nga gjykata speciale, gëzimi latent që po manifestojnë segmentet më antikombëtare të Kosovës, të cilat po varin shpresate tyre pas pastrimit që do bëjë kjo gjykatë. Mjafton të kihet parasysh qelbi që po rrjedh kundër kandidaturës për presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, për të parë se me çfarë histerie dhe morbiditeti propozohet lehtësisht çuarja e dikujt në burgun e Dyzit, ose vlerësimi i aq lehtësisht i shqiptueshëm se meriton a nuk meriton është a nuk është faktor uniteti, nga kjo apo ky pjesëtar i OJQ-ve.

Në luajtjen e rolit të dashit të hekurt, të gjuetarit, shantazhuesit etj. ka një mashtrim optik të disa aktorëve. Nuk është pesha e personalitetit politik, dija, ekspertiza apo ndonjë cilësi e kontributit të lartë në fushën publike ajo që bën që disa njerëz të jenë në ballina gazetash, në headline portalesh, në studio, në rubrika analizash të televizioneve. Jo, është roli i tyre si vegël shkatërruese kundër liderëve legjitimë. P.sh. mjafton që të jesh kundër liderit të PDK-s Hashim Thaçi, kundër fuqisë politike të partisë së tij dhe ke hapësirë të pakufishme bie fjala në Koha Vision, në Koha Ditore në këtë apo atë medie. Çdo thërrmijë, çdo kontribut në këtë linjë, çdo fjalë, çdo qëndrim politik kundër tij, është margaritar. Dhe këtu ndodh mashtrimi, ata që japin goditje thikash

janë të përfillshëm në kuadër të strategjisë së dikujt tjetër dhe jo për shkak të kapaciteteve politike, morale, intelektuale dhe publike, apo të integritetit të lartë si personalitete.

Më tragjikët në këtë lojë të dashit të hekurt dalin ata të cilën janë bërë emra publikë përmes një subjekti të fuqishëm. Mjelja dhe vjelja e të mirave bëhet me subjektin në pozitë (të funksionarit), por edhe pozicionimi për shkatërrimin e ish-subjektit të tij, sërish shndërrohet në ushqim (të renegatit).