Leme Xhema, gruaja lidere që po ringjall Medvegjën dhe Luginën
Gjilan – Që nga momenti kur u angazhua në Komunën e Medvegjës, Leme Xhema ka shënuar një prani të fuqishme në jetën e komunitetit lokal. Ajo po dëshmon se është një lider i vërtetë i Luginës, një grua me vizion, guxim dhe pasion, që i jep zemër, vullnet dhe shpresë çdo shqiptari të vendosur të jetojë dhe të qëndrojë në trojet e tij.
Emri i saj është i njohur në mbarë Kosovën. Ish-drejtoresha e suksesshme e PTK-së, pavarësisht përpjekjeve për ta larguar nga skena politike, gjeti fuqinë dhe vendosmërinë për të u kthyer në vendlindjen e saj dhe për t’i shërbyer komunitetit në Medvegjë.
Që nga ardhja e saj, jeta në Medvegjë ka filluar të gjallërohet në çdo dimension: kultura, sporti, politika dhe iniciativat lokale po lulëzojnë. Leme Xhema është gjithmonë në krye të çdo aktiviteti rinor, kulturor apo politik, duke dëshmuar lidershipin dhe përkushtimin e saj.
Modestia dhe përkushtimi i saj janë po aq të dukshme sa energjia që sjell.
“Jam kthyer për të ndihmuar dhe përkrahur popullatën e Medvegjës. Jam shumë falënderuese për pritjen ngrohtë që kam gjetur këtu dhe po mundohem të jap maksimumin për këtë pjesë të izoluar të Luginës,” ka deklaruar ajo për RajoniPress.
Leme Xhema i jep zemër familjeve shqiptare të mbetura në Medvegjë: “Do të jem përherë e pranishme pranë popullit tonë. Ata meritojnë përkrahje, sepse janë njerëz të vendosur që të mos braktisin trojet e tyre. Të gjitha kontaktet e mia me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi i bëj për interes të shqiptarëve të Medvegjës, duke mobilizuar të gjitha institucionet ku ata udhëheqin për të ofruar mbështetje konkrete.”
Puna e saj nuk është vetëm simbolike. Përmes kontakteve dhe veprimeve konkrete, Leme Xhema ka kthyer vëmendjen kombëtare dhe rajonale tek fshatrat e braktisura të Medvegjës. Si një ambasadore e Luginës, ajo frymëzon shpresë dhe rikthen besimin se ky vend mund të jetojë dhe të lulëzojë përsëri.
“Unë tashmë jetoj këtu dhe jam mishëruar me çdo pëllëmbë të Medvegjës. Sot, patriotizmi është të duash atdheun dhe të kujdesesh për varret, tokat, fushat dhe shtëpitë e të parëve tanë,” shprehet ajo, duke theksuar përkushtimin e saj të palëkundur ndaj komunitetit dhe identitetit kombëtar.
Autoriteti i saj në Medvegjë është i jashtëzakonshëm, veçanërisht në mbrojtjen dhe përkujdesjen për familjet më të cenueshme.
“Po bëj gjithçka që të ruajmë si sytë e ballit ato pak familje që na kanë mbetur dhe t’i bëjmë të besojnë se një ditë do të bëhet mirë. Presioni është i madh, por ne nuk duhet të gjunjëzohemi. Përkundrazi, duhet të mobilizohemi edhe më shumë,” përfundon Leme Xhema.
Në zemrën e Luginës, Leme Xhema është simbol i guximit, përkushtimit dhe lidershipit të vërtetë, një grua që po ringjall shpresën dhe jetën në Medvegjë./rajonipress/



