ARKATANA

Demagogji parazgjedhore

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Milaim Shefkiu – Partitë politike i kanë marrë me yrysh zgjedhjet e sivjetme lokale, duke filluar fushatën tre muaj para kohe. Lufta në terren po bëhet gjithnjë e më e egër, duke nominuar kandidatë e fjalë të mëdha, nga punësimi dhe zhvillimi infrastrukturor deri të integrimi në Bashkimin Evropian dhe heqja e vizave.

Në secilën komunë që po shkojnë liderët partiakë, po flasin për vlerat demokratike, për ujin, për tokën e për ajrin, madje ka edhe të tillë që nuk po e harrojnë as luftën në Siri. Ndërsa akuzuat në drejtim të rivalëve janë bërë arsenali më i madh zgjedhor që po përdoret kundër njëri-tjetrit.

Kur një lider partie shkon në një komunë që qeveriset nga partia rivale, akuzon për kaos urbanistik, për ndërtime të egra, për nepotizmin, për mungesë punësie, ndërsa liderin tjetër e quajnë “demagog”. E njëjta politikë ndodh edhe me partitë tjera dhe me liderët tjerë, ndërsa fjala “demagogji” duket e ka pushtuar fjalorin politik zgjedhor.

Për ata që nuk e dinë, “demagogjia” është “mashtrimi i masave, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t’i bërë për vete për qëllime të caktuara politike”. Pra, demagogu në përkthimin e fjalorit urban ose në dialogun e shkujdesur i bie “gënjeshtar”.

Por, a është politika demagogji fund e krye apo ka diçka humane dhe të vërtetë në këtë art. Pyetja e secilit qytetar do të ishte se – A duhet që politikani të shndërrohet në iluzionist, dhe t’i joshë masën me llafe të mëdha, apo të premtojë aq sa ka “kaçik” për të realizuar?.

Me siguri që secili njeri, para së gjithash duhet të jetë human, në mënyrë që mos t’i joshë qytetarët me premtime që nuk mundet t’i përmbushë, sepse fundi i fundit “daia matet me takat”.

Mobi Casa

Të gjithë qytetarët tashmë e dinë se punësimi nuk varet nga lideri i komunës, por nga strategjitë dhe politikat kombëtare, nga investimet e huaja. E për të ardhur investitorët e huaj duhet të ketë infrastrukturë ligjore, qeverisje stabile, gjykata jopolitike, dhe sa më pak ose hiç korrupsion. Për të ardhur investitorët në Kosovë nuk duhet të ketë reketashë, kërcënues e grabitës.

Prandaj, lideri i një partie që bart mbi vete një grup të interesit, duhet të garantojë para zgjedhësve se nuk do të lejojë që në qeverisjen e tij të gravitojnë reketashët, kërcënuesit e zhvatësit, por do të sundojë ligji dhe shteti ligjor. Kur këto të ndodhin, atëherë do të ketë më shumë të punësuar, do të mbizotërojë konkurrenca e vlerave dhe do të eliminohen anomalitë tjera të cilat po ua bëjnë bajat Kosovën shumë kosovarëve.

Gjithashtu, premtimet demagogjike se do të hiqen vizat për në BE, nuk duhet t’i dëgjojë asnjë qytetar, aq më pak në zgjedhjet lokale.
Madje këto frazeologji zgjedhore, sikurse t’i kishte dëgjuar Viliam Shekspiri në mesjetë, me siguri do t’i kishte dalë edhe më e fuqishme tragjedia e Othello-s, sepse personazhin e Jorgos (Iago) do ta krahasonte me politikanët e Kosovës.

Të gjithë e dinë se për t’i plotësuar kushtet e heqjes së vizave, duhet një varg kriteresh që Kosova nuk po arrin t’i përmbushë.

Derisa mijëra djem të rinj mendojnë, përditë, që të ikin nga Kosova, sepse shteti më i ri nuk ofron kushtet për jetë dhe nuk premton perspektivë për ta, me siguri se nuk do të hiqen vizat, ndërsa refreni i këngës që dikur ishte hit,“…Ku janë kosovarët pse në Kosovë nuk rrinë…”, do të mbetej aktual. Ndërkaq, në momentin që Kosova bëhet shtet me “klimë të përshtatshme për jetë”, atëherë edhe vizat hiqen.

Mesazhi i çdo qytetari për politikanët dhe liderët komunalë është që të ecin këmbëzbathur për toke, jo të premtojnë llafe për qiell. Populli sado duket naiv, ai prapë e ka një armë të fortë në dorë, “votën” me të cilën të ndëshkon dhe të futë “shtatë pash nën dhe”.