ASK i ndreq letrat
Nga Ibrahim Rexhepi – Në Kosovë ka rënë norma e papunësisë nga 44,8 për qind sa doli prej regjistrimit të popullatës, në 35,1 për qind. Ndryshimi ndodhi ende pa u mbushë një vit i plotë prej publikimit të rezultateve nga numërimin i atyre që jetojnë brenda kufijve të vendit.
Është e pamoralshme që qoftë edhe një shtetas Kosovës të mos i gëzohet faktit se në vendin e zhytur në skamje dhe mjerim ka nisë të bie papunësia. Madje, me një normë aq të lartë se që do t’ia kishin lakmi shumë vende në botë. Ministria e punës dhe e Mirëqenies Sociale trumbeton për sukseset që janë arritur duke zvogëluar numrin e të papunëve 20 për qind.
Nga ana tjetër, këtë krekosje e mbështet edhe Agjencia e Statistikave e Kosovës duke konstatuara se norma e papunësisë ka rënë në 35,1 për qind. Krejt do të ishte në rregull, madje edhe për mburrje e lëvdata, sikurse këto shifra të mbështeteshin edhe me tregues të tjerë që do t’i bënin edhe më bindëse.
ASK-ja ka nxjerrë shifra, të cilat bazohen në një anketë, ku janë përgjigjur 11.809 persona. Në bazë të përgjigjeve të tyre është nxjerrë shifra, me të cilën tentohet të tregohet suksesi i vetëm që Qeveria e Kosovës ka arritur në vitin 2012 në rrafshin ekonomik e social. Por, në esencë shifra 35,1 për qind pasqyron vetëm rezultatin e anketës, e jo gjendje e përgjithshme në vend. Asaj i mungojnë edhe shumë përgjigje, të cilat kryesisht ndërlidhen me aspektet e punësimit- sa është rritur numri i të punësuarve në vitin 2012, në cilët sektorë janë hapur vendet e punës, apo pse ky punësim nuk përcillet edhe me normën e përgjithshme të rritjes ekonomike.
Nga ana tjetër ka përplot ilustrime që demantojnë këtë shifër. E para- në fund të vitit 2011 ishin 325.261 veta, ndërsa një viti më vonë – 259.941 të papunë. Do të thotë se numri i të pa punëve ka rënë 20 për qind. Duke vështruar në mënyrë afatgjatë këto zhvillime, del sikurse të ishin fabrikuar shifrat, ose prapa tyre qëndron një defekt, i cili ende mbetet enigmë. Në janar të vitit 2012 ishin 300.014 të papunë, apo 25.247 veta më pak se në dhjetor të vitit 2011. Këta njerëz u punësuan, apo i fshinë nga regjistrat e qendrave për punësim? Nuk mund të thuhet se ata gjetën punë, meqenëse, sërish sipas ASK-së,vjet në tregun e punës hynë 24.879 veta (4.754 më shumë se në vitin 2011), ndërkaq ishin hapur vetëm 9.434 vende të lira, ose 342 vende më pak se një viti më parë.
Elementi tjetër që edhe më shumë hedhë dyshime mbi normën e papunësisë është ai, si rënia e saj ishte e menjëhershme dhe nisë që nga tetor i vitit 2011. Nga ana tjetër, duke filluar që nga ky muaj në Kosovë nuk evidentohet të ketë pasur ndonjë investim që ka ndikuar në hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa norma e zhvillimit ekonomik është në rënie të vazhdueshme. Ajo nga 5,5 për qind sa ishte kur kjo qeveri ka marrë mandatin, tani ka rënë nën tre për qind.
Kundërshtarë të shifrës së MPPS-së dhe të ASK-së janë numrat që dalin nga gjendja sociale në vend. Kështu, në fund të vitit të kaluar mbështetje sociale gëzonin 31.111 familje, me 132.626 anëtarë, kurse një viti më herët ishin 34.867 familje me 151.767 veta. Sipas kësaj, nga listat u fshinë mbi 19 mijë veta, që është dukshëm më pak se shifra prej 65 mijë vetash, sa ka rënë numri i të papunëve të regjistruar në vitin 2012.
E që këtë çështje edhe më të dyshimtë e bënë fakti se, vazhdimisht sipas ASK-së, papunësia më shumë ka rënë në komunat e varfra, si në Gjakovë, ku në dhjetorin e vjetëm numri i të papunëve ishte për 25 mijë veta më i vogël se një vit më parë, në Mitrovicë- nëntë mijë, Pejë- 16 mijë, Prizren, 13 mijë veta, etj.
Pa marrë parasysh defektet dhe dyshimet që përcjellin publikimin Agjencisë së Statistikave të Kosovës, megjithatë këtë duhet kuptuar si nismë e projektit për matjen periodike të zhvillimeve në tregun e punës, përkatësisht prezantimin e normës së punësimit dhe të papunësisë.
Dhe kështu ajo duhet të veprojë edhe në të ardhmen, meqenëse norma e papunësisë nuk mund të përllogaritet vetëm një herë në dhjetë vjet, apo kur bëhet regjistrimi i popullatës. Kjo normë duhet të përcillet për çdo muaj, meqenëse është treguesi më i mirë për gjendjen sociale në vend. Mirëpo, kjo shifër gjithmonë do të bartë dyshime dhe tendencën për manipulim me gjendjen reale, po qe se ajo nuk përcillet edhe me të dhënat e tjera- numrin e punëtorëve. E nëse ndodhë rritja e numrit të vendeve të punës, të tregohet se ku ndodhi kjo. Madje, kjo të mos prodhohet përmes anketave, por duke përcjellë çdo lëvizje në treg. Në të kundërtën, ASK-ja do të duket vetëm si fabrikuese e të dhënave, e jo monitoruese reale e të gjitha zhvillimeve që ndodhin në vend.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


