Beqa i madh ose njeriu i letrave shqipe sot kishte ditëlindjen

Gjilan – Sabit Rrustemi nga Ars Club “Beqir Musliu” ka thënë se Beqir Musliu do të jetë i pranishëm kudo dhe kurdoherë sepse veprat e tij janë të pavdekshme. Rrustemi ka thënë se monografia më e mirë e Gjilanit gjendet në shkrimet e Beqir Musliut.
Edhe, Musa Sabedini kryetar i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, ka thënë se ky klub me plotë krenari dhe në mënyrë dinjitoze ka arritur që për më tepër se 10 vite ta bartë në kontestin më pozitiv emrin e krijuesit më të madh të letrave shqipe.
Sabedini ka shtuar se institucionet duhet të zgjohen nga gjumi dhe më seriozisht ta trajtojnë tërë atë kontribut që “Beqa i madh” e ka dhënë për letërsinë shqipe e në veçanti për rajonin e Anamoravës.
Ndryshe, shkrimtari Beqir Musliu ka lindur më 11 qershor të vitit 1945 dhe ka vdekur më 24 qershor 1996. Ai është prezantuar thuaja në të gjitha antologjitë e shkrimtarëve shqiptarë të kohës së tij e më vonë. Punimet e tij janë përkthyer në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, italiane, arabe, gjermane, hungareze, rumune, turke, sllovake, maqedonase, sllovene, serbe dhe kroate.
Edhe pse në ditëlindjen e tij nuk pati ndonjë aktivitet për shkak të shumë rrethanave Sabit Rrustemi të gjithëve na ka kujtuar e përkujtuar këtë emër të madh të letrave shqipe në ditëlindjen e tij të 68-të me dy poezi.
Beqir MUSLIU
IMAZHI I PARË
I rrethuar nga çdo gjë që s’është në këtë ditë
Përbirohet fare i pavërejtur
Midis sheshit e mbathin këmbët e zbathura
Të atyre që asnjëherë s’e hetuan rrethimin
As aromën e trëndafilave që zihet ngadalë
Derisa majave të gishtave merr gjuhë lulëzimi
Mrekullitë hyjnë ta nxjerrin nga kornizat që s’e ka
Të cilën s’di përse nuk e ka Ose e ka përse s’di
Derisa matet me butësitë e veta të gurëzuara
Të cilat edhe në vete ka mundur t’i vrasë
Në shuplakë i zbret dielli i zënë në kornizë rob
Për t’i ulur Orët e vona që kurdisin bukurinë
Sa thahet blerimi i murmë në fytyrën time
Shirat e kthejnë verdhomë në mua kur zgjohem
Të krijoj ngjyrën për të mbaruar imazhin
Në të cilin balta ka zënë t’i çelë zogjtë magjikë
E të vërshojë qytetin që e kam vetëm në shuplakë
T’i fus në vargonj mbretëritë e zgjebosura në Fushë
Kur fare i pavërejtur përbirohet përmes syve të mi
Nga çdo gjë që s’është në këtë ditë të rrethuar.
METAFIZIKA E PRISHTINËS
Ky qytet shtrihet në ëndërr si të ish
I vërtetë e në Gazi-Mestan humbi qetësia
Anatema A
Është trilluar edhe një udhëtim në shuplakë
Në maje të gjuhës na ka zbritur bukuri
Prapa na kanë ndjekur njëmijë e një mrekulli
Asgjë s’mund të marrësh më tepër se ç’ke
Edhe një farë të është mbjellë ndër grushta
Deri në verë balsamin e mban nën sqetulla
Nëpër këtë portë u përbiruan edhe engjujt
Që i shpikëm në hyrje për të na ruajtur O
Nga trëndafilat që i kemi gjuhë e na flasin
Edhe mbi të gjitha magjitë që na dëbuan
Është trilluar një udhëtim i ri në shuplakë./rajonipress/