Uji Dea

Bashkimi dhe ndarja me Serbinë

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Milaim Shefkiu- Në një akademi përkujtimore, menjëherë pas luftës, kushtuar rënies së një dëshmori nga Lugina e Preshevës në Koshare, një ish-epror i Ushtrisë Shqiptare i kohës së Enver Hoxhës, dhe së fundmi edhe epror në UÇK, tha se “me Serbinë na ndan një mal i madh me kufoma dhe një lumë me gjak”. Ai tha se me këtë shtet “ma shumë gjëra na ndajnë, sesa që na bashkojnë”.

Kjo u kuptua si të thoshte se “po nxeh dielli” sepse plagët e luftës ishin të hapura, e të cilat edhe sot rënkojnë.

Që nga ajo periudhë e deri sot ka kaluar një dekadë, dhe nuk e di nëse ai epror është akoma gjallë, tash kur kanë nisur me një intensitet të shtuar, në nivel të lartë, bisedimet me Serbinë.

Kjo formë e negociatave mori mbështetje edhe nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, por edhe nga shefja e BE-s për politikë të jashtme, Catherie Ashton. Se negociatat duhet të vazhdojnë, kjo u nënkuptua që nga nxjerrja e rezolutës për bisedime në Kuvend të Kosovës, ndërsa pas takimeve me sekretaren Clinton dhe baroneshën Ashton, u nënkuptua nga deklaratat e Thaçit e Jahjagës, se “me Serbinë më shumë gjëra na bashkojnë sesa na ndajnë”.

Ky është vetëm një kapitull i këtij procesi negociator me Serbinë. Në këtë vazhdë nuk duhet të anashkalohet edhe një njeri, i cili në vijimësi po e mbështet idenë e ndarjes së Kosovës, respektivisht shkëmbimin e territoreve ndërmjet veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Pavarësisht se kjo ide aktualisht mund të mos marrë “Like” as brenda Kosovës e as jashtë saj, të paktën e meriton një analizë, ose thjesht të merret në konsideratë, sepse është thënë nga një akademik që, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu dikujt, ka shumë vite që është njohur si “babai i kombit”.

Eco Higjiena

Rexhep Qosja thotë se veriu i Kosovës është një “kalë troje” ose siç e quan ai, “thembra e Akilit”, e cila në vijimësi, Republikës së Kosovës do t’i sjellë vetëm kob ogurzi. Që të çlirohemi nga kjo sëmundje, e cila po e mban gjithë vendin nën ethe dhe lëngatë, ai kërkon që t’i gjendet ilaçi, pra të ndahet ajo pjesë, dhe në vend të saj, Kosova të marrë Luginën e Preshevës. Këtë ide akademik Qosja e ka thënë edhe me herët, por e tha edhe tash së fundi.

Edhe pse kjo bie ndesh me deklaratën e sekretares amerikane, por edhe me qëndrimet e Grupit të Kontaktit, pyetja është se a duhet apriori të hidhet poshtë? Natyrisht se jo. Kjo për faktin se veriu ka dalë nga duart dhe vazhdon që të funksionojë shah në vete. Aty Prishtina nuk ka qasje dhe vazhdon të mos ketë, ndërsa me bisedimet e reja, gjitha parametrat po çojnë kah një status special. Kryeministri Thaçi mund të këmbëngul se nuk ka status për atë rajon dhe se nuk tejkalohet pakoja e Ahtisarit, por situata në terren e imponon një zgjidhje tjetër.

Çdo variant i mundshëm nuk jep garanci se veriu do të integrohet në kuadër të Prishtinës zyrtare. Serbia edhe nëse nga presioni ndërkombëtar pranon t’i heqë strukturat paralele, ajo në vijimësi, sikurse në të kaluarën, do t’i stimulojë grupet radikale që ta sfidojnë Republikën e Kosovës. Prishtina gjithmonë do të lëngojë me problemin e veriut.

A nuk është arsye e bollshme që të merret vërtet me seriozitet qëndrimi i Qosjes, që në këto negociata të qartësohet problemi i hapur serbo-shqiptar. Të paktën edhe nëse në këtë periudhë nuk mbështetet ideja e Qosjes pro shkëmbit apo ndarjes, të veprohet në mënyrë korrelative. Nëse veriut të Kosovë i jepet status special, ose veprohet sipas pakos së Ahtisarit, i njëjti kut të vlejë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Nuk është tradhti të ngrihen paralele. Tradhti është nëse për njërën pjesë veprohet me logjikën e nënës, e me tjetrën të njerkës. Kosova ka hyrë në bisedime politike me Serbinë, dhe nuk duhet të lihet shtegu i hapur, që nesër a pasnesër “mali të mbushet me më shumë varre”. Nëse me Serbinë më shumë gjera na bashkojnë se sa na ndajnë, nuk duhet të veprohet, me logjiken e inferioritetit. SHBA mbështet dhe garanton integritetin e Kosovës, por Kosova duhet të mbështet pjesën e saj në Luginë. Nëse nuk veprohet me këtë logjikë, për dy-tri dekada nuk do të ketë më as çka të shkëmbejë. Sepse Luginën do ta ketë në Kosovë.