Fundamenti

Asnjë alternativë

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ibrahim Rexhepi – Debati për buxhetin e vitit 2014 nuk nxori asnjë ide të re, pos disa projekte të vockla, që kryesisht ishin në funksion të fushatës parazgjedhore. Por, duhet pranuar, në një vend të varfër është e pamundur të hartohet një buxhet që kënaq të gjitha kërkesat.

Të gjitha janë të vërteta: Buxheti i Kosovës për vitin 2014 është më i vogëli në Evropë; është buxhet i varfërisë; nuk ofron koncept zhvillimor; aty janë futur premtimet elektorale të PDK-së; është një lojë shifrash dhe e pluseve e minueseve; stimulon importin dhe mbytë prodhimin vendor…
Por, që të gjitha këto të vërteta kanë edhe arsyen, së paku vështruar nga segmenti qeveritar: Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe me BPV-në më të ulët; ka përfunduar autostrada “Ibrahim Rugova” dhe tash buxheti ka arritur komoditetin që të merret me aspektet sociale; partitë në pushtet marrin përgjegjësinë për zbatimin e tij, e jo opozita; filozofia zhvillimore nuk mund ta arrihet brenda një viti, as të përmirësohet bilanci tregtar, e as që të bëhet zhvendosja e burimit të të hyrave nga kufiri në brendi…

Duke pasur parasysh këto këndvështrime që ashpër kundërshtohen ndërmjet veti, është edhe një alternativë tjetër, e cila duket më racionale. Mirëpo, kokëfortësia që manifeston pozita dhe opozita i bën që të humbin qasjen konstruktive ndaj një dokumenti me rëndësi për të gjithë qytetarët e vendit. Për më keq, ai po shfrytëzohet si një terren i përshtatshëm për luftë politike, për fushatë parazgjedhore dhe për promovime individuale. Kjo duket e qartë kur kemi parasysh se debati njëditor i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës nuk nxori asnjë alternativë për dokumentin e prezantuar nga Qeveria e Kosovës, nuk pati asnjë matematikë tjetër në mbledhjen dhe zbritjen e shifrave, e as që u ofrua një vizion pak më i qartë për ikje nga varfëria.

Fundamenti

Të nxirren të gjitha këto argumente nuk është edhe aq lehtë. Shifrat dhe niveli i zhvillimit të vendit nuk lënë shumë hapësirë manovruese. Së pari duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për vendin që BPV-në ende nuk ka as pesë miliardë euro të plota ( në mot parashihet të jetë 5.5 miliardë euro). Kjo shifër determinon kornizat e buxhetit, duke pasur parasysh faktin se nëse shpenzimet buxhetore kalojnë mbi 30 për qind të BPV-së, atëherë krijohet mbingarkesa fiskale. Atëherë tatimpaguesit më shumë do të punojnë për arkën e shtetit se sa për mirëqenien e tyre. Projeksioni i buxhetit aktualisht gjendet në këtë pikë dhe është e palejueshme që të kalkulohen shpenzime më të mëdha. Madje, po të mos ishin aspiratat e partisë më të madhe në pushtet që të kënaqë votuesit përmes përqindjeve të mëdha, shpenzimet kanë mundur të jenë edhe më të ulëta, ashtu që të zvogëlohet minusi i deficitit primar dhe nevoja për financimin e tij. Kjo është edhe më e pranueshme kur kemi parasysh shkurtimin investimeve kapitale, por edhe faktin se deri në vitin 2016 parashihet një përafrim i lehtë i shpenzimeve për paga dhe i atyre për investime. Në mot pagat marrin 8,8 për qind të BPV-së, ndërsa investimet kapitale 9,6 për qind, ndërsa pas katër vjetësh dallimi mes tyre është vetëm 0,3 pikë të përqindjes. Kjo strukturë tregon qartë se brenda dokumenteve zhvillimore është përfshirë premtimi i kryeministrit që për katër vjet pagat do të rritë 100 për qind. Por, krejt kjo shkon në dëm të zhvillimit, pa marrë parasysh se parashikimet për rritjen e BPV-së janë mjaft ambicioze, ndonëse nuk është e qartë se si do të arrihen këto norma.

Problem tjetër që del nga tabelat buxhetore është burimi i të hyrave. Proporcioni ndërmjet parasë që siguron Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës në mënyrën më të mirë dëshmojnë mungesën vizionit zhvillimor. Pra, arka e shtetit varet nga vëllimi i importit. Kjo qasje pa dyshim se tkurrë ofertën e brendshme, ndërsa, në mungesë të mekanizmave sistemor, inflacioni do të jetë i pakorrigjueshëm. Ai do të importohet. Për këtë arsye janë pak të besueshme parashikimet për shkalline inflacionit. Ndërkaq, një qasje më serioze ndaj ofertës së brendshme, në një të ardhme do të ndryshonte strukturën e të hyrave. Madje, sa për fillim do të mjaftonte përmbushja e kërkesës së bizneseve që tatimi dhe taksat të mos paguhen në kufi, por në brendi, pasi që mallrat të shndërrohen në para.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.