Fundamenti

Çmenduria e diktatorëve

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Nga Fehmi Ajvazi – Në kohën kur përdorimi i armëve kimike ishte dhe mbetet edhe sot nën embargo të fuqishme ndërkombëtare, gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar përdorimi i helmeve ushtarake toksike, gjeti vend në Kosovë.

Aso kohe, veç pasojave pskio-fizike ( njerëzit nuk e kuptonin dhe as nuk e dinin se, çfarë ishte duke ndodhur), agresivitetit politik dhe shtetërorë serb në Kosovë, ishte në kulm. Ishin vitet e nacionalizmit serb dhe të liderit të këtij nacionalizmi, Milosheviq.

Milosheviqi

Në kohën kur përdorimi i armëve kimike ishte dhe mbetet edhe sot nën embargo të fuqishme ndërkombëtare, gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar përdorimi i helmeve ushtarake toksike, gjeti vend në Kosovë.

Aso kohe, veç pasojave psiko-fizike ( njerëzit nuk e kuptonin dhe as nuk e dinin se, çfarë ishte duke ndodhur), agresivitetit politik dhe shtetërorë serb në Kosovë, ishte në kulm. Ishin vitet e nacionalizmit serb dhe të liderit të këtij nacionalizmi, Milosheviq.

Ky, e kishte humbur gjithë arsyen e politikës racionale, respektimin etnik dhe politik të joserbëve, zbatimin e parimeve të shtetit ligjor etj. Fuqia serbe, e përkrahur edhe nga qarqet ndërkombëtare, nuk i justifikonte as parimet natyrore-hyjnore, dhe as ato shoqërore-juridike. Fuqia serbe, e preferonte verbërinë dhe gamën e terrorit të sundimit, të shtypjes dhe pushtimit.

Më 16 mars 1990, strukturat e Sigurimit Shtetëror Serbo-Jugosllav (UDB) dhe të atij ushtarak (KOS), krahas terrorit sistematik në Kosovë, e bënë një veprim tmerrues: hedhjen e helmeve ushtarake toksike nëpër shkollat fillore dhe të mesme shqipe të Kosovës. Në ditën e parë, prova filloi në komunën e Podujevës dhe ditëve në vazhdim, hap pas hapi, në gjithë territorin e Kosovës. Personalisht, kam qenë në Prishtinë (Zona Qendër), në afërsi të Spitalit Qendror, kur ka filluar dyndja e sjelljes së pacientëve (nxënësve) në spital, diku mes orës 9-10 të paraditës. Në cilësinë e gazetarit, i kam parë me sytë e mi në pavijonet e spitalit qindra e qindra nxënës (djem dhe vajza) të prekur nga helmi.

Ishin momente dramatike, të paprovuara ndonjëherë, momente pa koment! Por, pas pak ditësh, mjekët shqiptar konstatuan se, bëhej fjalë për helme toksike. Sipas burimeve që pastaj kanë rrjedhur në opinion, projekti i hedhjes së helmeve ishte planifikuar të bëhej në mesin e studentëve të Universitetit të Prishtinës por, për arsye të përzierjes ndërnacionale, ky projekt ishte zhvendosur të realizohej në mesin e nxënësve, kryesisht nëpër rajonet dhe shkollat etnikisht me përbërje shqiptare. Përdorimi i helmit, vinte edhe pas një tendence të dështuar (pranverë, 1989) për të hedhur xham të bluar në ushqim, në mensën e studentëve të UP-së.

Përgjatë gjithë pjesës së dytë të marsit dhe të prillit, u hodhën helme toksike në dhjetëra shkolla. Ata që e mbajnë në mend këtë ngjarje, ju kujtohet se si në Beograd politika serbe fliste për një “lloj aktrimi politik” të shqiptarëve, nisur nga gjendja e trazuar në Kosovë. Por, u helmuan me mijëra djem e vajza prej të cilëve, pati në ndërkohë edhe të vdekur, pati të atillë që mbetën përgjithmonë me hendikepe, dhe qindra të tjerë u deshtë të shërohen për vite të tëra në klinikat e ndryshme evropiane.

RCCOLA

Paradoksi i kësaj ngjarje tmerruese ishte se, askush nuk besonte në qarqet ndërkombëtare se, diçka e këtillë mund t’ishte e vërtetë, praktike. Qëndrimet politike të Beogradit aso kohe, merreshin si të vërteta. Por pas disa kohësh, ish drejtuesi i “Mjekëve pa kufij”, Bernard Kushner, doli me konstatimin se, ishte hedhur helm ushtarak nëpër shkollat e Kosovës. Ky helm, quhej Sarin (LHL), dhe ishte prodhuar në një fabrikë ushtarake të APJ-së (Armata Popullore e ish Jugosllavisë), në Mostar (Bosnje dhe Hercegovinë).

2. Bashari

Shenjat, janë të njëjta: si ato dikur në Kosovë. Përdorimi i helmeve kimike, është rikthyer sot, pas trembëdhjetë vitesh, në Siri. Diktatori, Bashar al Asad, ditë më parë (21.08.2013), ka përdorur helme kimike ushtarake kundër civilëve në periferi të kryeqytetit të tij, Damask. I ndodhur nën trysninë e rebelimit popullor, Bashari e ka humbur tashmë kontrollin dhe po e vret e po djeg, po e dhunon popullin dhe vendin e tij. Tani, ai po i përdor edhe helmet kimike. Diktatori, i ka hedhur poshtë akuzat. Ai, ka thënë për gazetën e përditshme moskovite, Izvestia, se komentet lidhur me helmet që janë bërë nga politikanët në Perëndim dhe shtete të tjera, janë ofendim ndaj mendimit praktik. “Ato komente janë pa kuptim”, ka thënë ai. Por, dyshimet lidhur me sulmet me helme kimike, i ka theksuar Sekretari i shtetit i SHBA-ve, z. Xhon Keri, i cili ka thënë se, nga helmet kanë pësuar 1.429 persona në lagjet periferike të Damaskut ( Radio B92/ 30.08.2013). Edhe Qemal Poçi, nënkolonel dhe doktor i Shkencave Toksikologji-Veterinari, në një intervistë për të përditshme Dita (29.08.2013, fq. 15, Tiranë), ka vërtetuar se, në Siri, është përdorur gazi helmues-nervor.

“Në Siri, është përdorur grupi i lëndëve helmuese luftarake neuro-paralitike, ose siç quhen ndryshe, gaze nervore. Në bazë të një dokumenti zyrtar të OKB-së në vitin 1969, në armatimin kimik të shteteve kryesore, nga mijëra përbërje lëndësh të studiuara në laborator, kanë qenë 7 lëndë helmuese luftarake. Nga grupi më i fuqishëm i lëndëve neuro-paralitike ka qenë grupi i Sarin V-x, i cili, ka helmueshmëri më të lartë. Helmimi me këto lëndë, është aq i shpejtë dhe aq i rëndë, saqë mjekimi në etapa të ndryshme, është i vështirë. Lidhur me analizën dhe konstatimin e tij, z. Poçi ka shpjeguar se, krahas studimeve që ka kryer në Akademinë e Veterinarisë në Moskë, ka kryer dhe tre specializime: Në Moskë, 12 muaj në vitin 1957, me kinezët në Shqipëri gjatë viteve 1968-1972, si dhe një specializim tjetër në Kinë, në vitin 1971.

“Kam pasur mundësinë të njihem realisht me të gjitha LHL-të. Ndërsa me Sarin-in që është përdorur në Siri, unë kam punuar si specialist për 17 vjet, dhe kam studiuar gjerësisht klinikën e helmimit të kafshëve eksperimentale-bujqësore, profilaksinë, mjekimin specifik, degazimin etj. Madje, për këtë lëndë, kam mbrojtur dhe disertacionin (për Sarinin), dhe kam fituar titullin Doktor i Shkencave. Vetëm me Sarin, kam kryer rreth 1000 eksperimente”, ka thënë nënkoloneli në pension, Qemal Poçi. Ndërkaq, në kontekst me ngjarjen në Damask, diktatori Bashar, ka deklaruar se helmet i kanë hedhur kryengritësit opozitar. Dikur, edhe ish diktatori Milosheviq dhe pushteti i tij, jo vetëm që i hidhnin poshtë akuzat por, në diskreditim ndërkombëtar të shqiptarëve të Kosovës propagandonin se, “shqiptarët në Prishtinë, po aktrojnë”! Duhet kujtuar këtu se, në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, një gjë të këtillë e ka bërë edhe Hafëz el Asadi, babai i Basharit, i cili, e ka sulmuar pakicën Kurde që jeton në veri të vendit me helme kimike, dhe i ka likuiduar me mijëra prej tyre.

Familja Asad, ka rreth katërdhjetë vite që e sundon Sirinë. Sot në Damask, ekziston një klasë totalitare që udhëhiqet nga familja e Asadëve, e cila, ka ndërtuar një sistem politik dhe ushtarak totalitar bizantin, kryesisht mbi bazën e urrejtjes etnike dhe fetare. Për rreth dy vite, ushtria e Basharit e rekrutuar nga Alavitët ndikimi i të cilëve në Siri ka filluar të shtrihet qysh prej vitit 1963, ka shfaqur urrejtje të madhe, urrejtje të pasuar me krime barbare kundër popullit. Pa hyrë në ndarjet e thella kulturo-fetare të sirianëve, ashtu si edhe të ndikimin politik, fetar dhe ushtarak të Rusisë dhe të Irani, është e pajustifikueshme teoria dhe praktika e veprimeve të këtilla.

Në anën tjetër, lufta që e ka kapluar Sirinë, paraqet rrezik të përhapet. Njësoj, siç paraqiste dikur rrezik për rajonin e Ballkanit, kriza e Kosovës. Gjendja e luftës, mund të përhapet në Liban, dhe implikimet mund ta përfshijnë edhe pjesën jug-lindore të Turqisë, Jordaninë, Izraelin etj. Pse? Bashari, ka trashëguar fuqi kolosale ushtarake dhe një infrastrukturë të konsoliduar kriptokomuniste nga partia “Baath” të cilën, sot, e ka konvertuar me kriptoklerikët, me dilerët ekonomikë, me lëvizjet panislamike radikale (Hezbollah), pastaj me rreth 40 mijë familje siriano-ruse, si dhe me mijëra instruktor e agjentë ushtarak nga Irania, Rusia, Koreja Veriore etj.

Bashari, realisht ka nisur të bëhet i rrezikshëm jo vetëm për popullin e tij, por edhe për rajonin. Hija e tij dhe sedra e çmendur diktatoriale për pushtet, duket që s’do ta kursejnë askënd. Prandaj, këtij diktatori të vogël por me sedër të rrezikshme, duhet marrë fuqinë që ka. Pushteti i Basharit, është shndërruar tani në varr të vendit dhe të popullit të tij. Si dikur, pushteti i Milosheviqit. Ky është realiteti…