Dashuria si qenësi jetësore dhe si shqiptim poetik
Nga Anton Nikë Berisha – Sabit Rrustemi:NDEZJE YJESH NË ZEMËR – poezi e zgjedhur e dashurisë, botoi Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, tetor 2015.
“E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës, e si është e mundur që ekzistenca të mos i nënshtrohet?”
(F. Dostojevski, nga romani “Demonët”)
Pse kjo zgjedhje me poezi të dashurisë?
Në rrjedhën që e cilëson sot botën tonë, ku një varg veprimesh kulturore dhe letrare janë të nxitura e të kushtëzuara nga një folklorizëm në qenësi përmbysës dhe nga një patriotizëm retorik dhe i rrejshëm, një zgjedhje me poezi të dashurisë mund të merret si gjë e parëndësishme, për të mos thënë shpërfillëse.
Zgjedhja me poezi të dashurisë “Ndezje yjesh në zemër ” të Sabit Rrustemit nuk hyn në radhën e dukurive dhe veprave që bazohen dhe kanë nevojë për mbufatje, për duartrokitje e lavdata të pa krypë . Qëllimi dhe rëndësia e saj janë krejtësisht të tjera: të përligjen vlerat poetike të një poezie që jo vetëm i bëjnë nderë autorit të saj, po dëshmojnë rrafshin dhe vlerat poetike që sot ka poezia jonë e shkruar.
Poezinë e dashurisë të Sabit Rrustemit të përfshirë në vëllimin e cilëson shumësia e qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve; ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshëtimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë; gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin. Në qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për femrën. Është e njohur se në marrëdhëniet shoqërore dhe njerëzore diçka që i përket njërit, është dhe brenda tjetrit dhe anasjelltas. E kur njihet një person, në të njëjtën kohë njihet në një masë edhe tjetri. Njohja dhe zbulimi i ndërsjellë është veprim i rëndësishëm, prandaj kjo poezi jo vetëm të futë në thellësitë e gjallimit dhe të misterit të dashurisë, po natyrshëm bëhet pjesë e përsiatjeve dhe e shpirtit të atij që e lexon.
Pikërisht realiteti i veçantë dhe i ndërliqshëm i shprehur përmes artit të fjalës e bën këtë poezi të qenësishme. Si e tillë, me vlerat që ka, ajo gjakon të bëhet e disakohëshme.
Dashuria – pjesë e pandashme e jetës
Është thënë sa e sa herë se dashuria është ndjenja më e rëndësishme dhe më e fuqishme e jetës dhe e veprimit të njeriut . Në Këngën e këngëve, që çmohet si kryevepër poetike e dashurisë, thuhet: […] dashuria është e fortë si vdekja, / pasioni është këmbëngulës si mbretëria e të vdekurve, / flakërimet e saj janë shkëndija zjarri / Ujërat e mëdha nuk mund ta shuajnë dashurinë, / as lumenjtë nuk mund ta përmbytin (8, 6 – 7) .
Dashuria ka qenë pjesë e pandashme e jetës së njeriut qysh në fillesë të gjallimit, prandaj ai e shprehu atë në forma të ndryshme, midis tyre edhe përmes këngës dhe rrëfimit. Me një fjalë, këngët që shprehën dashurinë duhet të jenë ndër krijimet më të lashta që i përftoi njeriu për veten, po dhe për tjetrin, dhe përmes tyre i shqiptoi dukuritë e ndryshme dhe komunikoi me to.
Kur u zbulua shkrimi, dashuria u trajtua dhe u shpreh në veprat letrare në një përmasë më të gjerë dhe në forma më të shumta.
Për rëndësinë e dashurisë për njeriun dhe për jetën e tij dëshmojnë veprat e shumta të autorëvë të ndryshëm gjatë mijëvjeçarëve. Brezat dhe individët e panë dhe e vështruan dashurinë nga kënde të mëvetësishme, ashtu siç ishte dhe individi i mëvetësishëm dhe i ndryshëm nga të tjerët – edhe pse i përkiste të njëjtës familje të qenies njerëzore.
Edhe pse ndërruan kohët, dashuria mbeti ajo që ishte e që është – pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e secilit njeri si Veprat e poetëve, prozatorëve dhe dramaturgëve që e vështruan dashurinë: Homeri, Eskili, Petrarka, Shekspiri, Tolstoi, Dostojevksi, Jesenini, Cvajgu, Tagora, Neruda, Markesi, për të mos përmendur emra të tjerë, u bënë pjesë e artit të fjalës, po edhe e lexuesve, duke ndikuar në ta në forma të ndryshme. Kështu, fjala vjen, duke i kënduar Laurës, Petrarka i drejtohet marrësit të poezisë së tij: Ju që dëgjoni vargjesh zërin tim, / Ato psherëtima q’ushqyen zemrën time (Kënga I) ose Rabindranath Tagora: “Grua në gazin tënd jehon muzikë e jetës”.
Pa qëllim që të zgjatem rreth traditës së pasur letrare në përmasën botërore, po veçoj këtu veprën e parë të shkruar që na ka mbërritur e plotë nga tradita e lashtë letrare sumere – babilonase, Epi i Gilgameshit, të shkruar me kunja në pllaka të argjilës rreth katërmijë vjet më parë. Në të e dëshmojnë forcën e jashtëzakonshme dy dukuri: dashuria dhe vdekja .
Dashuria dëshmohet kur Enkiduji (personazhi i dytë në vepër për nga rëndësia) nga një kafshë stepe shndërrohet në njeri falë forcës magjike të dashurisë së gruas, me të cilën rri gjashtë ditë e shtatë net. Pra, është dashuria e gruas, është gruaja me trupin e saj të bukur, janë gjinjtë e saj (“kodrat e haresë”), që e kushtëzojnë shndërrimin e parëndomtë dhe shkaktojnë mrekullinë.
Qenësinë e dashurisë e dëshmon dhe Kënga e këngëve (me gjithsej 117 vargje dhe 1250 fjalë) vlera letrare poetike e së cilës që mbi 2000 vjet vazhdoi të jetë pjesë e artit të fjalës të popujve kudo në rruzullin tokësor, pa marrë parasysh prejardhjen, besimin, racën, vendin. Këtë e dëshmojnë përkthimet e shumta jo vetëm në gjuhë të ndryshme, po edhe në të njëjtën gjuhë. Dashuria në këtë poemë shprehet përmes një gjuhe universale, simbolike po dhe e afërt dhe e përfillshme për të gjitha kohët, me degëzime kuptimesh, përkatësisht me një nëntekst të pasur, jo vetëm për breza e njerëz të ndryshëm, po edhe për një person që e lexon atë në kohë dhe në rrethana të ndryshme. Si e këtillë Kënga jo vetëm bëri ndikim në letërsinë hebraike, por edhe në autorët dhe letërsitë që e çmojnë mirëfilli artin e fjalës dhe mesazhin poetik . Kjo krijesë poetike (Shën Augustini thoshte se “Kënga është një libër i dendur i mistereve”, Rrëfimet 46, 35 ) përmbledh në vete gjithë atë që është, ka qenë e do të jetë; të gjitha ngjarjet që do të ndodhin në mijëvjeçarin e shtatë që përbëjnë Të Shtunën e Hyjit, janë përmbledhur në Këngë . Ajo “[…] frymton një shndërrim kaq absolut të dashurisë që mund të vendoset në pragun e një shëlbimi, të një shpëtimi. Për këtë (arsye) ajo shtron një domosdoshmëri: t’i mbesë krejtësisht besnike absolutes së dashurisë […] ”.
Rëndësia e dashurisë shprehet dhe në Librin e Zanafillës të “Besëlidhjes së Vjetër”: Mishi i mishit tim dhe ashti i eshtrave të mi (Za 2, 23) – që është sintezë e përligjjes së dashurisë hyjnore dhe e dashurisë njerëzore. Sipas Shkrimit të Shenjtë dashuria është krijesë – dhuratë e Hyjit, siç thuhet në Letrën e parë të Gjonit: “Hyji është dashuri” (1Gjn 4, 8) dhe “Nëse e duam njëri – tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer” (1Gjn, 4, 12). Edhe vetë Hyji e zgjodhi popullin e Izraelit përballë popujve të tjerë për dashurinë që dëshmoi ndaj tij (Dt 7, 6 – 8).
Dashuria, që e përcjell njeriun nga lindja deri në vdekje, është forca që nxiti dhe kushtëzoi shumëçka në jetën e tij, qoftë si pasurim shpirtëror, si forcë e jashtëzakonshme veprimi e jete, si frymëzim, si kënaqësi, qoftë si dhembje, vuajtje dhe ndjenjë që shkakton pezmin e tundimin, herë – herë dhe shkatërrimin e vetë njeriut dhe të jetës së tij.
Dashuria vetëvetiu nënkupton kundërvënien urrjetjes, të keqes dhe të shëmtuarës.
Mënyra e shqiptimit të dashurisë në vepra të ndryshme letrare dëshmon se “Dashuria nuk është krejtësisht një fenomen ‘privat’, një histori e thjeshtë e dy ‘zemrave’ që dashurohen, po ngërthen në vete një ‘parim të ndërlidhjes’ së çmueshme për kolektivitetin” (A. M. Kollontaj) dhe se “Çdo akt i dashurisë, i përkujdesjes, i përdëllimit është një ringjallje” (Erich Fromm).
Vazhdimësi dhe pasurim i traditës
Sabit Rrustemi është vazhdues i traditës sonë letrare të trajtimit poetik të dashurisë, ku krijuesit e shumtë me veprat e tyre e shprehën dashurinë në përmasë të qenësishme jetësore e kuptimore që nuk ia doli ta shprehte asnjë formë tjetër e krijimtarisë shpirtërore të njeriut, qoftë kur dëshmohet dashuria midis njerëzve në përgjithësi dhe dashuria e gruas dhe e burrit (mashkullit dhe femrës) në veçanti, po edhe dashuria shpirtërore dhe hyjnore (dashuria si ideal, dashuria si bukuri ose dashuria e Hyjit për njerëzit dhe dashuria e njerëzve për Hyjin) ose dashuria si prehje dhe kënaqësi, pa lënë anash shqetësimin, vuajtjen dhe pësimin që i shkakton ajo.
Në traditën tonë shqiptare shqiptimi poetik i dashurisë zë fill me këngët – poezitë gojore të dashurisë nga kohët më të lashta, ku nuk ekzistonte shkrimi dhe ato përcilleshin gojarisht, përmes të cilave shpreheshin çastet e veçanta të gëzimit dhe të prehjes. Këto krjime kushtëzuan që njeriu, qoftë dhe për pak kohë të harrojë peshën e rëndë të jetës e të veprimit, po dhe i dhanë forcën që t’i përballojë vështirësitë dhe të ecë përpara në rrugën e vet të ngritjes e të përparimit.
Këtë traditë gojore letrare e çuan mëtej dhe e pasuruan përmes veprave të shkruara shkrimtarët tanë të kohëve të ndryshme. Të përmend këtu vetëm Pjetër Budin, Jul Varibobën (për dashurinë e njeriut ndaj Hyjit), De Radën, Santorin, Zef Skiroin (Plakun), Naim Frashërin, Zef Seremben, Çajupin, Poradecin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Ali Podrimjen, Adem Gajtanin, Rifat Kukajn e shumë të tjerë.
Në veprat e këtyre krijuesve dashuria u trajtua si ndjenjë intime, po dhe si marrëdhënie midis të dashurit e të dashurës dhe burrit e gruas etj. Pra, dashuria pati një rëndësi të shumëfishtë për nxitjen dhe pasurimin e shpirtit e të imagjinatës së njerëzve tanë, ashtu si theksonte shkrimtari italian, Françesko Grizi (Francesco Grisi): (dashuria) “[…] është mister, një lojë e kujtesës dhe ungjill i shpirtit ” dhe poeti i madh indian, Tagora: “Në këtë botë jetojmë përderisa e duam”.
Sabit Rrustemi u ngrit mbi këtë traditë poetike të dashurisë dhe e pasuroi atë në rrafshe e përbërës të rëndësishëm, qoftë për mënyrën e qasjes, të gjerësisë dhe të thellësisë së vështrimit, qoftë të shtjellimit gjuhësor e shprehës artistik. Me poezinë e vet ai e lartësoi dhe e zgjeroi përvojën dhe hapësirën poetike të dashurisë në traditën tonë.
Përmasat shumëdimensionale të dashurisë
Poeti Sabit Rrustemi i qaset dhe e trajton dashurinë në disa rrafshe e përmasa. Poezitë e tij kushtuar asaj ndërlidhen dhe njësohen në një mozaik poetik të përftuar me përkushtim që shtrihet në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhshmen.
Koha që jetohet pa ne
Quhet nesër
E djeshmja sado e varfër
La diçka për sot
(Veten tënde e harroj në mua)
Me fjalë të tjera, në këto poezi zbatohet koha subjektive si mundësi e jashtëzakonshme e të shprehurit dhe e mundësisë së komunikimit me dukuritë ose me përbërës të saj, ku nuk vlejnë rregullat e kohës konkrete. Në qenësi koha në to është kohë me cilësi të realitetit të ëndrrës dhe të kohës hyjnore.
Ky shumëdimensionalitet i ka mundësuar poetit ta vështrojë dashurinë në mënyrë komplekse, strategji që lidhet me domosdonë që ajo të shprehet sa në gjerësinë aq dhe në thellësinë e saj, ku jo vetëm ndriçohen shtresat më të veçanta, po dhe përbërësit më të fshehtë. Pra, dashuria shfaqet si dukuri gjithëkohore, gjithëhapësinore dhe gjithëpërfshirëse, përkatësisht shprehet në rrafshin konkret, përfytyrues dhe ëndërrues. Elioti thoshte: “Koha e tashme dhe koha e shkuar / Ndoshta që të dyja janë në të ardhshmen ” ose siç thoshte Lasgushi ynë: Bashkohesh brënda me përjashtësi, Bashkohesh jashta me përmbrëndësi, Bashkohesh ritesh me përjetësi .
Në poezinë e dashurisë të Sabitit e përkohëshmja në dashuri e përligj të përjetëshmen, siç ndodh që e përjetshmja zë fill, pra lind (bëhet) nga konkretja, e përkohshmja.
Po e mbledh kohën e ikur
Përmes së tashmes
Që s’mjafton
Në kohën që vjen
Jam aty
Ku s’u takuam asnjëherë
(Ku s’u takuam kurrë)
Poeti ynë vepron në këtë mënyrë për arsye se, siç thekson shkrimtari Visar Zhiti, “Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme”. Është në natyrën e artit të fjalës që mesazhet poetike të shtrihen dhe të mbijetojnë nëpër kohë, t’u përkasin disa kohëve, siç ndodh që dashuria jo vetëm se përligj lirinë shpirtërore dhe vepruese, po e ndërton dhe e pasuron vetë jetën.
Sabiti poet e ndien dashurinë, frymësinë dhe ngrohtësinë e saj, e grish dhe e shpreh atë përmes vargjeve e pamjeve poetike. Ai e njëson dashurinë për gruan me dashurinë për poezinë. Nëpërmjet strukturës së tekstit njësohet bukuria e dashurisë dhe arti i bukurisë së poezisë.
Vargu im niset dhe pa mua
Për tek Ti
Si trokitje e lehtë dite
Si një puthje e ëmbël mëngjesi […]
Ai varg i tëri jam unë
Që prehje kërkon në gjiun tënd
Shpirti im i fshehur n’Poezi
(Si puthje e ëmbël mëngjesi)
Në grishjen e dashurisë, në grishjen e të dashurës për dashuri të njëmendtë, të pastër e të mirëfilltë, shprehet besimi në të dhe gjakimi epshor për të. Përligjet “Rishfaqja e himnit të parë dhe të përhershëm të Adamit të secilit vend e të secilës periudhë kur e takon gruan e vet ”.
Etjen time në mua
E shuan
Vetëm shiu i buzëve të tua
(Shiu i buzëve të tua)
Së këndejmi, në shqiptimin e dashurisë njësohen, edhe mendimet, edhe të shprehurit poetik; janë rrjedhojë e natyrshme e gjendjes mendore dhe shpirtërore të poetit. Nëse i kujtojmë dy vargjet e Lorkës “Në sytë e mi / këndojnë dy dete ”, Sabiti përmes artit të fjalës këndon këngë polifonike të dashurisë, ku secili zë përligj veten dhe njëherit shkrihet në tjetrin.
Dashuria, “[…] qendra përmbledhëse e të gjitha prirjeve ”, në poezinë e poetit tonë barazohet me vetë qenësinë e jetës: “Tjetri përbën mundësinë e vetme për arsye se marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive. Logosi që më drejtohet mua dhe më fton në universalen e bashkë-ekzistimit ”. Pra, natyra e njeriut ka etje për marrëdhënie me tjetrin; synimi i ekzistencës është marrëdhënia e dëshiruar si një kërkim jetësor . Nevoja e takimit të qenies njerëzore me tjetrin dhe e njësimit me të në dashuri shënon kremten. Në Librin e proverbave (8, 30 – 31) krijimi i botës shprehet si valle që dituria hyjnore e përmbush në mënyrë të kremtes: “[…] të kremtosh domethënë ta gjesh sërish vetën, ta gjesh identitetin tënd, kuptimin e veprimit (ndodhisë) në të cilin jemi kredhur ”.
Në poezinë e Sabitit dashuria shprehet si gjakim jetësor e poetik dhe pasuri shpirtërore, po edhe si dramë dhe tundim. Dashuria, siç thekson Petrarka, “djeg me zjarr, me ç’ëmbëlsi na deh?”. Ajo nënkupton bukurinë dhe pafundësinë e të shprehurit: “Simboli shpreh maksimumin e realitetit: vë drejtpeshimin midis të dukshmes e të padukshmes, fizikës dhe shpirtërores, të mbarimit e të pambarimit ”.
Rrëfimi lirik i Sabitit për dashurinë shpesh është befasues, i papritur, po poetikisht gjithnjë i përfillshëm, pushtues dhe ndikues.
E përcolla kah ti
Pamjen e kësaj dite
Me diell e luleborë
Me lule pemësh
Që nëpër erë lahen e shkunden
Në këtë mrekulli stine
Më bëhet se të shoh
Në çdo lule
E pemë e flatër zogu
(Pamje dite)
Përherë i etur mbetem
Etjen tënde duke e shuar
(Kënaqësia e pashijuar)
Nën çerpikë
Portretin e saj ëndërr e ruaj
Udhën kah ajo të mos e harroj
(Dritarja që shihet e s’hapet)
Në mesazhin poetik të Sabit Rrustemit, siç ngjet dhe në Këngën e këngëve , bëhen të ngjashëm të dashuruarit; ata i japin njëri – tjetrit dhe njësohen me njëri – tjetrin në dashuri. Së këndejmi, poezia e tij mund të receptohet edhe si realitet i dashurisë, edhe si ëndërr e dashurisë.
Ndodh kështu për arsye se njeriu ka aftësinë që të mund të përfytyrojë dhe t’i drejtojë synimet dhe t’i përmbushë ato, qoftë dhe vetëm në botën e brendshme (kur, fjala vjen, konkretësia e jetës nuk i mundëson). Në këtë mënyrë poezia shndërrohet në një himn lavdërues të dashurisë dhe bëhet realizim i dashurisë, po dhe projektim i saj në pambarim, këngë e dashurisë së përjetësisë.
Si buzëqeshja jote
Do shkrihet në ty
Rrezja e parë
(Mos u trazo prej hapave të mi)
ose kur e dashura përsiat dhe e ndien të dashurin dhe këtë e shpreh me një gjuhë skjashmërisht simbolike.
Përditë avullohen detrat
Nga zjarri i syve të tij
Malet ndizen e përtëriten
Me erën në shtegtim
(Shëtisin hullinjve të zemrës)
Kur njeriu është i dashuruar dhe këmbëngul të jetojë në dashuri, atëherë, siç thotë Petrarka, çdo gjë përshkohet nga “flaka” e saj: “Veç dashurisë asgjë s’të hyn në sy!” (Këngëtorja, CCV) për arsye se “Gjykimi mund vetëm të flasë, / Dashuria është që këndon ” (Joseph De Maistre). Për poetin tonë të dashuruar e dashura është “Pema e jetës sime”. Pikërisht dashuria ia ringjallë epshin, që vijimisht i rri i nderzur në brendësi.
Zgjuar rri e m’përkujton
Se ti je diku thellë në mua
Krua që buron e rinon
Përherë e më thellë
Në verën e dashurisë sime
Bimë e përjetësisë
(Bimë e përjetshme)
Si Lule Borë vjen
Buzë lumit e shpatit
Faqeve të mia stinën e re shprush
(As e shoh si vjen)
Dashuria në poezinë e Sabitit nënkupton dhe përmbushjen e idealit jetësor, siç theksohet në Letrën e Shën Palit drejtuar Korintianëve (1 Kor 13, 1–3):
Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!
Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po të jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!
Dashuria si dukuri konkrete, përfytyruese dhe ëndërruese
Në jetën konkrete, siç dihet, ekzistojnë kufizimet e veprimit të njeriut, po realiteti, përfytyrimi dhe ëndrra të shprehura përmes strukurës gjuhësore poetike bëjnë një realitet tjetër, krejt të mëvetësishëm. Njësimi dhe drejtpeshimi i këtyre realiteteve përmes mesazheve poetike, përligjin qenësinë e poezisë së vëllimit “Ndezje yjesh në zemër”. Dashuria e djalit – burrit për të dashurën dhe e vajzës – gruas për të dashurin është liria e tyre, është ëndrra e tyre e gjakuar dhe e përmbushur (qoftë dhe shpirtërisht); është liria e ndërsjellë e dashurisë së mirëfilltë. Duke i gërshëtuar poetikisht realitetin konkret, përfytyrues dhe ëndërrues (të ëndrrës) që njësohen në dashurinë, në bukurinë dhe në kënaqësinë, po dhe në dhimbjet dhe vuajtjet, poeti ynë ka përmbushur atë që thoshte mbreti i poezisë së dashurisë, Petrarka, në veprën e tij të njohur “Këngëtorja” (nr. LXXI):
Mendimi dashuror
që brenda meje rri më pushton kaq shumë
sa forcë më jep e paqe në zemrën time;
mishi vdes, po mendimi e vepra
kushtuar ty, këto kurrë nuk vdesin .
Së këndejmi, poezia e dashurisë e Sabit Rrustemit është sa reale, aq përfytyruese dhe ëndërruese, ku të shprehurit poetik ngjizet sidomos brenda realitetit të ëndrrës, që nuk u nënshtrohen parimeve të veprimeve në jetën e përditshme. E dashura e poetit është “Ëndrra ime e paprekur”. Kjo nuk ngjet për të mohuar rëndësinë e dashurisë konkrete, përmbushjen e kënaqësisë dhe të bukurisë, po për t’i lënë asaj hapësirën sa më të madhe gjalluese dhe vepruese dhe për të depërtuar sa më thellë në shtresat e fshehta të saj, përkatësisht për të nxitur një komunikim sa më të gjerë e të qenësishëm me dashurinë përmes strukturës gjuhësore poetike.
Në çdo kohë
Brenda ëndrrës sime je
(Kahdo që të vish)
Përmes një ëndrreje
Të pasosur
Më prit
(Përmes një gjethi)
Lulja me një mal ëndrra
Drejt ëndrrës që e fshehim në bisht të syrit
(Dritë në shpirt)
Pikërisht ëndrra kushtëzon përmbushjen e çdo synimi e përfytyrimi. Me këtë dhe arsyetohet pse realiteti i ëndrrës e përshkon thellësisht këtë poezi; ajo ia sjell edhe të dashurën.
Tek unë të sjell
Ëndrra ime
(Udha e ëndrrës sime)
Bota
Kjo e tashmja e jashtmja
E vogël ka ngelur për ëndrrën tonë
(Thellësi të gurta)
Kushtëzim i ndërsjellë: dashuri – bukuri
Edhe bukuria është pjesë e pandashme e jetës dhe e botës së njeriut. Ajo është e lidhur ngushtë me dashurinë; të dyjat lidhen me domosdonë e veprimit e të mendimit të lirë, me lirinë. Sheli thoshte me të drejtë: “Bukuria është vetë liria”. Me një fjalë, kur flasim për njërën, nënkuptohet edhe tjetra; janë të kushtëzuara ndërsjelltas. E dashura jeton brenda të dashurit, siç i dashuri jeton brenda saj. Shprehja hebraike “Ləki lak” në Këngën e këngëve shpreh pikërisht “Nisjen drejt vetvetes ”. Kryesorja është të jesh i dashuruar, të dashurosh, të jetohet në dashuri dhe t’i lihet asaj vend sa më i madh në jetën konkrete. Qëllimi i poetit të dashuruar është t’i ofrojë të dashurës gjithë zjarrin e dashurisë pa kushte, të pastër, të pa rrënueshme. Poeti arbëresh, Zef Serembe, do të thoshte: “Të bashkuara dy zemra s’tremben ”; të bashkuara janë më të forta e më të qëndrueshme, vlejnë më tepër dhe veprojnë dhe mbërrijnë më shumë.
Është e njohur se gruaja e bukur dhe bukuria e trupit të saj janë shkas për dashuri, siç dëshmohet në shumë vepra letrare të autorëve të periudhave të ndryshme. Të dashurosh domethënë të dhurosh, t’i dhurosh diçka tjetrit nga vetja jote. Kur e përfillim dashurinë, dëshmojmë një rrafsh më të lartë shpirtëror dhe jetësor. Dashuria kërkon përvojën që pastaj edhe vetë të shndërrohet në përvojë, gjë që mundëson të kuptuarit së pari të vetvetes e pastaj edhe të tjetrit, po dhe të kuptuarit e së bukurës. Kjo mundëson të bëhesh i lirë shpirtërisht, gjë që përligjet edhe në krijimet shumë të lashta letrare gojore: një varg personazhesh kryesorë të përrallave dalin në kërkim të gjejnë gra të bukura e të martohen me to, përkatësisht me të Bukurën e Dheut, siç ndodh në përrallat tona .
Këndimi i dashurisë në përmbledhjen “Ndezje yjesh në zemër” në qenësi dëshmon dhe të bukurën për arsye se, siç theksonte David Maria Turoldo: “Pikësynimi i fundit i botës është bukuria, pika e drejtimit të shpirtit është bukuria; ajo që nxit veprimin dhe është ngushëlluese përherë është bukuria misterioze dhe e papërcaktuar. Ajo që bën të këndosh, ajo që frymëzon çdo poezi dhe çdo muzikë dhe çdo veprim (ndërmarrje) është bukuria ”.
Mënyra se si poeti ynë i drejtohet të dashurës së bukur është e qenësishme dhe kuptimisht e thellë.
Dua të ta shoh bukurinë
Ashtu siç ma ke
Ashtu siç e dua
(Në këtë kalim jete)
Bukuri e trandur e vrenjtura bukuri
Nga enigma del n’enigma hyllesh ti
(Ëndrrat e fshehur në një kep)
Dashuria dhe bukuria e femrës në poezinë e Sabitit shqiptohet sidomos përmes syve. Ata ngërthejnë simbolikë dhe kumtimësi të shumtë, po dhe pasuri shpirtërore; kanë fuqinë që t’i shkëpusin edhe yjet.
E sytë
Shkëpusin dy yje prej qiellit
E nisen kah ti
(Sytë dy yje prej qiellit)
Mos lexo vetëm me sy
A nuk po e sheh veten tënde në sytë e mi
Apo veten time në sytë e tu
(Nuk po e ndjej përmendjen tënde)
Sytë e të dashurës janë të magjishëm; nga ata rrezaton një dritësim magjepës; ata janë “zogj” të mrekullive, që qetësohen vetëm në dashuri.
Zogj të çuditshëm janë
Për një ëndërr të fshehur
Enden nëpër botë kohë
Nuk shihen e nuk ndalen
Nga dëshira ndizen kallen
Një mur i zi në mes u rri
Zogj të quditshëm janë
Deri në pikëtakim s’prajnë
(Sytë)
Ngado që të nisem
Në sytë e tu kryqohem
(Dashuri e pamjaftueshme)
Dashuria bashkëjeton me dhembjen dhe me vuajtjen
Në poezitë e përfshira në këtë vëllim nuk dëshmohet vetëm aftësia e autorit të shprehë dashurinë përmes tekstit poetik, po edhe të vuajë, për arsye se dashuria dhe vuajtja bashkëjetojnë. S’ka dashuri që brenda saj nuk përmban dhembjen dhe vuajtjen. Në të vërtetë, ato janë të pandashme. Poeti Neruda thotë: “O dashuri, të dua sepse je e ndritshme dhe e errët”. Megjithatë, dashuria ngadhnjen mbi vuajtjet dhe dhembjet sado të mëdha qofshin ato. Ajo është mbretëresha, e gjithmbretërueshmja. Poeti i përballon vuajtjet përmes dashurisë dhe forcës që buron prej saj.
Mes dy mëngjesesh
Sa mote ndërrohen
Sa shi bie
E furi
Vërshon botës sime
E krejt dheun ma merr
Mbes vetëm në gurë
Dhe në gjëmët e mia
(Thellësitë e gurta)
Se u kalla së eturi
Kësaj stine plot vapë
Që s’njomet as me një vjeshtë shi
(Prushi i buzëqeshje)
Akuj pingul
Krijuar prej pika lotësh e dhembjeje
Më varen sysh
(As e shoh si vjen)
Sabiti poet nuk i pohon vuajtjet, po i shqipton përmes tekstit poetik të përftuar me shkathtësi, nga del një kuptimësi e pafund: zjarri i vuajtjeve s’ka mëshirë dhe është i vijueshëm.
Rigon vjeshta nëpër etjet e mia
Rigon e përpush burime të vjetra
Sa shuhet një zjarr
Dhjetëra tjerë zjarrmojnë nëpër dej
Nuk të gjej as në të dielën e lutjeve
(Nëpër etje rigon vjeshtë)
Në vazhdim po radhis disa shembuj që dëshmojnë sa veçantinë, aq dhe pasurinë poetike dhe shumësinë e mundësisë së komunikimit të poezisë së Sabitit. Asnjë tekst i natyrës interpretuese ose sqaruese, nuk mund të thotë më shumë sesa vetë teksti, struktura gjuhësore shprehëse.
Tek ai sy grishës
Tek i ëmbli gji
Ta shmang atë lot
T’mos pikojë mbi mua
(Tek ai sy grishës)
A mund ta ngushëllosh
Nëpër këtë mjegull që m’varet në sy
Me heshtjen e çmendur të vetmisë
(Mjegull që m’varet në sy)
Natën
Nëpër gaca përpushem
Nga ëndrrat
(Dashuri e pamjaftueshme)
Mbrëmja i është varur në sy
Në vetë mbrëmjen ka hyrë
(Mbrëmja e varur në sy)
Dora ime
Zog i ngrirë dëshire
Të të prekë matet
(Zog i ngrirë dëshire)
Në mbyllje të kësaj Parathënie po them se poezia e dashurisë e Sabit Rrustemit e përfshirë në këtë vëllim është dëshmi e mirëfilltë e pasurisë dhe e pjekurisë së poezisë së këtij poeti, po dhe e poezisë sonë. Si e tillë ajo i ka të gjitha vlerat për t’u përballuar edhe kohëve që vinë./rajonipress/
Prishtinë, shtator 2015


