Fundamenti

Beqiri kërkon nga Beogradi të heq dorë nga diskriminimi i gjuhës shqipe në Luginë!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Bujanoc – Këshilli Kombëtar Shqiptar duke u mbështetur në kompetencat e veta i ka dërguar të gjitha institucioneve si lokale, rajonale ashtu edhe ato republikane në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kërkesën për nivelin e përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip, njofton “Presheva Jonë” duke ju referuar një kumtese nga Bujanoci, nënshkruar nga kryetari i KKSH-së , Galip Beqiri.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është një nga të drejtat kryesore të cilën e gëzojnë shqiptarët në tri komunat lartpërmendura. Kjo e drejtë nga aspektet e ndryshme është bërë e drejtë kushtetuese. E drejta për përdorimin e gjuhës është edhe standard ndërkombëtar dhe e obligon Republikën e Serbisë në planin ndërkombëtar, për shkak të karakterit obligues të Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, Kartës Evropiane për të drejtat rajonale dhe të pakicave. Gjithashtu kjo e drejtë është rregulluar me ligjet e ndryshme, në mesin e të cilave dy janë vendimtare: Ligji për pakicat kombëtare dhe Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.

Të gjitha institucionet dhe organizatat iu janë përgjigjur pas kërkesës së Këshilli Kombëtar Shqiptar përveç komunës së Preshevës dhe Bujanocit të cilat i janë përgjigjur pas ankimimit të KKSH në Mbrojtësin e Qytetarëve (Ombusmanin).

Komisioni për përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në mbledhjen e fundit ka konstatuar se përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip është në nivele të ulta dhe të mjerueshme. Ndër institucionet që shkelin ligjin mbi përdorimin zyrtarë gjuhës dhe shkrimit anë institucione Republikane. Është evidente se ato institucione që kanë selinë në Beograd janë edhe mohuesit më të mëdhenj të komunikimit në gjuhën shqipe qoftë oral qoftë me shkrim. Por njëkohësisht duhet nënvizuar se as për së afërmi nuk kënaqin standarde as komunat që udhëhiqen nga vetë shqiptarët. Në komunat e Preshevës dhe Bujanocit ka 2, respektivisht 3 përkthyes shqip-serbisht dhe anasjelltas që në raport me lëndët që kanë për të përkthyer nuk përmbushin as standardet minimale dhe ka mungesë të përkthyesve profesional.

UBT

Gjithashtu edhe institucionet e gjykatave dhe policisë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë në një gjendje të mjerueshme. Të parët kanë siguruar përkthyes por jo edhe udhëheqja e procedurave gjyqësore ndërkaq të dytë as që kanë paraparë që në sistematizimin e vendeve të punës së policisë nuk janë paraparë përkthyes. KKSH ka reaguar dhe ka ankimuar për një gjendje të tillë dhe do të kërkoj me ngulmë zbatimin e ligjit edhe në nivel të rrethit Pçinjës, nga se një drejtë të tillë e sigurojnë ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare.

Komisioni për përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip nënvizon se deri më tani organet e Këshillit Kombëtar Shqiptar kanë deponuar më se 50 ankesa dhe janë në procedura të ndryshme të ankimimit nëpërmes Ombusmanit.

Gjithashtu vlen të theksohet se kanë arrit edhe rezultatet nga ankimimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme rreth zbatimit dhe përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqipe si në shërbime, komunikim të drejtpërdrejt dhe procedurat e caktuara.