Arrestime për krim të organizuar, krim kibernetik dhe shmangie nga tatimi

/ 4 minuta lexim

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), pas hetimeve të zhvilluara më herët, më 5.6.2013 ka realizuar një operacion policor të koduar me emrin “Terminali”, me ç’rast ka arrestuar pesë persona të dyshuar me dyshim e bazuar se kanë kryer veprat penale “krim i organizuar”, “kontrabandim me mallra” (medikamente medicinale).
Personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje policore dhe ata janë A. L 1974; F. A 1962; N. L 1983 shtetas të Kosovës si dhe S. K 1976 dhe M.L 1974, shtetas të Maqedonisë.

Gjatë zhvillimit të hetimeve policore përmes aplikimit të masave të fshehta është kuptuar se është duke u zhvilluar aktivitet kriminal dhe në koordinim të plotë me prokurorin përkatës, hetuesit policorë kanë vepruar në terren, me ç’rast kanë arrestuar pesë persona të dyshuar tek të cilët janë gjetur dhe konfiskuar mallra dhe medikamente medicinale të kontrabanduara nga Maqedonia në Kosovë.

Si pjesë e operacionit policor janë kontrolluar edhe banesat e personave të dyshuar tani më të arrestuar nga policia F. A. në Prishtinë dhe N. L. në Hanin e Elezit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e medikamenteve medicinale pa banderola.

Lidhur me medikamentet pa banderola është njoftuar Inspektorati i agjencisë kosovare për produkte medicinale.

Të gjitha veprimet policor lidhur me ketë rast janë kryer me autorizim të prokurorit përkatës dhe ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme hetimore.

Gjashtë të arrestuar për krime kibernetike

Operacioni i koduar “Klonimi” ka vënë në pranga gjashtë të dyshuar dhe ka konfiskuar një sërë pajisjesh të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori i Hetimeve të Krimeve Kibernetike, në Prishtinë, ka bërë arrestimin e gjashtë personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “hyrje në sistem kompjuterik, falsifikim të kartelave bankare dhe krim i organizuar”.

Sektori i Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka zhvilluar një hetim disamujor, e që ky hetim kishte të bënte me veprimtari kriminale të një grupi të organizuar që merrej me ndërhyrje në sistemet kompjuterike, falsifikimin e kartelave bankare dhe krimit të organizuar.

Të arrestuari janë: K. S 1993; E.S 1985; F. S 1987; A.Sh 1991; M.H 1961 dhe E.K 1988.

Uji Dea

Gjithashtu është bërë edhe kontrollimi i disa shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve, me ç’rast ka rezultuar me sekuestrimin e provave materiale si: dy pajisje elektronike (MSR), për klonimin e kartelave bankare; pesë kompjuterë desktop; tetë kompjuterë lap-top; nëntë telefona celularë, tri armë të kalibrave të ndryshëm dhe 31 kartela bankare të ndryshme.

Po ashtu janë konfiskuar edhe materiale dhe dokumente të ndryshme që janë përdorur për kryerjen e kësaj lloj vepre.

Të gjithë të arrestuarve me autorizim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore. /Telegrafi/

Arrestohen katër të dyshuar për shmangie nga tatimi

Janë arrestuar katër të dyshuar për veprën penale “shmangie nga tatimi”, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës që llogariten të jenë mbi 1 milion euro.
Hetuesit e Administratës Tatimore të Kosovës së bashku me hetues nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, me 5.6.2013 kanë realizuar një urdhër kontroll të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.

Realizimi i këtij operacioni të menduar mirë ka rezultuar me arrestimin e 4 të dyshuarve, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Të arrestuarit janë: K.M 1957; N.P. 1955; M.G, 1960 dhe L.J 1986.

Operacionet janë zhvilluar në tri lokacione të ndryshme, dynë rajonin e Prishtinës, një në komunën e Obiliqit dhe një tjetër në rajonin e Ferizajt, me ç’rast janë kontrolluar disa shtëpi dhe lokale përcjellëse dhe janë konfiskuar një llap-top, dy shtëpiza kompjuteri, dy vula, dokumente të ndryshme, fatura, fatura të plotësuara (transaksione fiktive), certifikata biznesi dhe dokumentacion afarist.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, katër personave të dyshuar u është caktuar masa e arrestit për 48 orë nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës që llogariten të jenë mbi 1 milion euro thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.