UBT

Ato që i thotë Vuqiq nuk janë të vërteta absolute

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sinan Sadiku – Ne nuk duhet t`i marrim si të vërteta absolute ato që i thonë udhëheqësit serbë duke e përfshirë edhe Vuqiqin. Kjo për arsye se Vuqiqi është edhe diplomat e edhe serb prej të cilit nuk kemi arsye të presim gjithmonë ta thotë vetëm të vërtetën. Pra ai mund të thotë diçka që nuk është e vërtetë për disa arsye si: për të përfituar poenë nga opinioni dhe votuesi serb, po edhe për ta krijuar një opinion tek shqiptarët sipas interesave të tij dhe të Serbisë.

Andaj thënia e tij se ne patëm shansin ta marrim Veriun e Kosovës dhe Anamoravën, por opinioni dhe opozita në Serbi duke synuar shumë, duke mos e njohur dhe kuptuar realitetin po rrezikojnë t`i humbim të gjitha është për të përfituar poenë politikë në Serbi dhe për ta ndryshuar atë opinion i cili realisht është duke u mbështetur në mite të shpikura dhe në ëndrra tepër larg realitetit. Qëllimi tjetër i tij besoj se është për ta krijuar një opinion të gabuar tek shqiptarët i cili opinion pastaj kanalizohet dhe shfrytëzohet në dobi të Serbisë.

Kjo do të thotë se nëse shqiptarët binden se ka qenë shumë afër për ta humbur jo vetëm Veriun e Kosovës po edhe Anamoravën, ata shumë më lehtë e gëlltitnin një Bashkësi të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të gjera ekzekutive. Mua po më çudisin veçmas shumica e analistëve tanë se si i marrin si të vërteta absolute, të padiskutueshme, ato që i thotë presidenti i Serbisë dhe kjo e tregon nivelin e tyre intelektual, mungesën e dijes dhe të mençurisë! Unë aspak nuk i besoj presidentit të Serbisë kur thotë se Serbia ka mundur ta merrte Veriun e Kosovës dhe Anamoravën, por besoj se ka qenë në tavolinë këmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe po të realizohej ai këmbim nuk e di se cila palë do të përfitonte më shumë.

Përfitimi i Anamoravës nga Serbia nuk ka qenë në rend dite. Vuqiqi do të ishte i kënaqur dhe i shashtrisur po të mund ta merrte vetëm Veriun, pa Liqenin e Ujmanit, të cilin do ta menaxhonte ndonjë kompani ndërkombëtare. E kam thënë edhe disa herë të tjera se marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë pa ndodhë njëra nga këto: këmbimi i territoreve ose krijimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të gjera ekzekutive.

Që të dyja janë të dhimbshme për ne, por shtet funksional, zhvillim ekonomik të Kosovës nuk do të ketë nëse themelohet Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të gjera ekzekutive. Edhe pa atë Bashkësi, Kosova thuajse nuk po mund të funksionojë si shtet, sepse për të ecur i duhet t`i ndryshojë shumë ligje dhe disa nene të kushtetutës, ndërsa ndryshimi i tyre nuk mund të bëhet pa e votuar mbi gjysma e deputetëve serbë.

Mobi Casa

Themelimi i Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të gjera ekzekutive do të thotë bosnjizim i plotë i Kosovës, e bosnjizimi do të thotë ta kesh një shtet jofunksional gjithnjë deri sa në një të ardhme të bëhet ndarja, siç pritet të ndodhë edhe me Bosnjen. Të kesh shtet jofunksional do të thotë të mos kesh zhvillim ekonomik, të mos ketë vende pune, të mos ketë jetë cilësore, të mos ketë… Të mos i kesh të gjitha këto do të thotë vazhdim i ikjes së njerëzve nga Kosova, në radhë të parë i shqiptarëve dhe pastaj po dihet çfarë mund të na pres në të ardhmen.

Pra krijimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Serbinë mbi këtë bazë jo që e eviton ndarjen e Kosovës, por përkundrazi e bënë të sigurt atë. Andaj një gjendje e tillë i konvenon Serbisë, ndërsa është e tmerrshme për Kosovën. Edhe pa ndodhë kjo, këto vitet e fundit, pas ardhjes në pushtet të Vuqiqit, pozicioni i Serbisë ka ardhur duke u forcuar, derisa pozicioni i Kosovës është dobësuar.

Për fatin tonë të keq një trend i tillë pritet të vazhdojë dhe kjo do të thotë se sa më shumë që të shtyhet marrëveshja me Serbinë aq më të mëdha gjasat që ne të dëmtohemi më shumë. Një Kosovë jofunksionale, pa zhvillim ekonomik, pa arsim cilësor, pa shëndetësi cilësore, me sistem të paaftë, të korruptuar dhe të politizuar gjyqësor; një Kosovë që nuk ju ofron kushte për punë dhe jetë me dinjitet banorëve të saj, vështirë se do të mund të mbijetojë. Nëse të rinjtë, njerëzit ikin dhe Kosova mbetet me një numër të vogël të banorëve nuk e di si do të mund të mbijetojë.

Andaj unë mendoj se ne (duke i pasur parasysh zhvillimet në Amerikë, në Evropë dhe në botë) kemi qenë në një poezitë më të favorshme për bisedime me Serbinë para 6 muajve apo një viti seç jemi tani dhe se tani jemi në një pozitë më të favorshme seç do të jemi në të ardhmen. Qeveria e re ka përgjegjësi kombëtare, historike që ta analizojë në të gjitha aspektet pozitën tonë, t`i verifikojë mundësitë dhe rreziqet dhe në bazë të tyre të marrë vendime e të bëjë veprime.

Popullzimi, opinioni i njerëzve tanë, i ne shqiptarëve edhe në të kaluarën e edhe tani zakonisht nuk e ka pas për bazë realitetin. Të marrish vendime të cilat nuk dalin nga një skanim sa më i plotë i realitetit, pa i njohur gjasat, mundësitë, rreziqet është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë e që na ka ndodhë në të kaluarën. Siç e thashë edhe në fillim, fatkeqësisht opinionin tek ne, mendimin e shumicës shpesh po e krijojnë Vuqiqi, Daqiqi, Lajiqi… dhe nëse ne si shtet sillemi sipas opinionit që na e krijojnë të tillët vaj halli për ne./rajonipress/