Cilësia në arsim jashtë standardeve – ekspertët: S’mjaftojnë vetëm buxheti, duhen inspektorë për monitorim

Buxheti i këtij viti për arsim është 12% më i lartë sesa i vitit paraprak, por nga njohësit e fushës së arsimit kjo rritje po konsiderohet e pamjaftueshme për ngritjen e nivelit të cilësisë në arsim.

Ata thonë se mësimdhënësit e Kosovës duhet t’i kenë inspektorët profesional të cilët do t’i vizitonin në orë dhe do të vlerësonin punën e tyre në mënyrë profesionale.

Për cilësinë e dobët sipas tyre ka ndikuar politizimi i skajshëm i sistemit të arsimit. Madje sipas tyre përveç rritjes së buxhetit duhet që edhe të inspektohen mësimdhënësit.

Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se që 21 vjet në arsim janë bërë eksperimente duke filluar me një projekt dhe duke e ndërprerë në gjysmë për të vazhduar me një tjetër.“Defekti tek ne është në sistemin arsimor ngaqë qe 21 vite e në shumë janë bërë eksperimente, është filluar me diçka të re e është stopuar në mes, është filluar me diçka tjetër kështu që mësimdhënësit kanë mbetur në mëdyshje ngase janë përgatitur sa kanë mundur për një përvojë të re, është hedhur poshtë ajo, është filluar me diçka tjetër dhe nga paslufta e këndej mësimdhënësit janë stërlodhur me trajnime të cilat i kanë organizuar organizata të ndryshme më shumë për të marr buxhet nga BE-ja dhe të tjerët se sa që janë kujdesur që mësimdhënësit të pajisen me dije që ju duhet për procesin mësimor”.

Duke e cilësuar të domosdoshëm buxhetin për përmirësimin e arsimit në Kosovë Jasharaj tha se shumë shkolla kanë pasur sukses vetëm me donacione dhe pa ndihmesën e shtetit.“Buxheti është ndikues, ne në takime me MAShT-in dhe në tryeza e kemi ngritur si çështje që shteti i Kosovës duhet të ndajë më shumë buxhet për t’i plotësuar dhe ndryshuar kushtet e punës në shkolla tona ngase ende vazhdojnë të kenë mjetet e njëjta të shekullit të kaluar”.“Ka shkolla të cilat kanë ecur para me mjetet e punës jo nga shteti, por nga donacione të tjera, por pjesa më e madhe e zhvillojnë betejën për dije me shkumës dhe shpuzë dhe me tabela, me tekste shkollore të cilat ekspertët e kanë kritikuar, dhe me tekste karshi korikulës e cila ka kërkesa të shekullit XXI, prandaj shteti ynë duhet të ndajë më shumë buxhet që shkollat tona të furnizohen me mjete bashkëkohore të teknologjisë, së paku secila klasë ta ketë një laptopë dhe një projektorë, sepse me këtë metodë të punës edhe mësimet do bëheshin më interesante për nxënësit të cilët janë bërë ekspert në telefona të mençur, por edhe në kompjuter”.

Tutje shtoi se SBAShK-u ka kërkuar që mësimdhënësit të inspektohen nga inspektorët profesional të cilët do t’i vizitonin në orë dhe do të vlerësonin punën e tyre në mënyrë profesionale.“Kemi kërkuar që mësimdhënësit e Kosovës t’i kenë inspektorët profesional të cilët do t’i vizitonin në orë dhe do të vlerësonin punën e tyre në mënyrë profesionale. Kur inspektorët e vërejnë që një mësimdhënës e ka gabuar profesionin le t’jepet një hapësirë kohorë për t’u përmirësuar, nëse ai vazhdon dhe nuk është në nivel të detyrës ne nuk do t’a mbrojmë”.“Mësimdhënësit e tillë që e kanë gabuar dhe nuk e duan profesionin e sistemit arsimor le t’a ndërrojnë. Për ta ditur situatën në arsim inspektorët duhet të shkojnë në klasë dhe të shohin se si po punon. Asnjëherë nuk jemi të kënaqur me cilësinë por me kushte të tilla mësimdhënësit bëjnë të jashtëzakonshmen”.

Ndërsa Rinor Qehaja, drejtor në Institutin EdGuard i tha Ekonomia Online se për reforma në arsim përtej buxhetit duhet që të funksionlizohen mekanizmat e llogaridhënës dhe të përgjegjësisë.Krejt kjo ngase sipas tij, tërë ai buxhet nuk mund të kishte ndikim në rritjen e cilësisë në arsim.

Ai shton se ka nevojë për rifreskim të metodologjisë së mësimdhënies, të eliminohet mësimi mekanik etj.“Për reforma në arsim përtej buxhetit ka kuptim vetëm instalimi i mekanizmave llogaridhënës dhe të përgjegjësisë përgjatë gjitha niveleve përfshirë këtu vetë institucionin e MAShTI-të e deri tek institucioni i shkollës. Në të kundërtën i tërë ai buxhet nuk mund të marr trajtë në përfitim të një cilësie më të rritur të arsimit në mungesë të llogaridhënies. Duhet të instalojmë mekanizma të mirëfilltë që na garantojnë këtë të fundit në mënyrë që përfitimi të jetë drejtpërdrejtë për nxënësin dhe studentin pikë së pari”.“Ne jemi të vetishëm dhe këtë e kanë të qartë edhe vetë komuniteti i mësimdhënësve që ka nevojë për një rifreskim të metodologjive të mësimdhënies, pedagogjia në vendin tonë fatkeqësisht është e memorizuar në mësim vetëm, dhe të mësuarit mekanik dhe kjo duhet të tejkalohet, të investohet më shumë në ngritje të kompetencës dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, për zhvillim dhe zbatim të metodologjive të përditësuara dhe më bashkëkohorë të mësimdhënies dhe përkrahje me mjete didaktike dhe infrastrukturore në mënyrë që këto metodologji të gjejnë zbatim”.

Qehaja faktorë kyç në cilësinë e dobët në arsim e ka konsideruar dështimin në zbatim të formave korikulare.“Ka shumë faktorë që ndikojnë në cilësi jo të mirë të arsimit, mirëpo kyçe është një dështim në zbatim të formave korikulare, një dështim në zbatim të metodologjive të mësimdhënies të bazuar me kompetencë, tekste shkollore jo të mira dhe mbi të gjitha mungesa e një sistemi të mirëfilltë të llogaridhënies”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se ngrija e buxhetit për arsim është një prej parakushteve shumë të rëndësishme në ngritjen e cilësisë.

Por sipas tij, buxheti nuk është faktori i vetëm, duke cilësuar se aplikimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është një prej kushteve që do të ndikonte ndjeshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit.“Ngrija e buxhetit për arsim është një prej parakushteve shumë të rëndësishme në ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit mirëpo nuk është faktori i vetëm. Ndërhyrja duhet të jetë multidimensionale, e përqendruar në përgatitjen, motivimin, ngritjen e shkathtësive të mësimdhënësve dhe stafit tjetër të involvuar në sistemin e arsimit, pastaj vazhdohet me planë programe që janë në përputhshmëri me kohën, por përgjithësisht ndërhyrja duhet të jetë në infrastrukturë, pastaj të punohet në atë që shkolla të bëhet një mjedis i dashur për nxënësit”.“Aplikimi i metodave inovative ku përfshihet aplikimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është një prej kushteve që do të ndikonte ndjeshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit. Rinia jonë janë shumë të përgatitur dhe e duan aplikimin e teknologjisë por ajo diskrepanca që ndodh mes aplikimit të teknologjisë tek të rinjtë dhe aplikimin e saj në fushë të arsimit është mjaft e madhe. Kjo teknologji shfrytëzohet për qëllime argëtuese e shumë pak për qëllime edukative”.Tutje e ka cilësuar se shkaku pse arsimi është në gjendje të rënduar është si pasojë e politizimit të skajshëm të kësaj fushe, raporton EO.

“Kemi një përgjegjësi nga politik bërësit dhe projektet që financohen nga paraja publike të kenë efektin e dëshiruar për çka edhe janë financuar. Një prej arsyeve pse jemi këtu ku jemi është politizimi i skajshëm i arsimit. Pushtetarët dhe partitë politike që kanë qeverisur në fushën e arsimit aspak s janë brengosur në cilësinë e arsimit, ata janë brengosur më tepër se si ti rehatojnë militantët e vet, fëmijët, kushërirë dhe farefisin, si t’i bëjnë profesor dhe doktorë të pa qenë hiq, dhe pastaj aty kemi pasur me të vërtetë procese që individ dhe grupe të caktuara i kanë degraduar dhe sikur se çdo gjë që e ka kapur inflacioni në Kosovë, arsimi mund të themi që është jashtëzakonisht në një gjendje të mjeruar dhe është për të ardhur keq se sa me kap përgjegjësi është punuar dhe është duke u punuar edhe sot që të rinjve tanë të iu ofrojmë arsim cilësor dhe t’i përgatisim ata për tregun e punës por edhe për jetë”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS