UBT

Bëjeni Ushtrinë, jo gabime strategjike

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Burim Ramadani – Viti i ardhshëm është mjaft sfidues për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës. E tërë kjo duhet të kompenzohet me themelimin e Ushtrisë. Nuk ka ‘kompenzim’ më strategjik se themelimi i Ushtrisë. Viti i ardhshëm është mjaft sfidues për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës. E tërë kjo duhet të kompenzohet me themelimin e Ushtrisë. Nuk duhet lejuar të kalojë edhe kjo situatë pa përfituar strategjikisht Kosova.

Në vitin 2017, puna më e madhe që mund të bëhet është themelimi i Ushtrisë së Kosovës! Nuk ka edhe një qëllim më strategjik për Republikën e Kosovës sesa kompletimi i Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare. Është vonuar ky proces, është penguar vazhdimisht, por duhet të përfundohet në vitin që po hymë.

Gjykata Speciale, veriu dhe Serbia

Sistemi institucional në Kosovë është tejet i brishtë. Këtë, kryesisht, e kanë shkaktuar qëllimet individuale që “të fortët” të mbajnë nën kontroll sistemin në përgjithësi. Dhe, dorën në zemër, kanë pasur sukses në këtë qëllim joparimor dhe jopërmbajtjesor.

Sistemi kosovar është në duar të të fortëve për vite e vite të tëra. Në një situatë të këtillë, nuk është dhe nuk ka qenë e mundur që sistemi të konsolidohet në masën që emrat dhe mbiemrat e përvetshëm të mos kenë ndikim. Pra, gjithçka funksion deri kur bëhet fjalë për emra dhe mbiemra të caktuar. Aty bllokohet e tëra.

Duke qenë kështu, goditja që individë të caktuar mund të marrin në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të mund të ndikojë direkt edhe në dobësimin e sistemit, po ashtu. Pra, sfida më e madhe e vitit të ardhshëm duket se mund të jetë fillimi i veprimit të Gjykatës Speciale, e cila mund të orientohet kah emra të përvetshëm, të cilë kanë fuqi të madhe në sistemin politik dhe shoqëror në Kosovë.

Dhe, Gjykata Speciale, e padrejtë në përmbatje, por e shkaktuar nga padrejtësia, në një formë apo tjetër e ka mbajtur peng skenën politike e institucionale në Kosovë për gati tri vjet me radhë. Duke mos ditur çka dhe kush mund të ketë proces gjyqësor, analizimi i nivelit të ‘goditjes ndaj Kosovës’ është i vështirë dhe i pasaktë në këtë periudhë.

Mobi Casa

Sidoqoftë, sjellja e skenës politike dhe institucionale për “stuhinë pranverore” është dukshëm në nivel nervoze dhe kjo, sigurisht, është e kuptueshme në nivel personal. Por, assesi jo në nivel institucional.

Sfida e dytë më e madhe për vitin e ardhshëm është raporti i institucioneve të Kosovës me serbët kosovarë dhe Serbinë, si shtet në përmbajtje armiqësor. Tensionet e ngritura ndër-etnike, kryesisht në nivel politik, gjatë këtre muajve të fundit flasin për mundësi reale të eskalimit të gjendjes së sigurisë. Një veprim i pakujdesshëm dhe pa qartësi të plotë ndaj komunitetit të pabindur në veri të Kosovës do të mund të shkaktonte një situatë të re praktike, më të keqe dhe shumë më të ndërlikuar sesa kjo që është sot.

Nëse sfida e parë, pra Gjykata Speciale, ndërlidhet me sfidën e dytë, pra tentimin për t’i treguar komunitetit serb në veri se shteti i Kosovës nuk i falë mosbindjen e tyre, atëherë kjo do të paraqiste një gabim të mundshëm strategjik institucional, duke vendosur një gjendje të përafërt me një ‘konflikt të ngrirë’ dhe pa qartësi të gjetjes së zgjidhjes.

Rusia, terrorizmi, krimi i organizuar

Sfida e tretë e madhe është e ndërlidhur me synimin e përhapjes së ndikimit të Rusisë në Ballkan, përfshirë këtu edhe Kosovën. Në format që deri më tash nuk janë praktikuar, Rusia ka filluar një ofensivë inteligjente në shtete dhe rajone tjera, duke shkaktuar jo pak kokëçarje. Kjo sidomos në Evropën qendrore dhe Perëndimore, por ka përfshirë edhe SHBA-në dhe politikën e saj të jashtme. Rasti i veprimit të njëanshëm në Siri, në mbështetje të plotë të Iranit dhe Asadit, tregon për tendencë që të krijohet një situatë të re në rendin botëror.

Sfida e katërt e madhe për Kosovën gjatë vitit 2017 do të jetë trajtimi i kërcënimit global dhe rajonal që ndërlidhet me terrorizmin global. Të gjendur në një situatë pothuajse kolapsimi në territoret e Sirisë dhe Irakut, terroristët e ISIS-it dhe organizatave tjera të lidhura me të, do të detyrohen të rrisin aktivitetet e tyre terroriste në zona të ndryshme gjeografike nëpër botë. Kjo logjikë e mundshme strategjike e tyre do të mund të godet më së shumti Evropën, por nuk mund të përjashtojë Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilës është edhe Kosova.

Sfida e pestë e madhe për Kosovën gjatë vitit 2017 është niveli i krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit të paligjshëm të drogave dhe shpërlarja e parave. Duke qenë të zhvilluara deri më tash, grupet kriminale në Kosovë dhe rajon do të mund të tentojnë shfrytëzimin e situatës së përgjithshme jostabile dhe që ndërlidhet edhe me sfidat tjera të analizuara më lartë. Në një komplikueshmëri të këtillë, grupet kriminale mund të tentojnë të zënë hapësirat e vakumit të mundshëm për të bërë para, fuqi dhe aftësi vendimmarrjeje.