Dega e UDSH-së në Bujanoc me udhëheqës të ri

Bujanoc – Rexhep Fejzullahu, profesor në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, është zgjedhur të hënën, kryetar i degës së Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) në Bujanoc, njofton “Presheva jonë”.
Në mbledhjen e fundit të kryesisë së këtij subjekti politik (UDSH-së) pas disa konsultimeve të kryesisë së kësaj partie, që aktualisht është subjekt opozitar që vepron në komunën e Bujanocit, është vendosur unanimisht që në vend të udhëheqësit të degës së gjertanishme të UDSH-së, që udhëhiqej nga dr. Mejdi Zeqiri, tashmë kjo degë e UDSH-së, në Bujanoc, udhëhiqet nga kryetari i ri i këtij subjekti politik, profesor, Rexhep Fejzullahu.
Njëri ndër themeluesit e parë të kësaj partie (UDSH-së) Rexhep Fejzullahu, njëherësh dhe aktivist i dalluar i kësaj komune, ka përvojë të madhe në jetën politike në komunën e Bujanocit, ndërsa është edhe profesor në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Do theksuar se dega e UDSH-së, në Bujanoc, deri më tani është drejtuar nga Mejdi Zeqiri, ndërsa ky subjekt politik në asamblenë komunalë ka gjithsej tre këshilltarë dhe se momentalisht së bashku me PVD-në, në Bujanoc, përbëjnë koalicionin shqiptar komunal dhe është në opozitë.(Metali Krasniqi)