RCCOLA

Bashkojini parcelat

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga përfundimi i luftës, ekonomistët dhe liderët politikë kanë thënë se Kosova mund të zhvillohet ekonomikisht vetëm duke u orientuar në bujqësi. Por, regjistrimi i popullsisë ka nxjerrë fakte shqetësuese për ata që merren me këtë punë.

Të dhënat tregojnë se shumica e familjeve kanë më pak se 1 hektar tokë, çka mund t’ua sigurojë atyre mbijetesën, mirëpo jo edhe t’u sjellë ndonjë fitim. Ministria e Bujqësisë apelon për bashkimin e parcelave.

Ua këputi ymydin familjeve që merren me bujqësi. Regjistrimi i popullsisë ka nxjerrë fakte shqetësuese për ata që këtë punë e bëjnë me shpresën e një jete më të mirë.

Të dhënat tregojnë se me sa tokë kanë familjet kosovare, nuk kanë as shanse të fitojnë nga ajo.

“Struktura e veprimtarisë bujqësore në ekonomitë familjare në Kosovë nuk ka gjasa që të jetë produktive”, thuhet në raportin e regjistrimit, duke sqaruar se shumica e parcelave të tokës janë rreth 1 hektar dhe gjysma e ekonomive familjare kanë më pak se 0.65 hektar, duke bërë që ato të shfrytëzohen sa për të jetuar, e jo për qëllime komerciale.

Në këto hapësira të vogla toke, përveçqë nuk ka produktivitet, ka edhe vështirësi dhe kufizime në përdorimin e masave agroteknike.

Megjithatë, në pyetësorët e statistikave, pjesa më e madhe e ekonomive familjare që kanë tokë bujqësore, janë përgjigjur se kanë edhe një makinë bujqësore, që në krahasim me madhësinë mesatare të sipërfaqes së tokës, numri i makinave bujqësore është shumë i madh.

“Në të vërtetë, më shumë se 1/4 e ekonomive familjare që kanë tokë, kanë po ashtu edhe një makinë bujqësore, e nga to, mbi 75 për qind kanë traktor me kapacitet të vogël”, thuhet në raport.

Kjo sipas të gjeturave, tregon efikasitetin e ulët në menaxhimin e resurseve bujqësore dhe është duke e penguar krijimin e ekonomive të mëdha.

Se struktura e veprimtarive bujqësore në Kosovë nuk është në nivel aspak të kënaqshëm, e pranojnë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, por thonë se produktiviteti është relativ dhe varet nga shumë faktorë.

KKVITI

Këshilltari për media në këtë ministri, Adil Behramaj thotë se tani janë duke marrë masa për ristrukturimin e sektorit agrorural në harmoni me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE-së dhe në përshtatshmëri me specifikat e sektorit të bujqësisë në vend.

“Është e vërtetë se fragmentizimi i tokave bujqësore është njëri prej problemeve kryesore, që ndikon edhe në uljen e produktivitetit, sepse kufizon edhe përdorimin e masave adekuate agroteknike, por ne jemi duke implementuar projekte të ndryshme të komosacionit të tokave dhe deri më tani, me masat që kemi ndërmarrë, kemi rregulluar rreth 20 mijë hektarë të tokave bujqësore”, ka pohuar Behramaj.

Ndërkaq, nuk pajtohet shumë me të dhënat që ka nxjerrë raporti i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare për tokën bujqësore.

Sipas tij, problemi i të dhënave është njëri prej problemeve më të mëdha në sektorin e bujqësisë dhe të dhënat që posedojmë nuk përputhen me disa prej të dhënave të raportit të regjistrimit të popullsisë.

Sipas raportit të këtij regjistrimi, janë 964 autokombajna në Kosovë, ndërsa, sipas të dhënave të drejtorive bujqësore komunale, vetëm në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve kanë qenë të angazhuara 1559 autokombajna, të cilat kanë qenë të evidentuara me emra të pronarëve, me numra serikë të autokombajnave, si dhe është verifikuar edhe gjendja e tyre teknike.

“Pra, ka shumë shpërputhje, mirëpo siç kemi paralajmëruar, duke filluar nga viti i ardhshëm, ne do ta fillojmë edhe regjistrimin e përgjithshëm bujqësor, i cili nuk është bërë që nga viti 1960 dhe në këtë regjistrim do të përfshijmë çdo gjë që ndërlidhet me bujqësinë”, thotë Behramaj.

Bashkimi i tokave, për drejtorin e STRAS-it, Ibrahim Rexhepi, është një nga mënyrat se si do të rregullohej dhe do të shtohej produktiviteti i tokave bujqësore.

“Është normale që një parcelë nuk mund të jetë produktive. Duhet të bëhet bashkimi i bujqve, krijimi i formave të tjera të bashkimit që të rriten parcelat, në mënyrë që të mundësohet aplikimi i teknikës dhe i rritjes së rendimentit”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, të dhënat e regjistrimit nuk janë diçka e re për vendin, por thotë se ka ndryshime varësisht prej regjioneve të Kosovës.(express)