Asociacioni kusht për anëtarësim në KiE, dinari pengesë shtesë
Themelimi i Asociacionit dhe disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri, janë dy kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Të parin e shohin praktikisht të pamundur të përfundojë këtë vit, për shkak se vendi gjendet në vit zgjedhor, thonë për Ekonomia Online njohës të integrimit evropian.
Ndërsa çështjen e dinarit serb, analistët e shohin si pengesë shtesë për anëtarësim por që shprehin optimizmin se mund të përfundojë më shpejt.
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se Kosova ka përmbushur njërin nga kushtet për tu anëtarësuar në Këshillin Evropian e që është ai rreth vendimit për tokat e Manastirit të Deçanit, mirëpo anëtarësimi mbetet ende një problem politik.
“Pas plotësimit të kushtit që e bëri zoti Kurti dhe qeveria e tij, rreth dhënies së tokave për Manastirin e Deçanit le të themi se një kusht politik është përmbushur kurse sa i përket pjesës së respektimit të të drejtave të njeriut është e vërtetë që Kosova i ka brenda për brenda Kushtetutës së saj dhe ligjeve të saj ndoshta të drejtat më të mira qoftë për minoritetet, qoftë të drejtat e njeriut të renditura jashtëzakonisht mirë dhe nuk është te aspekti procedural, problemi sa është të problemi politik”, tha Sadiku.
“Kërkesa e fundit e zotit Escobar si përfaqësues i ShBA-së në Kosovë që përveç kushtit për Manastirin të plotësohen edhe dy kushtet e tjera, siç është çështja e dinarit dhe pjesa e Asociacionit të Komunave, uroj që këto të dyja të mos jenë veçanërisht qasja e Asociacionit sepse është paksa e vështirë që në këtë vit elektoral Kosova ta përmbush si kusht, kurse çështja e dinarit është më e lehtë dhe palët janë duke diskutuar në Bruksel mendoj Kosova dhe Serbia dhe do të gjendet një rrugë e cila është tejkaluese e këtij problemi në raport me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë”, shtoi ai.
Ndërsa, sa i përket dy kushteve të BE-së drejtuar Kosovës për anëtarësim, Sadiku është skeptik se mund të kalojnë për momentin, sidomos Asociacioni për shkak të zgjedhjeve afër.
“Praktikisht e ceka edhe më herët që janë të dyja kushte njëri pra dinari është më i lehtë kurse kushti tjetër për Asociacionin është më i vështirë të rregullohet sepse ky kush kërkon së pari që të shkojë vendimi në Gjykatë Kushtetuese ky vendim të ndalohet ose konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese pastaj të shkojë në Kuvend që kërkon jo vetëm të partisë që është në pushtet por edhe opozitës meqenëse jemi në vit elektoral këtë vit dyshoj shumë që do të ketë mbështetje në Kuvend sepse pozita as opozita në njëfarë forme të i shkaktojë dëme elektorale vet vetit me miratimin e këtij dokumente të Asociacionit”, thotë ai.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për Ekonomia Online se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i sheh më shumë si kushte politike.
“Këto kushte nuk besoj se janë ndoshta në raportin e raportueses së Këshillit të Evropës por sidoqoftë më shumë i shoh si kushte politike që edhe nëse i keni plotësuar kushtin e parë siç ka qenë kushti për tokat e Manastirit të Deçanit këto janë kushte politike për të cilat ndoshta Kosovës do t’i kërkohet që të bëjë veprime të tjera”, u shpreh ai.
Ndërkaq, muaji maj po shihet si afat i fundit për të konfirmuar ose jo anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Deri në këtë kohë, thotë Arifi, ekzekutivi ka kohë t’i analizojë kushtet politike. “Deri në maj kur do të mbahet takimi i Këshillit Ministror të KiE-së aty merret mandej ai vendimi final se a mund të bëhemi apo jo anëtar, deri atëherë Qeveria e Kosovës ka kohë t’i analizojë nëse do të vinë edhe këto kushte ende nuk jemi të sigurt por shumë shpejt mund të ketë kushte politike shtesë sepse nuk i dihet me një fjalë këtu nuk ka garanci edhe pse e kemi marrë këtë vendim mund të bëhemi anëtar”, thotë Arifi për EO.