UBT

Arsimi dhe e nesërmja e jonë

/ 10 minuta lexim
ARKATANA

Nga Shefik Shkodra- Për fjalë e nga fjalët shumë të pasur dalim, më shumë se askush tjetër. Por, si shihet për shumëçka veç fjalët po na mbulojnë. Do të duhej që të hapim sytë, se, dikush a ndoshta të gjithë, ky brez, do të mbetemi në borxhe për gjeneratat e ardhshme. Një herë, me këta të sotshmit që i kemi para sysh të bëjmë diçka.

Qeveria duhet të bëjë përpjekje pareshtur për mëkëmbjen dhe forcimin e shtetit, gjithnjë në angazhim të të gjithë resorëve të vet. Me ministritë e veta duhet të jetë e angazhuar për një bazë të zhvillimit ekonomik para se gjithash. Në rend të parë do të vinte, prova për prodhimtari sa më të madhe nga vendi dhe një barazim import-eksporti. Por edhe një mbikëqyrje për cilësinë e atyre prodhimeve.

Në këtë mënyrë, investimi do të sillte të ardhura në këtë drejtim dhe punësim më të qëndrueshëm. Në resorin e drejtësisë do të merreshin masa për një ligj që do të zbatohej dhe do të pavarësoheshin gjykatat në tërësi. Me mbikëqyrje dhe me siguri, më parë nga njerëzit në institucione që keqpërdorin pozitat e tyre, duke i shkaktuar dëme shoqërisë në përgjithësi. As shëndetësia dhe administrata nuk duhet të lihen anash. Më së shumti duhet pasur kujdes me arsimin tonë sot.

Të mos mbetet arsimi sot për nesër

E di se ky titull nuk është për herë të parë. Po ka shumë që flitet, e më shumë do të duhej të thuhet si të punohet. Dhe më duhet që edhe kësaj herë t’i përmendi disa gjëra që na sjellin çdo ditë vërdallë. Të gjithë kur i dëgjon, e edhe qytetarë e rëndomtë, të rrëfejnë shumë për rëndësinë e arsimit.

Nganjëherë habitem se, nuk po ditsha asgjë për këtë lëmi në krahasim me të tjerët, e edhe ata që janë përgjegjës në krye të kësaj pune mjaft flasin.
Qeveria në përgjithësi, dhe Ministria e Arsimit në veçanti, pas intervenimeve në infrastrukturë shkollore dhe ngritjen e kuadrit kualifikues, do të duhej të merrej shpejt edhe me veprime shumë adekuate e praktike.

Pas vullnetit politik e atdhetar, refleksi duhet të jetë i shpejtë për eliminimin e të gjitha dukurive negative që mund të shfaqen në arsim dhe edukim, duke pas në sy të gjitha lëvizjet. Mbikëqyrja e të gjitha niveleve shkollore për cilësinë e mësimdhënies. Më parë, duhet ta dimë se nuk kemi nevojë aq të madhe për universitete dhe kolegje në Kosovë. Ato universitete, kolegje e shkolla të tjera duhet të kenë një shtrirje të limituar e të verifikuar në çdo pikëpamje.

I tërë arsimimi privat universitar do të duhej të ketë kritere për kryerjen e asaj shkalle universitare. Është anakronizëm që kandidati, i cili mezi e ka kryer shkollën e mesme (me dysha, “i hequr qafe”), tash në universitetin privat, ka para, dhe del kandidati me nota të shkëlqyeshme. Kjo mund të ndodhë, por shumë rrallë, për mos me thënë kurrë. Do të thosha, edhe sektori privat edhe ai publik duhet të jenë në syrin vëzhgues.

Në sektorin privat do të ishte mirë që të fshihet një pjesë e madhe e atyre universiteteve dhe kolegjeve si të pa nevojshme nga ata të agjencionit për akreditim, të tepërta në prodhimin e kuadrove dhe profileve të reja, me pak merita ose kurrfarë, veç pagesës që i bëhet pronarit dhe mësimdhënësve.

Ky shtim është më tepër shumëzim profilesh me karakter komercial dhe jo përgatitje për veprim praktik e me njohuri të mjaftueshme. Në universitete private dhe kolegje, regjistrohen nxënës (kandidatë) që duan një njohuri shumë më solide, prandaj edhe paguajnë dhe sigurojnë kushte më të mira, për një punë më të suksesshme.

Prandaj, do të ishte nevojë shumë e ngutshme, që të shqyrtohet mundësia për kufizimin e atyre universiteteve dhe kolegjeve. Ndryshe, e nesërmja jonë do të bartë pasoja të rënda. Nuk duhet dhënë diploma analfabetëve. Me përjashtim të ndonjërit që punon me vetëdije, është mbushë me profile gjithfarësh.

Plan-programet dhe literatura

Alfabet për mësimdhënësit do ishte plan-programi, përpunimi i tyre prej njerëzve ekspert e me përvojë. Pa tenderë në punimin e tyre, me tekste shumë të zgjedhura për materie. Me zgjedhje, përpilues e përkthyes të aftë. Do të duhej që për përpilimin e plan-programeve të zgjidhen njerëz që vërtet kanë përvojë dhe afinitet në ndërtimin e kornizave veç e veç për të gjitha materiet dhe për të gjitha nivelet e arsimit.

Të eliminohen të gjitha familjarizimet, tenderizmat e alibitë e pa dobishme për këtë çështje. Të kthehen dhe rehabilitohen lëndët që janë shumë të domosdoshme në plan-programe, si latinishtja në shkollat e mjekësisë dhe në katedra tjera si filologjia, por edhe në materiet e biologjisë, kthimin e historisë e gjeografisë në disa shkolla profesionale, etj.

ARKATANA

Është koha të inaugurohet një rregull i përgjithshëm

Pa një disiplinë të mirëfilltë nuk ka arsimim të nivelit të duhur e solid. Në kuadër të disiplinës do të hynte puna me orar të saktë e mësimdhënësve; angazhimi i tyre vetëm në një institucion; përgatitjet e tyre me shkrim e me gojë; shkoqitja e plan-programit si duhet. Sjelljet e tyre me nxënës dhe të tjerë gjatë punës në shkollë dhe për shkollën.
Disiplina (rregulli) në institucionet shkollore e universitare, duhet pasur parasysh vijueshmërinë e mësimdhënësve gjithashtu edhe të nxënësve, në të gjitha nivelet.

Nuk duhet lejuar që nxënësit (studentët) ta presin mësimdhënësin gjithmonë me orë e me ditë (nëpër fakultete), për ligjërata e ushtrime. Afati i provimit, kur shënohet dhe caktohet, duhet të respektohet pa tjetër, veç në rast sëmundje apo vdekje. Nuk arsyetohet që mësimdhënësi të punojë në dy vende e më tepër. Nuk arsyetohet që ministri apo zyrtari tjetër i institucioneve publike të punojë nëpër ato universitete private, por edhe në atë publik. Shpeshherë ngecja në punë ndodh për këtë arsye.

Nuk preferohet në asnjë vend normal në Evropë e botë të mos çmohet hierarkia. Jashtë këtij procesi është të falet dija, apo të blihet sikur po ndodh në disa raste të publikuara e shumë të pa publikuara. Nuk lejohet një shoqërorizim intim me nxënësit (studentët) dhe keqpërdorimi i pozitës së mësimdhënësit. Kjo çdo kund sanksionohet urgjentisht.

Arsimtari që ka pas marrëdhënie intime me nxënësen, studenten nuk mund të jetë mësimdhënës edhe më tutje. Këto po ndodhin te ne. Nuk mundet një mësimdhënës të bëhet tiran para të rinjve, sikur që nuk duhet ta lejojë veten të nëpërkëmbet. Edhe nxënësit (studentët) e rregullt duhet ta respektojnë rendin shtëpiak. Në të kundërtën, do të duhej të dënohej mungesa e tij, rrahja, si që ka ndodh edhe vrasja e njëri-tjetrit në shkollat tona. Rregullore për disiplinë nuk mund të jetë, kur nxënësi bën edhe njëqind (100) mungesa pa arsye, largohet për tri ditë dhe kthehet në shkollë.

Kësaj i thonë një keqpërdorim dhe një shkelje e çfarëdo rregulloreje juridike. Por, edhe një lojë me personelin mësimdhënës e drejtorinë e shkollës, me drejtorinë komunale, me pedagogët e mësimdhënësit, etj.

Duhet të punojnë entet pedagogjike. Këshilltarët që do të përcillnin punën e çdo mësimdhënësi duhet të jenë njerëz të përgatitur, me përvojë, të disiplinuar e autoritarë. Pas përcjelljes së punës së atyre që për një kohë të caktuar nuk tregojnë aftësi për mësimdhënës dhe nuk duan apo s’mundën ta ushtrojnë këtë zanat le të largohen. Secili nuk është për arsim e edukim.

Në Kosovë nuk ka punësim, pos administratës, policisë dhe një numri shumë të kufizuar në shëndetësi, të gjithë konkurrojnë për mësimdhënës nëpër shkolla e universitete. Këshilltarët duhet të përcjellin edhe punën dhe sjelljen e nxënësve bashkë me mësimdhënës të shkollave.

Integrimi i kombëtares në procesin mësimor

Nuk duhet të mendohet se, veç kozmopolitizmi vjen në shprehje nëpër Evropë e në vende tjera të botës. Edhe ata e kanë lidhjen me vendin e tyre, e respektojnë dhe shfaqin ndjenjën e atdhetarizmit. Arsimimi dhe edukimi te ne është domosdoshmëri të ruajë komponentin e kombëtares. Të kthehet lënda e historisë nëpër disa shkolla dhe të luaj rolin e vet si shkencë. Pavarësisht se kush e çka dëshiron të bëhen shqiptarët, gjithnjë preferohet ta ruajmë e ta kultivojmë traditën, historinë tonë (jo me nacionalizëm romantik), por realisht për të kaluarën. Nuk duam komb pa emër (asnjanës), duke u shkri në gjithçka që nuk ka emër të vetin objektiv.

Kemi thënë edhe më parë, ‘nuk na duan askush më shumë, nëse e braktisim kombëtaren dhe shndërrohemi në diçka tjetër’. Kombëtarja nuk është lëndë e veçantë, por nëpër mes atyre lëndëve mësimore, si gjuha dhe letërsia, historia, etj. Dhe këto i rregullon plan-programi.

Pra, gjatë gjithë të mësuarit në nivele të ndryshme, nuk duhet ta harrojmë edhe elementin albanologjik. Nuk do të duhej të kultivojmë ëndrra për sajimin e një kombi të ri, e një gjuhe të re. Ndryshe, kemi thënë edhe më herët është e pajustifikueshme dhe shumë qesharake me atë “kombin kosovar” dhe atë “gjuhën e nënës”, që po e trumbetojnë disa, të veçantë këtu në Kosovë. Në shkollë fëmija, gjithqysh duhet të mësojë edhe gegërisht, sikur që e mëson këtë gjuhën standarde sot. Është absurde ngase, të gjitha kombet me shtete të veta e kanë një gjuhë të standardizuar.

Ne nuk jemi ende komb i pavarur me të gjitha trojet shqiptare, etj. Gjuha mund të plotësohet e të begatohet me të gjitha elementet e të gjitha provincializmave si dhe ato të gegërishtes.

Po rinia jonë, do të ishte më mirë të frymëzohej në diçka shqiptare, në diçka ngjashëm me kulturën dhe traditën për ta mbajtur veten sa më larg shtigjeve të rrezikshme në ditët e sotme. Më mirë me organizime të mbrëmjeve me koncerte muzikore, orë letrare, shfaqje teatrale e me ndonjë ekspozitë etj. se sa të shkojnë të gjithë nëpër kafene edhe gjatë kohës së mësimit. Të gjithë me duhan e me alkool në gojë, e një pjesë e tyre edhe me konsumimin e drogave. Për nj riparim të përgjithshëm do të duhej të angazhohen të gjithë.