Eko Higjiena

Bojkotimi ose një tregim nga jeta e vërtetë (tregim)

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nuhi Ismajli – Kur ishte regjistruar, me të kishte qenë edhe babai. Ai, ndonëse vuante për mjaft kohë dhe ishte dobësuar bukur shumë, atë ditë kishte fituar një forcë të pakuptueshme dhe po ecte, sikur të mos kishte qenë kurrë i sëmurë. Luli i vocërr, tani, për të, ishte rritur. Ai po regjistrohej në klasën e parë. Duke ndjerë një keqardhje, se, disi, ai kurrë nuk kishte arritur t’ia siguronte do kushte, të cilat, të tjerët, ua ofronin fëmijëve të vet, ai po shihte rritjen e pandalshme të Lulit të vocërr, me një bindje se nuk ka kush që e ndal.

Ditën e parë në shkollë, Lulin e vocërr e shoqëroi vetëm nëna. Babai nuk ishte më. Shoqërimi me nënën për në shkollë, e bënte Lulin e vocërr të mos ndjente asnjë lloj mungese, veçmas pas atyre ditëve vetmie, kur ai ishte mësuar të rrinte vetëm, derisa nëna detyrohej ta linte vetëm në banesë, kurse vetë ajo të dilte e të kërkonte punë. Luli i vocërr ndjehej edhe vetë si i rritur dhe, disi, i dukej se edhe vetë do të shkonte në shkollë e se nuk do të kishte nevojë për ta shoqëruar kush. Edhe kështu, një ditë, i tha nënës: Nënë, shko ti në punë, se unë do të shkoj vetë në shkollë.

Do të të përcjell edhe ndonjë ditë, i tha nëna, edhe pse puna që ma ka gjetur enti nuk më lejon të dal në kohën e vajtjes sate në shkollë. Atë punë nuk guxojmë ta humbin Lul, i tha nëna, se mezi arritëm ta gjejmë, me ndihmën e atyre njerëzve të mirë.

Luli i vocërr, si i pjekur nga vetë jeta, vetë nisej për shkollë dhe vetë shkonte, derisa fëmijët tjerë, si i shihte për çdo ditë, përcilleshin nga njëri e, shpesh, edhe nga të dy prindërit. Kështu, Luli i vocërr, për çdo ditë, pasi hante bukën e blerë, që shitej me çmimin më të lirë, si bukë e moçmuar, nisej e shkonte në shkollë me një krenari e optimizëm të pafshehur, nga bindja se po bënte vetë diç të rëndësishme, të cilën e bëjnë vetëm njerëzit e rritur.

Librat Luli i vocërr i kishte. Ato i kishte njësoj, si gjithë fëmijët e klasës. Ia kishte dhënë shkolla. Çantën ia kishte dhënë djali i fqinjit të parë, Dritani, që kishte dalë në klasën e dytë dhe kishte blerë edhe një çantë të re.

Nga librat, po edhe nga çanta, Luli i vocërr nuk po vërente se po dallonte nga shokët dhe shoqet e klasës. Por, sa i përket veshjes, Luli i vocërr kishte vërejtur një dallim të madh. Shokët dhe shoqet e klasës po visheshin me rroba të reja dhe shumë të bukura, sa atij i pëlqente t’i shikonte shumë. I pëlqente Lulit të vocërr t’i shihte sesi dukeshin të larë e të krehur bukur. Ata dhe ato po shkëlqenin. As Luli i vocërr nuk ishte i papastër, po ai po vërente se nuk po shkëlqente dot si ata dhe ato.

Luli i vocërr, i cili, gjithnjë e më shumë, po vërente dallime ndërmjet tij dhe shokëve e shoqeve të klasës, më së vështiri e kishte në kohën e pushimit të gjatë, atëherë kur nxënësit e klasës po nxirrnin nga çantat e tyre lloj-lloj gjërash për të ngrënë. Atë kohë, po ta pyeste dikush, ai do ta hiqte krejt dhe nuk do të linte fare pushim. Pse, çka të bënte ai në atë çast? Çka të nxirte nga çanta, kur ndodhte që, ndonjë ditë, ishte nisur edhe pa bukë për në shkollë?! Ku t’i çonte sytë, në çastin kur të tjerët do të hanin e do të pinin?! Si të vepronte, Luli i vocërr këtë nuk e dinte. Nuk ishte mësuar me një gjendje të tillë. Vërtet, çka të bëntë që të shpëtonte nga kjo torturë?! Kjo ishte çështja, për të cilën Luli i vocërr nuk gjente dot përgjigje.

Por çështja që e torturonte Lulin e vocërr, në mënyrë të pakuptueshme, një ditë u bë edhe më e vështirë, si thuhet, u bë një absurd i vërtetë, në rastin kur shoku i bankës, D., kishte lënë disa simite në bankë dhe, në vend se t’i hante, po vraponte e luante me fëmijët. Luli i vocërr, që rrinte në bankë i hutuar nga hareja e fëmijëve, të cilët dukej se nuk kishin asnjë brengë sado të vogël të kësaj bote, disa herë shikoi simitet, që nuk po i hante kush. Ato, simitet në bankë, që nuk po i hante kush, në të vërtetë, po e tërhiqnin shumë shikimin e Lulit të vocërr Ani, ajo koreja e tyre, me ngjyrën e kuqërremtë, që dukej aq e bukur, sa e shijshme mund të jetë për një gojë fëmije, dhe të uritur! Mund ta marrim me mend, ndoshta, sesa e shijshme mund të jetë ajo që na ndalohet ta hamë. Aq më tepër edhe në çastet e urisë.

Simitet po lëshonin një erë të këndshme. Spontanisht, Luli i vocërr zgjati dorën dhe preku një nga ato. Ishte e butë dhe e lëmuar. Si do të jetë po ta haja?!, mendoi Luli i vocërr, pastaj mori simiten që e preku më parë dhe e kafshoi. Ndjeu një shije që nuk e kishte provuar ndonjëherë. Por, nuk guxoi ta kafshonte për së dyti. Luli i vocërr ndjeu fajin se mori dhe kafshoi atë që nuk ishte e tij. Zgjati dorën dhe e la simiten në bankë.

Pas pak, kur pushimi përfundoi, D. u kthye në bankën e tij. Ai njëherë nuk e vërejti simiten e ngrënë, por në çastin kur atë e vërejti, bërtiti me zë të lartë, që të dëgjonte e tërë klasa: Kush ma ka kafshuar simiten?! Kush ma ka kafshuar simten?

Nxënësit qeshnin, kurse D. revoltohej gjithnjë e më shumë. Luli i vocërr, po të mund ta zhbënte atë që kishte bërë, pak më parë, do të pranonte t’i nënshtrohej çfarëdo dënimi e çfarëdo vuajtjeje. Po, si ta zhbënte atë që tashmë ishte bërë?!

D., i tha ai shokut të bankës, unë e bëra këtë! U mashtrova! Unë e bëra…!

Mobi Casa

Dikush, e kishte njoftuar mësuesen, për simiten e kafshuar, pa ardhur ende në klasë.

Mësuesja në klasë hyri me revoltën që i vërehej gjithkund: në fytyrë, në sy, në ecje, fjalë…Ishte revoltuar mësuesja, tepër, sikur të kishte ndodhur ndonjë gjë tepër e panjerëzishme, në mesin e të rriturve!

Nxënësit, të ulur nëpër vendet e tyre, tërë sy e veshë, po e dëgjonin mësuesen e tyre. Luli i vocërr, tha ajo, ka bërë një vepër të keqe, të cilën duhet dënuar rëndë. Ne do ta dënojmë bashkërisht. Do t’ia japim një dënim meritor, për veprën e tij të keqe. Dënimi është ky: askush prej nesh nuk do t’i flasë, për asgjë. Për ne do të jetë sikur nuk ekziston. Nuk na duhet ky asgjë…! Fjala e mësueses!

Një muaj të tërë Luli i vocërr kaloi i vetmuar, pa iu drejtuar kush për asgjë. Asnjë shok. Asnjë shoqe e klasës. As mësuesja. As mësuesja! Luli i vocërr shkonte në shkollë, po kalonte e tërë dita pa folur një fjalë më dikë. Kaloi edhe muaji kështu, pa një fjalë. Askush nuk “gabonte” t’i fliste Lulit të vocërr. Të gjithë me një mendje. Sa çudi, të gjithë me një mendje! Me ta edhe mësuesja! Apo: ata me një mendje me mësuesen! (Oh, mjerim!)

Luli i vocërr ishte vetëm. Edhe i vogël. I vetëm dhe i vogël, po i fortë. Nganjëherë dukej si një njeri me shumë përvojë e i fortë, sa çdo të keqeje do t’i përgjigjej si një shkrimtar i madh: Mirëdita, pikëllim! I fortë po, në fillim, po, sa më shumë që po kalonte koha, Luli i vocërr ndjehej gjithnjë e më i dobët. Pesha e vetmisë së madhe, që ia kishin krijuar të tjerët mjeshtërisht, me zemërvogëlsinë e tyre, ishte sa një kodër për vogëlsinë e tij. Kur u bë një muaj dhe askush nuk po “gabonte” t’i fliste, Luli i vocërr u ndje tepër i dobët dhe aq i pafuqishëm sa nuk kishte forcë të nisej më për shkollë.

Prandaj, në kohën kur duhej të nisej për shkollë, ai fshehtazi, nga dritarja, i shikonte të tjerët që shkonin në shkollë, duke lënë prapa zërat e bukur kumbues të tyre, si cicërrimat e zogjve të bukur në fluturim. Pastaj, qante. Qante, sa donte, sepse ishte vetëm në shtëpi. Nëna po e mbante punën. Pa atë punë nuk do të kishin as banesë, për të cilën, çdo muaj, që në fillim, do të duhej t’i paguhej pronarit.

Një ditë, nëna, kishte dalë nga puna dhe kishte shkuar në shkollë të shikonte sesi i kishte punët Luli i vocërr. Nëna ishte tmerruar kur kishte kuptuar se Luli i vocërr nuk po vijonte mësimin.

Mësuesja e kishte qortuar nënën për gabimin e Lulit të vocërr. Fëmijë i paedukuar!, i kishte thënë ajo nënës. Fëmijë pa edukatë! Nëna, duke parë revoltën e mësueses, nuk kishte provuar të arsyetohej para saj. Puna ishte serioze, prandaj kishte menduar t’i drejtohej me një lutje vetë drejtorit të shkollës.

A, “zonjë e nderuar”!, kishte folur me ironi drejtori, posa kishte kuptuat se për çfarë ishte fjala. Djali juaj është treguar i pasjellshëm, prandaj e kanë dënuar me të drejtë!
Pajtohem, kishte thënë nëna, se djali im nuk është sjellë mirë, ka bërë një gjest të keq, por…

Drejtori ishte treguar i padurueshëm, prandaj e kishte mbyllur bisedën, duke i treguar me gisht derën dhe duke i thënë se jeni treguar të pasjellshëm e se vetë e keni fajin!
Nëna kishte kërkuar një shpëtim në drejtorinë arsimore. Ata janë të arsyeshëm, do të më kuptojnë, kishte menduar ajo. Në fillim, ajo takoi një psikolog, i cili i tha se asgjë nuk bën pa një rekomandim nga të mëdhenjtë!

Pastaj, drejtori, vetë, që mbahej, jo veç si një burrë, po edhe si një kuadër arsimi katërqind dërhem, ndonëse flitej se nuk kishte më tepër se një gradë mësuesi, të ciklit të ulët, i tha, pa e pritur fare t’i tregonte, se përse kishte ardhur: shko bisedo me mësuesen!
…?!
Nëna u kthye në shtëpi, në vend se në punë. Kishte harruar nga duhej të shkonte.

Luli i vocërr, me gishtin tregues të dorës së djathtë, po vizatonte një simite mbi rërën që kishte sjellë shiu i rrëmbimshëm, si një breshër…

*Tregim për fëmijë, të cilin duhet ta lexojë mësuesja, dhe prindërit!