RCCOLA

Çfarë po i ndal gratë?

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Princeton- Po qe se “të kesh familje” vazhdon të jetë barrierë në karrierën e grave, por jo edhe të burrave, atëherë edhe kjo ndërlidhet me të drejtat e grave (rrjedhimisht të drejtat e njeriut).

Në debatin global për punën, familjen dhe premtimin për barazi gjinore, asnjë shoqëri nuk është e përjashtuar.

Kur shkrova artikullin për ballinën e numrit të korrikut/ gushtit të revistës “The Atlantic”, të titulluar “Përse gratë ende nuk mund t’i kenë të gjitha”, prita një reagim armiqësor nga shumë gra karrieriste amerikane të gjeneratës sime dhe më të vjetra, ashtu si edhe shumë reagime pozitive prej grave të moshës 25-35 vjet.

Prita që shumë burra të asaj gjenerate më të re po ashtu do të kishin reagime të fuqishme, duke e pasur parasysh se shumica prej tyre ende nuk kanë arritur ta kuptojnë se si të merren me fëmijët, të përkrahin karrierat e grave të tyre dhe të merren me planet që i kanë për veten në të njëjtën kohë.

Po ashtu prita të dëgjoja prej përfaqësuesve të bizneseve rreth asaj nëse zgjidhjet e mia të propozuara – fleksibilitet më të madh në vendet e punës, përfundim të kulturës së maçizmit dhe lejim të prindërve që kanë qenë jashtë fuqisë punëtore apo kanë punuar me gjysmë orari të konkurrojnë për poste të larta posa të hyjnë në treg – ishin të mundshme, apo thjesht vetëm utopi.

Gjëja të cilën nuk e prita ishte shpejtësia dhe shkalla e reagimit – pothuajse një milion lexues brenda një jave, shumë përgjigje të shkruara, ashtu si edhe debate televizive e radiofonike – ashtu si edhe përmasat globale që mori e tërë kjo. Kam bërë intervista me gazetarë në Britani, Gjermani, Norvegji, Indi, Australi, Japoni, Holandë dhe Brazil. Po ashtu, artikuj rreth vështrimit tim janë publikuar në Francë, Irlandë, Itali, Bolivi, Xhamajkë, Vietnam, Izrael, Liban, Kanada dhe shumë shtete të tjera.

Reagimet dallojnë nga shteti në shtet, natyrisht. Në të vërtetë, në shumë mënyra, artikulli është një test rreth asaj se ku ndodhen shtetet e caktuara në rrugën e evolucionit drejt barazisë së plotë të burrave dhe grave. India dhe Britania, për shembull, kanë pasur kryeministre me ndikim, Indira Gandhin dhe Margaret Thatcherin, por tani duhet të merren me tipin e suksesit femëror “gruaja si burrë”.

Shtetet skandinave e dinë se gratë nëpër botë i shohin ato si pioniere të politikave sociale dhe ekonomike, të cilat u mundësojnë grave të jenë nëna dhe profesioniste të suksesshme, duke i inkurajuar dhe duke pritur që burrat të luajnë një rol të barabartë në rritjen e fëmijëve. Por, këto shtete nuk po japin mjaft menaxhere të nivelit të lartë në sektorin privat si në SHBA, për shembull.

Gjendja në Gjermani është edhe më kundërthënëse. Një revistë e madhe gjermane vendosi që kontributin tim në debat ta përcaktonte në formën “karrieristja e pranon që është më mirë të rrish në shtëpi”. Një tjetër e vuri theksin në deklaratën time për ndryshime të thella sociale dhe ekonomike, në mënyrë që gratë të kenë zgjidhje të barabarta.

Francezët mbesin më të ftohtë, madje edhe pak mospërfillës, ashtu si i ka hije një shteti që hedh poshtë “feminizmin”, duke e quajtur krijim amerikan, por që në të njëjtën kohë janë në gjendje ta japin një grua të kompletuar dhe elegante si Christine Lagarde, drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Natyrisht se shembulli i pararendësit të saj, Dominique Strauss-Kahn, dhe rrëfimet e tjera për sjelljen e burrave francezë do të llogariteshin si keqtrajtim i qartë seksual në SHBA, gjë që sugjeron se edhe njëfarë feminizmi i tipit francez nuk prish punë.

Mobi Casa

Përtej Evropës, gratë japoneze ankohen se si ende duhet të ecin përpara në një kulturë që përkrah burrat. Kinezët tani kanë një gjeneratë të të rejave të arsimuara dhe me ndikim, të cilat ende nuk kanë vendosur nëse duan të martohen, për shkak të kufizimit të lirive që do t’i imponoheshin nga bashkëshorti (dhe vjehrra).

Gratë braziliane e përmendin me krenari presidenten e tyre, Dilma Rousseff, por në të njëjtën kohë tregojnë se diskriminimi nuk është eliminuar. Në Australi, ku zhvillohet një debat strikt jetë-punë, gratë e vënë theksin tek sukseset e Julia Gillard, kryeministres së parë grua, por theksojnë se ajo nuk ka fëmijë (ashtu si edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, gruaja e parë në krye të Gjermanisë).

Vetë natyra globale e debatit i shfaq të paktën tri leksione të rëndësishme. Së pari, po qe se “fuqia e butë” nënkupton të ushtrosh ndikim për shkak se “të tjerët duan që ti të duash”, siç shkruan Joseph Nye, atëherë gratë e tërë botës e duan atë për të cilën feministet amerikane filluan të luftonin rreth tri gjenerata më parë.

Së dyti, nuk është befasi se amerikanet kanë shumëçka për të mësuar nga debatet, ligjet dhe normat kulturore të shteteve të tjera. Edhe ashtu, gratë kanë mbërritur poste më të larta politike në shumë shtete të tjera, sesa në SHBA. Në të vërtetë SHBA-ja kurrë nuk ka pasur presidente grua, udhëheqëse të shumicës në Senat, sekretare të Thesarit dhe sekretare të Mbrojtjes.

Në fund, këto nuk janë “çështje grash”, por probleme sociale dhe ekonomike. Shoqëritë që zbulojnë si të përdoret arsimimi dhe talenti i gjysmës së popullatës së tyre, duke lejuar gratë dhe partnerët e tyre të investojnë në familje, do të kenë përparësi konkurruese në një ekonomi që mbështetet në njohuri dhe novacion.

Natyrisht se qindra miliona gra në botë do të dëshironin t’i kishin vetëm problemet për të cilat shkrova. Java e kaluar solli lajmin për vrasjen e një aktivisteje për mbrojtjen e të drejtave të grave në Pakistan; dëshmi të reja se ushtria egjiptiane po përdor qëllimisht dhunimet, për t’i penguar gratë të marrin pjesë në demonstratat në sheshin ‘Tahrir’; raportin e tmerrshëm nga “Women’s Media Center” e New Yorkut rreth përdorimit të dhunës seksuale nga forcat qeveritare siriane dhe dhunimet në grup; ashtu si edhe incizimin e një komandanti taleban duke e ekzekutuar brutalisht një grua për tradhti, derisa bashkëluftëtarët e tij dhe fshatarët po kremtonin.

Këto janë vetëm rastet më ekstreme të dhunës fizike me të cilën përballen shumë gra. Në mbarë botën, më shumë se një miliard gra përballen me diskriminimin në arsim, kujdes shëndetësor dhe paga.

Të drejtat e grave janë problem botëror i rëndësisë më të lartë dhe për këtë arsye është e domosdoshme që të përqendrohemi tek shkeljet më të rënda.

Megjithatë, ta marrim parasysh një raport faktik nga një revistë e respektuar amerikane. Në një artikull për “Gratë në Washington”, gazeta “National Journal” vërejti se gratë në kryeqytetin amerikan kanë bërë një rrugë të gjatë përpara, por “ende përballen me barriera në karrierë dhe shpesh më e madhja është familja”.

Po qe se “të kesh familje” vazhdon të jetë barrierë në karrierën e grave, por jo edhe të burrave, atëherë edhe kjo ndërlidhet me të drejtat e grave (rrjedhimisht të drejtat e njeriut). Në debatin global për punën, familjen dhe premtimin për barazi gjinore, asnjë shoqëri nuk është e përjashtuar.

(Autorja, ish-drejtoreshë e planifikimit politik në Departamentin amerikan të Shtetit (2009-2011) është profesoreshë e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)