Çka ndodhi kështu?

Nga Blerim Shala – Lajmi si lajm ishte tronditës. Një i ri 19 vjeçar u vra të dielën, në Vushtrri, nga një moshatar i tij.Nuk diheshin motivet dhe as rrethanat e këtij krimi.
Por kur ky njoftim mori edhe pamjet e fytyrave të dy të rive të cilët u ndanë aq keq me jetën (si ky që vdiq, ashtu edhe ky tjetri që e bëri këtë krim), nisi të merr formë të plotë kjo tragjedi.
Edhe pse me moshë madhore (mbi 18 vjeç), secili prej nesh që i këqyri fytyrat e këtyre të dyve, mund të shihte fëmijë që sapo e kishin kaluar atë pragun e pjekurisë para ligjit.Fëmija e paska vra fëmijën. Këtë e kemi thënë vet me vete.
Tmerr.
Mund të paramendojmë se në çfarë shkalle a niveli do të mbërrinte kjo shastisja e jonë me këtë rast shumë të rëndë, sikur të kishim qenë dëshmitarë, përmes një video-xhirimi (me kamera), të krejt kësaj ngjarjeje. Të shtojmë këtu që nuk ka xhirim të tillë.
Kishin gufuar dhe shpërthyer në atë rast dhjetëra pyetje, në kërkim të kotë të rrjedhës së ngjarjeve në mes këtyre dy të rive që çoi në vrasjen e njërit dhe në rrënimin e jetës për tjetrin, teksa mund vetëm të supozohet se çfarë pasojash do të lë e tëra te të dy familjet.
Në të vërtetë, edhe pa këto pamjet që nuk mund t’i shohim, madje, as pa ato fotografitë të cilat i pamë, secili nga ne mund ta vë veten në situatën e këtyre dy familjeve, të cilat përditë dhe vazhdimisht do të mbeten në atë zonën e habisë së madhe se si kjo ndodhi, dhe se si ishte e mundur që këto pak çaste të kësaj ngjarjeje tragjike, të zënë peng tërë jetën e lume të këtyre dy familjeve.
Çuditërisht për të gjithë ne, kërkimi i shpjegimeve se çka ndodhi në Vushtrri para pak ditëve, mund të merr një përgjigje goxha të qëndrueshme në një seri angleze e cila vetëm pak ditë më parë u emetua në Platformën ‘Netflix’.
Seria ka titullin ‘Adolescence’, ndërsa autorë të saj janë Stephen Graham dhe Jack Thorne.
Nëse dikush mendon që kjo paralele midis një ngjarjeje këtu te dhe një serie angleze është e kotë dhe e gabuar, pas shikimit të kësaj do ta kuptojë dhe do ta pranojë të kundërtën.
Në ‘Adolescence’ një nxënës 13 vjeçar e vret me thikë moshataren e tij.
Shtjellimi i ngjarjes nga autorët e serisë çon udhëve të pashkelura (nëse mund të thuhet kështu), nga dramat televizive të këtij lloji, sepse ky krim na shfaqet si një reflektim i qartë i shoqërisë bashkëkohore angleze, të bërë lëmsh në të gjitha aspektet e mundshme, ku raporti në mes të prindërve dhe fëmijëve të tyre, në mes të fëmijëve dhe shkollës, më në fund, në mes të vetë fëmijëve, ka hyrë në fazën e një çrregullimi të madh, ku pos gjuhës angleze, përfaqësuesit e brezave të ndryshëm nuk kanë të thuash asgjë të përbashkët.
Ata nuk mund ta marrin vesh njeri tjetrin, edhe pse e flasin të njëjtën gjuhë, sepse objektivisht, jetojnë në dy bota të ndryshme, ku në këtë botën e fëmijëve të sotëm, është vështirë të hyhet me metodat klasike të mësuesve, arsimtarëve dhe madje, prindërve.
A nuk është kështu edhe tek ne, në shoqërinë kosovare, e cila për më shumë, është disa fish më e ndërlikuar se sa shoqëria angleze, kur dihet që një çerek më parë ne jemi përballur me një luftë të tmerrshme, (gjurmët e të së cilës ende janë të pranishme ndër ne, në forma të ndryshme), dhe kur të merret parasysh që një Kosovë tjetër gjendet në Evropë dhe në Amerikë.
Ka ‘harxh’ apo përbërës, për moskuptime të gjitha llojeve ndër ne, teksa nëse jo më parë, atëherë që nga viti i parë në liri (në verën e vitit 1999), e këndej, kanë nisur të na bien prej organizimit tonë si shoqëri, hap pas hapi të gjitha modelet e trashëguara gjeneratë pas gjenerate, në rrethanat e njohura politike dhe historike për të gjithë.
Këtë ne nuk e kemi kuptuar as sot e kësaj dite.
Rëndom, në këtë raste të rënda, çfarë ishte ky i Vushtrrisë, në atë klithmën e pafuqisë shfaqet ajo kërkesa për ‘masa urgjente’ të cilat duhet të ndërmerren.
Natyrisht, kush nuk e di se çka janë këto ‘masa urgjente’ dhe kush duhet të merret me to.
Problemi është që gjendja e sotme e shoqërisë kosovare, nuk mund dot të rregullohet pa një përkushtim dhe investim afatgjatë në të gjitha fushat e jetës, e para dhe mbi të gjitha në arsim dhe në kulturë.
Aty ku ne jemi sot keq. Shumë keq./Klan Kosova/