Mobi Casa

Bie interesimi për privatizim

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Interesimi i investitorëve të huaj dhe atyre vendorë për të marrë pjesë në privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH) në Kosovë çdo ditë e më shumë është duke pësuar rënie. Derisa kohë më parë për një ndërmarrje kishte deri në dhjetëra oferta, aktualisht për pjesën dërmuese të ndërmarrjeve të hedhura në shitje në valët e fundit të privatizimit nuk ka asnjë ofertë. Por, edhe për ato që ka oferta, çmimi i ofruar në të shumtën e rasteve është disa herë më i vogël se sa është çmimi i tregut, shkruan gazeta “Zëri”.

Në valën e 58 të privatizimit Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hedhur në shitje 23 ndërmarrje shoqërore, ku për nëntë ndërmarrje nuk ka pasur asnjë ofertë. Në këtë valë AKP-ja ka shitur 26 hektarë tokë në fshatin Shushicë të komunës së Graçanicës. Për këtë sipërfaqe të tokës AKP-ja ka shpallur fitues ofertuesin “P46” i cili ka ofruar një çmim prej 312 mijë e 550 euro, ku një ari tokë i bie të jetë shitur për 120 euro.

Po ashtu, në këtë fshat AKP-ja ka shitur edhe një sipërfaqe tjetër prej 98 hektarësh tokë pronë shoqërore, ku për këtë ofertuesi me shifër P60 ka ofruar çmim prej 1.1 milionë euro. Në bazë të një përllogaritje del se çmimi i një metër katror tokë është shitur për rreth 1 euro e 10 centë. Po ashtu, mungesa e investitorëve është vërejtur edhe në valën e 20 të shitjes së ndërmarrjeve përmes procesit të likuidimit, ku për një pjesë dërmuese të ndërmarrjeve nuk ka pasur asnjë ofertues. Përmes këtij procesi AKP-ja ka shitur rreth 8 hektarë tokë në fshatin Miradi të Fushë Kosovës, ku oferta me çmim më të lartë ka qenë ajo e ofertuesit L83 me 99 mijë euro. Ndërkaq për më shumë se 20 ndërmarrje tjera që kanë qenë në këtë valë nuk ka pasur interesim fare, pasi që për to nuk është dorëzuar asnjë ofertë.

Fundamenti

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) e konfirmojnë se numri i investitorëve është duke rënë çdo ditë e më shumë. Drejtori i AKP-së Shkelzen Lluka thotë se kohëve të fundit ka më pak investitorë për dy arsye. “ Bizneset nuk po kanë para për t’i futur në privatizim, por edhe ndërmarrjet atraktive janë shitur më herët. Tash kanë mbetur ndërmarrje më të vogla që nuk janë shumë në interes të biznesmenëve për t’i privatizuar ato”, tha ai.

Në anën tjetër, njohës të rrethanave ekonomike në vend procesin e privatizimit e konsiderojnë si plotësisht të dështuar. Sipas tyre, procesi i privatizimit në vend nuk ka prodhuar vende të reja pune, e zhvillim ekonomik, por ka sjellë papunësi e stagnim ekonomik.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se procesi i privatizimit është aq i diskredituar sa që as një investitor serioz nuk futet në të. “Për më shumë, historiku i agjencisë që e bën privatizimin ketë dekadë është i thershëm e kriminal. Vetëm historiku i drejtorëve të këtij agjencioni është tregues i mjaftueshëm për ketë institucion”, ka thënë ai.