Dy shtetase të Serbisë hynë ilegalisht në Kosovë, ndalohen nga policia në Dobërçan
Gjilan – Dy shtetase të Serbisë janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës, duke shmangur vendkalimet zyrtare kufitare.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur të premten, më 24 korrik 2026, rreth orës 10:10, në rrugën Stublinë në fshatin Dobërçan të Gjilanit. Gjatë një kontrolli rutinë, policia ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, ku pas verifikimit të dokumentacionit është konstatuar se drejtuesja e automjetit dhe pasagjerja, të dyja shtetase të Serbisë, kishin hyrë në Kosovë përmes rrugëve dytësore, jashtë vendkalimeve kufitare, duke kaluar ilegalisht nga territori i Serbisë.
Të dyshuarat janë intervistuar nga organet kompetente, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në procedurë të shpejtë para gjykatës.
Policia e Kosovës ka vazhduar procedurat ligjore për rastin, ndërsa hetimet lidhur me rrethanat e hyrjes së paligjshme janë në zhvillim./rajonipress/


