Bejtullah Mujaj – një jetë kushtuar arsimit (1929- 2015)

/ 13 minuta lexim

Nga Xhavit Kryeziu – Mësuesi Bejtullah, është mësuesi i parë në shkollën e Poliçkës, punoi më se 42 vjet drejtpërdrejt në procesin edukativo-arsimor, për angazhim në punë dhe sukseset e arritura u shpërblye me shumë mirënjohje e dekorata e në mesin e tyre edhe me Dekoratë nga Presidenca e Kosovës. Nga nxënësit e tij kanë dalë shumë mësues, prandaj e quajnë edhe mësuesi i mësuesve. Që nga vitet e `90 udhëhoqi Shoqatën e Veteranëve të Arsimit për Komunën e Kamenicës.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore gjendja e arsimit, sikur në tërë Kosovën, ashtu edhe në komunën e Dardanës (ish Kamenicës), ishte shumë e pavolitshme, ku mbi 90% e popullatës ishin analfabet, ndërsa tek gjinia femërore thuajse kjo shkallë e analfabetizmit ishte qind për qind, prandaj ishte imperativ i kohës arsimimi si njëra ndër detyrat shoqërore parësore. Kështu që edhe në këtë komunë, nga viti 1945 nis trendi i rritjes së numrit të shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Po për të themeluar dhe funksionuar shkollat duhej siguruar shumë parakushte e ndër ato ishte kuadri mësimor i duhur. Për këtë qëllim, në vitin shkollor 1947/48, në nivelin e kësaj komune u organizua dhe u mbajt një seminar njëjavor për mësuesit fillestarë, në të cilin ishin përfshirë personat që kishin mbaruar shkollë fillore, ose të paktën, ata që dinin shkrim-lexim.

Vijuesve të seminarit iu patën lëshuar vendimet më 28. II. 1948 se pas mbarimit të seminarit do të pranohen në detyrën e mësuesit. Vendimi për Bejtullah Mujën mban numrin 5576, i shkruar me shkronja çirilike dhe kryeqytet i Kosovës ishte atëherë Prizreni. Seminari u mbajt në shkollën fillore të katundit Topanicë, nga 1-6 mars 1948. Aty punonte në detyrën e mësueses Nazmije Kastrati nga Karaçeva e Epërme dhe ajo ishte mësuesja e parë shqiptare në këtë komunë e cila publikisht hoqi ferexhen- mbulesën e fytyrës në këtë komunë. Seminari kishte për synim që vijuesit t`i përvetësojnë konturat themelore të mësuesisë. Aty vijuan dhe e kryen me sukses këtë seminar 12 vijues që secili prej tyre duhej ta mbante një orë praktike me nxënës dhe në prezencë të mësueses Nazmije Kastrati, Ndue Zef Markaj (mësues nga Shqipëria) që punonte në shkollën e Karaçevës së Epërme) dhe Kasem Cake- inspektor i shkollave e ata janë: Metush Krasniqi nga Dajkoci, veteran i arsimit e tash hero i Kosovës, Bejtullaj Mujaj, Tefik Kallaba, Fazli Mavriqi, Bajram Spahiu, Murat Shkodra, Shaban Zylfiu, Rrahman Sinani, Ismajl Doda, Fehmi Jakupi, Hysen Ibishi dhe Rexhep Himolli. Nga këta vijues, duke filluar nga 7 marsi i vitit 1948 filloi mësimi, për herë të parë në gjuhën shqipe, në 12 shkolla nëpër katundet e kësaj komune që ishte një sukses i konsiderueshëm në sistemin arsimor të Rrethit të Kamenicës. Deri më 31. XII. 1959 Kamenica kishte tretmanin e Rrethit.

Po në këtë vit u bë riorganizimi i pushtetit lokal dhe u shuan komunat e vogla, si: Hogoshti, Rogaçica, Ranilugu, Ropotova, Strezoci etj dhe nga data 1. I. 1960 formohet komuna e Kamenicës. Themelimi i 12 shkollave me mësim në gjuhën shqipe në gjysmën e parë të vitit 1948, nëpër katundet e banuara me popullatë shqiptare, ishte një bum shumë i rëndësishëm në zgjerimin dhe avancimin e sistemit arsimor në këto treva.

Bejtullah Mujaj pati fatin që i pari t`ua mësojë shkronjat e gjuhës shqipe filloristëve të fshatit Poliçkë që gjendet disa kilometra larg Hogoshtit, vendlindjes së mësuesit Bejtullah. Mësimi filloi më 7 mars 1948, kjo, koincidencë e fillimit të shkollës së parë kombëtare, ku gëzimi e hareja shihej në fytyrat e nxënësve dhe prindërve të tyre.

Bejtullah Mujaj u lind në fshatin Hogosht të Kamenicës, më 16. 6. 1929. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje në virin 1944, në gjuhën shqipe e pastaj kreu disa kurse pedagogjike për mësues: në Prishtinë (1948), Prizren (1949), semimaturën dhe kursin e ulët pedagogjik në Pejë (1950/51), Normalen më 1965, si dhe Akademinë Pedagogjike në Gjilan, më 1977.

Tani, kur ndodhej para nxënësve të fillores në Poliçkë e kishte një lehtësi se që nga viti 1946 ndodhej para dëgjuesve, të rriturve, që ua mësonte alfabetin e gjuhës shqipe, në kuadrin e aktiviteteve shoqërore për zhdukjen e analfabetizmit. Të punosh në detyrën e mësuesit në vitin 1948 nuk ishte punë aspak e lehtë. Ishte ballafaqimi me shumë vështirësi, me një anë- mungesa e teksteve dhe mjeteve përkatëse shkollore, mungesa e lokalit të duhur shkollor, ballafaqimi me jetën patriarkale dhe në anën tjetër- skamja, varfëria, aksioni për grumbullimin e tepricave bujqësore (familja e mësuesit Bejtullah ishte ngarkuar që çdo vit “pushtetit popullor “ t`i dorëzonte në emër të tepricave 13.000 kg drithëra dhe 1.500 kg të kafshëve për mish), bllokada ekonomike nga Bashkimi Sovjetik, si dhe arrestimet e burgosjet nga pushteti i atëhershëm, si dhe shpikja e burgut famëkeq të Goli Otokut (ku vuanin burgun afër 16.000 njerëz e afër 400 prej tyre ishin shqiptarë) e rëndonin jetën e njeriut tanë në përgjithësi, e jetën e mësuesit në veçanti, prandaj nga mësuesit kërkohej një vendosmëri e veçantë e për një vizion të lumtur. Këtë gjendje të ndërlikuar e të rëndë shoqërore rapsodi popullor, Demir Krasniqi, e paraqet kështu:
“Në Poliçkë, Bejtullah Mujaj
Nuk e thyente as stuhia, as rrëmuja”.

Në gjeneratën e parë të nxënësve ishin përfshirë ata të moshës 7-14 vjet, po edhe më të vjetër se 14 vjet. Të gjithë ishin të gjinisë mashkullore, pa asnjë vajzë e ata ishin: Selmon Lotë Vokshi (1936)- pastaj shumë vite ishte profesor i Edukatës Muzikore në Normalen e Gjilanit, drejtor në Radio-Gjilan , si dhe krijues letrar, Mehmetali Musmurati (1936), Halil Shaban Mushica (1931), Jakup Rexhep Bunjaku (1938), Kadri Hajdin Bunjaku (1938), Hysen Sejdi Vokshi (1936), Muhedin Shefki Bunjaku ( 1936), Ali Bunjaku (1936), Xhavit Osman Shehu (1937), Sali Emin Vokshi (1938), Bajram Latifi (1936), Raif Latifi (1938, Nevzad Avdi Shurdhani (1938), Ramadan Avdi
Rudaku (1937), Xhemail Tefik Shurdhani (1937) dhe Shaip Pajazit Zeka (1937).

Sipas dispozitave të atëhershme ligjore nxënësit që arrinin të pëvetësojnë shpejt e me sukses përmbajtjet mësimore mund të avansoheshin në klasat vijuese brenda vitit kalendarik shkollor. Ato njohuri duhet t`i dëshmonin para komisionit adekuat në shkollë. Një Komision i tillë për shkollën e Poliçkës u formua në prill të vitit 1948, i përbërë nga : Bejtullah Mujaj, Selami Masurica- mësues në Kranidell dhe Mehmet Kurteshi- Pozhorani, mësues në Desivojcë. Pati të tillë që në qershor të vitit 1948 të mbarojnë shkollën fillore katërklasëshe. Fillimi, si çdo fillim ishte mjaft i vështirë. Mësuesi duhej të punonte vetëm me një Abetare për tërë klasën, fletoret ua blinte vetë nxënësve, ndërsa lapsat i përgjysmonte duke i ndarë në pjesë që të kenë të gjithë mundësi të angazhohen në shkrim. Në vend të shkumësit disa nxënës i sillnin në shkollë një lloj guri të butë që quhet mellë e me atë të mundeshin të shkruajnë në tabelë.

Pas 47 viteve nga fillimi i mësimit aty, gjenerata e parë e nxënësve organizoi një takim të përbashkët dhe evokuan me mall kujtimet e fëmijërisë. Më këtë rast Selmon Vokshi, rapsod, krijues i më se 6.000 vargjeve, të cilat në çdo kohë mund t`i thotë përmendesh në këtë kohë ishte verbuar tërësisht, deklamoi këto vargje për mësuesin e parë:
“ Bejtullah Mujaj- mësues i parë
Për fillim e punë të mbarë
Na pranoi në klasë të parë
Gjashtëmbëdhjetë fillestarë
Nga Vakajt e Mëshica,
Nga Vruçevci e Poliçka”.

Aty mësuesi Bejtullah punoi tri vite radhazi, e sërish punoi në vitin shkollor 1954/55 . Është krenar për angazhimin maksimal aty në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies nga të cilët nxënës dolën shumë mësues e profesorë, është krenar që punoi në fshatin e heroit të Kosovës- Kadri Zekës, emrin e të cilit e mban sot me krenari Universiteti i Gjilanit dhe shkolla amë. Shkolla e Poliçkës në vazhdimësi ka funksionuar si paralele e ndarë fizike e Shkollës fillore “Kadri Zeka” të Desivojcës. Po fati i keq, sikur edhe shumë katunde rurale të kësaj komune, po e përcjell edhe Poliçkën- shpërngulja e popullatës dhe zvogëlimi i numrit të nxënësve. Sipas regjistrimit të vitit 1981 Poliçka kishte 71 shtëpi me 598 banorë, ndërsa tani kanë mbetur me 18 shtëpi të banueshme, ndërsa të tjerat të zbrazura dhe me 29 nxënës që vijojnë mësimet aty nga klasa e parë deri në të nëntën.

UBT

Në vitin 1951 Bejtullahu transferohet me punë në Shkollën fillore të Desivojcës. Aty me angazhimin e tij, të Mehmet Surdullit e disa shkollarëve vizionarë ndaj sistemit të arsimit në shqipe, hapet edhe klasa e pestë, pra, e Gjimnazit të Ulët, ose Progjimnazi, si quhej atëherë. Aty vijonin edhe nxënësit e fshatrave të tjera që rendisnin kah Desivojca, si: Tërstena, Velegllava,

Sedllari, Laçiqi, Poliçka e të tjera që funksionoi vetëm për dy gjenerata. Në gjeneratën e parë vijonin 23 nxënës, të gjithë të gjinisë mashkullore. Po hapja e shkollave me mësim në gjuhën shqipe dhe rrita e tyre, nuk i shkonte për shtati dikujt, prandaj pas dy viteve, sërish mbyllen klasa e pestë dhe e gjashtë dhe shkolla e Desivojcës sërish mbetet katërklasëshe.

Aty e ushtroi detyrën e mësuesit dhe drejtorit të shkollës në vitet 1951 dhe 1952. Në vitin 1954 ka punuar në shkollën e fshatit Dazhnicë, ndërsa në vitet 1955-1957 ka ushtruar detyrën e mësuesit në Hodanoc. Ai kudo e kurdo detyrë parësore kishte arsimimin e njerëzve , në shkollë, në kurset për zhdukjen e analfabetizmit përmes kurseve që organizoheshin e madje edhe gjatë kryerjes së shërbim ushtarak të obligueshëm, në Maribor, ushtronte misionin e tij të shenjtë. Gjatë shërbimit ushtarak, pasi në çdo kazermë kishte numër të konsiderueshëm ushtarë shqiptarë që nuk dinin shkrim-lexim dhe nuk kishin mundësi të shkruanin një letër me familjarët e tyre, sa për t`u marrë vesh si janë, prandaj eprorët ushtarak e kishin obliguar që atyre t`ua mësojë shkrim-leximin. Asokohe, pothuajse, e vetmja mënyrë e komunikimit mes ushtarëve dhe familjes ishte komunikimi përmes letërkëmbimit.

Që nga viti 1957 e deri më 1990 ka punuar në Shkollën fillore “Skënderbeu” të vendlindjes , në Hogosht, në detyrën e mësuesit, e në vitet 1973-1977 ushtroi detyrën e zëvendësdrejtorit, por përherë i lidhur me shkollën e nxënësit, mësimdhënien e mësimnxënien. Vazhdimisht i angazhuar në gjetjen e metodave e formave sa më efikase që të arrihen rezultate optimale duke u angazhuar për një komunikim të lirë e të drejtpërdrejtë në relacionin mësuesi-nxënësi.

Me qëllim të zgjerimit e thellimit të shkathtësive e diturive të nxënësve, Bejtullah Mujaj, ka bashkëpunuar për shumë vite me revistat: “Shëndeti”, “Pionieri” dhe “Shkëndija” që kjo e fundit ishte e vetmja revistë profesionale që merrej dhe trajtonte kahet e zhvillimit të sistemit arsimor në vendin tanë. Gjithashtu ka bashkëpunuar me veteranët eminentë të arsimit: Mehmet Gjevori e Tahir Berisha e sidomos me këtë të dytin, të cilit i ofronte shënime biografike për veteranët e arsimit për komunën e Kamenicës me qëllim të hartimit të monografive: “Emrat që nuk harrohen”, e publikuar në tri vëllime, libër ky që u prit me interesim të madh nga të gjithë lexuesit shqipfolës, në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Vëllimet e librit: “Emrat që nuk harrohen” është një lloj enciklopedie për tërë sistemin arsimor në vendin tanë.

Në vitin 1990 në Hogosht u formua Shoqata për zhdukjen e analfabetizmit me emrin “Motrat Qiriazi” e Bejtullah Mujaj zgjidhet nënkryetar i saj, sepse numri i banorëve që nuk dinin shkrim-lexim ishte ende i konsiderueshëm e detyrë me rëndësi e mësuesve dhe intelektualëve është çrrënjosje e analfabetizmit.

Pas një përvoje pune shumë të zellshme e të begatshme, pas përcjelljes së shumë e shumë gjeneratave, pas 42 vite e 6 muaj përvoje pune në procesin edukativo-arsimor, më 31. 8. 1990 që është tërë një jetë kushtuar arsimit, pensionohet mësuesi i shumë mësuesve Bejtullah Mujaj. Ai përhapi dritë e dituri tek nxënësit dhe tek të tjerët tërë kohën kudo që punoi e veproi.

Tani e kishte të vështirë t`i përshtatet jetës pa e dëgjuar zërin e nxënësve, pa i dëgjuar cicërimat e tyre. Mungesa e komunikimit me nxënës shkaktonte një zbrazësi në shpitin e jetën e tij. Po njeriu që vazhdimisht ka qenë i angazhuar në punë e aktivitete shoqërore nuk mund të qëndrojë i qetë e të flejë rehat, prandaj në vitet e `90 së bashku me disa veteranë të kësaj komune formuan Shoqatën e Veteranëve të Arsimit për komunën e Kamenicës dhe njëzëri kryetar i saj zgjidhet Bejtullah Mujaj. Mbledhja për Konstituimin e kësaj Shoqate u mbajt në lokalet e Shkollës fillore në Koretin.

Për punën e palodhshme në procesin edukativo-arsimor dhe angazhimin në aktivitet shoqërore iu kanë ndarë shumë mirënjohje e lëvdata me shkrim, por duhet të veçohet, ajo,kur Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke marrë në konsideratë kontributin e arsimtarëve dhe veteranëve të arsimit në përgjithësi, ndërsa angazhimin jetësor të Bejtullah Mujës në veçanti, me rastin e gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës e dekoroi me Medaljen Presidenciale të meritave të veçanta, më 17. II. 2014.

Veterani i arsimit, Bejtullah Mujaj, pas një sëmundje të shkurtër, vdiq në Hogosht, më 18. 7. 2015. Në varrimin e tij morën pjesë shumë familjarë, shokë të punës e ish nxënës. Pas ka lënë bashkëshortën, Halimen që ishte krahu i djathtë i tij gjatë tërë jetës dhe u angazhua shumë në rritjen e edukimin e fëmijëve: Ferdezen, Naimin që kanë titullin magjistër të shkencave, si dhe Miniveren, Afrimin, Qefseren dhe Albanin, të gjithë kanë kryer fakultete në degë të ndryshme, si dhe shumë nipër e mbesa./rajonipress/