RCCOLA

Demokraci pa demokratë!

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Lavdim Hamidi – Pse duhet të përzihemi në çështjet e brendshme të një shteti të pavarur dhe demokratik? Kjo është përgjigja e diplomatëve ndërkombëtarë kur pyeten se pse nuk ndërhyjnë në zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, ku për më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e fundit qendrore politikanët vendorë nuk po arrijnë t’i formojnë institucionet e reja.

Është fakt se edhe në Kushtetutën e saj të miratuar para 6 vjetëve, Kosova përkufizohet si shtet i pavarur dhe demokratik. Por, fatkeqësia është se shteti më i ri në Evropë është një demokraci pa demokratë!

Liderët politikë të këtij shteti vazhdojnë të udhëhiqen nga mendësia jodemokratike, të prirë vetëm që t’i realizojnë interesat personale në kurriz të qytetarëve të vet.

Pikërisht për interesa të tilla të këtyre “demokratëve”, Kosova shumë shpejt do t’i mbushë katër muaj pa institucione të reja, duke e çuar vendin në drejtim të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

As zgjedhjet e reja nuk do ta shpëtojnë Kosovën nga këta politikanë, pasi që ata edhe për një kohë të gjatë, në forma të ndryshme do të tentojnë të mbesin në skenën politike, përderisa vendi do të mbetet mbrapa në procese shumë të rëndësishme.

Mobi Casa

Me këtë ritëm të punës dhe në mungesë të institucioneve qendrore, shtetet fqinje më shpejt do të bëhen anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian sesa që Kosova do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave.

Është thënë disa herë nga zyrtarët e lartë evropianë se liberalizimi i vizave nuk mund të ndodhë derisa institucionet vendore vazhdojnë të dështojnë në luftën ndaj korrupsionit dhe derisa migrimi ilegal i kosovarëve drejt shteteve të ndryshme të BE-së, nuk ka të ndalur.
Korrupsioni nuk është luftuar e as migrimi ilegal nuk ka të ndalur. E të mos flasim për përmbushjen e kritereve tjera të nevojshme për liberalizimin e vizave, të cilat ende nuk janë plotësuar nga institucionet vendore.

Realisht procesin e zgjedhjes së institucioneve e ka komplikuar tej mase edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ia ka njohur të drejtën ekskluzive PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Partia e Hashim Thaçit e ka një të drejtë të tillë, mirëpo i mungojnë numrat e nevojshëm në Kuvend.

Në një situatë të tillë kur partia më e madhe s’i ka numrat dhe kur partitë e Bllokut janë barrikaduar kundër koalicionit, s’ka se si të priten zhvillime pozitive në vend, përpos zgjedhjeve të njëpasnjëshme.

Fatkeqësisht zgjedhjet e organizuara deri më tani në Kosovë nuk kanë prodhuar demokratë. Të tillët si këta të fundit nuk janë ata që sinonim të demokracisë e kanë korrupsionin.