Amaneti i Halil Alidemës
Nga Hakif Bajrami – Halil Alidema rrjedh nga një familje atdhetare. Si djalë i atij soji patriotësh, nuk mund të rreshtohej ndryshe, përpos si patriot të reflektojë edhe në çdo shoqëri që e kishte, e prej të cilit është dëgjuar, është fol dhe është vepruar duke ndërtuar sigurt idealin e luftës për çlirim të viseve të robëruara shqiptare.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 30-vjetorit të veprimtarisë atdhetare të Halil Alidemës (15 mars 1936-19 mars 1996)
Halil Alidema rrjedh nga një familje atdhetare. Si djalë i atij soji patriotësh, nuk mund të rreshtohej ndryshe, përpos si patriot të reflektojë edhe në çdo shoqëri që e kishte, e prej të cilit është dëgjuar, është fol dhe është vepruar duke ndërtuar sigurt idealin e luftës për çlirim të viseve të robëruara shqiptare.
Halil Aledema i ka kryer të gjitha nivelet e shkollimit. Por, kualifikimin më kulmor e kishte burrërinë, besën dhe patriotizmin. E njoh, sidomos në përpjekjet që bëri për t’u regjistruar në studimet pasuniversitare, me çka donte të tregojë se nga nxënësi i shkëlqyeshëm, nga mësuesi i nderuar, nga studenti i vyeshëm admironte t’ua mësyjë majave të shkencës, ku rruga është shumë më e vështirë, por ai kishte energji dhe dëshirë të punojë, madje në tema shumë delikate siç ishte koha e: Paqes së ashtuquajtur të Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, kur kombit tonë iu shkurtuan vise të tëra vetëm pse nuk ishim sllavë. Halil Alidema me bashkëshorten, Teutën, e kishte filluar punën si mësues. Tërë veprimtarinë e tyre të mësuesisë e kishin për ideal, veprën patriotike të Petro Nini Luarasit dhe Motrave Qiriazi.
E vërteta, Halil Alidema nuk e kishte synimin të sjellë diçka të re rreth Kongresit të Berlinit, por ishte i preokupuar të bëjë zanat jetësor, studimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Halili kishte formuar bindje faktike se më 1878 në Prizren lindi fuqishëm ideja për shtet sovran dhe të pandarë, madje në 114 000 kilometra katrorë, siç dëshmon harta e Institutit Ushtarak të Berlinit nga viti 1976. Pikërisht në këtë vit kryeveziri Mithat Pasha do ta aprovojë kërkesën për themelimin e një vilajeti shqiptar, për çfarë kryeministri i Anglisë, Gladstone, më 1880 do të konkludojë: “Çdo popull i shtypur ka të drejtë të shkundë zgjedhën e tij, dhe në qoftë se shqiptarët janë mërzitur dhe janë lodhur nga robëria dhe dëshirojnë të jenë të pavarur, urimet e mia më të përzemërta për ta”. Ja këtë epokë donte ta zbërthejë mr. Halil Alidema për ta treguar vlerën historike se duhet të rreshtohemi në luftë për lirë, e pastaj bota do të na përkrahë.
Halil Aledimën do ta njohim në studimet pasuniversitare që i regjistroi pikërisht më 1978 (në njëqindvjetorin Lidhjes Shqiptare), si student kryengritës, si personalitet patriot, si patriot me shenja dalluese që mendon, flet dhe punon, për ta ndryshuar sistemin dhe përkatësinë e Kosovës në pjesë të pandarë të nënës Shqipëri, si theksonte më 1980. “Nuk ka rrugë tjetër për ta përmbysur këtë regjim gjakatar, përpos përmes kryengritjes së armatosur”. Lidhur me këtë jam i obliguar të theksoj për herë të parë, se Ruzhdi Hajdini-Xhaka, e mori armën dhe në Besi, së bashku me shokë, i dogji tri automjete të okupatorit, duke e themeluar çetën e parë të armatosur në Kosovë. Ruzhdiu ishte nën ndikimin e Halil Alidemës. Në fakt, po atë ditë, më 2 prill 1981, kur në Besi rinia kryengritëse i dogji tri automjetet transportuese ushtarake, të okupatorit, duke ua grabitur tërë armatimin dhe e themeloi çetën e armatosur. Po atë ditë në Kosovë më nuk kishte demonstrata, por kryengritje, që më vonë do të shndërrohet në UÇK. Me këto ide Halil Alidema, me shokë si: Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Hilimi Ratkoceri, Mentor Kaçi, Shemsi Reçica etj. do të burgosen për veprimtari patriotike. Ndërsa me rastin e shpërbërjes së katrahurës Jugosllavi, Halil Alidema do të rreshtohet në frontin e parë. Atë front do të përpiqet nga viti 1989 e deri më 1996 ta nxjerrë Kosovën nga “pacifizmi”, nëpërmjet Partisë UNIKOMB-i dhe ta vendosë në piedestalin e shkollës së Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Murat Xhakës, Haxhi Zekës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Adem Demaçit, Metush Krasniqit, Shaban Shalës, Fazli Greçefcit, Jusuf Gërvallës, në organizimin e kryengritjes gjithëpopullore.
Po, Halil Alidema do t’i vlerësojë demonstratat e 1968-s dhe 1981-shit si kulminative, që dëshmonin se kombi ka sajuar pjekuri, por ai donte më shumë, më shpejt, më me gjallëri, më me ngulm të fillojë lufta për liri, të cilën e ndërtonte me veprimet e veta, pa u ndalur, si bleta me shokë. Halil Alidema kështu del si patriot i veprimit ekipor e jo individual. Ky luftëtar ishte kundër çdo kulti personal. Ishte njeri i vatanit, i lindur për popull, prandaj të gjithë shokët i kishte të asaj shkolle.
Nuk mund të thuhet se Halil Alidema ka qenë njeri i ilegales, sepse ai kurrë nuk ka vepruar si i tillë, sepse është sjellë si i bindur, se vetëm krisma e pushkëve dëgjohet me kujdes në Evropë. Prandaj, do të orientohet që t’i krijojë celulat e para të armatosura, natyrisht kurrë pa ndihmën e nënës Shqipëri, pa ndihmën e oficerëve patriotë që i shtruan bazat e veprimtarisë patriotike dhe ngritjen ushtarake të: Zahir Pajazitit, Adem Jasharit me shokë shumë, të cilët i donte dhe i adhuronte duke shpërthyer si vullkan: “Ja, këta djem, burra e vasha, do ta çlirojnë Kosovën” (1992). Mr. Halil Alidema patriotëve si: Adem Jasharit të dalluar e shumë të tjerëve, të cilëve u bëri “konak”, në trevat e Shqipërisë Bregdetare, u ndihmoi të ushtrojnë gjithandej poligoneve ushtarake, me qëllim për ta dridhur okupatorin nga themelet dhe për ta shporrë më në fund nga tërë Kosova. Atyre do t’u thotë në një qendër stërvitore në Tiranë: “Ia vlen për ta dhuruar gjakun për Kosovë”, sepse e dinte se lufta pa heronj nuk do të jetë e ëmbël dhe fitimtare.
Mr. Halil Alidema me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë më 4 korrik 1992, do të gjendet në frontin e parë duke punuar për armatimin e çetave të para të UÇK-së. Atëbotë do t’ia kërcasë këngës në një banesë në Tiranë, i gëzuar se plasi lufta në mes sllavëve, e ku do të bëjnë luftë të drejtë edhe shqiptarët për shkatërrimin e Jugosllavisë:
Në Kulinë (1910) kur krisi topi për Shqipëni;
Do të ngritemi si Gjergj Kastrioti, përsëri!
Me këtë vetëdije do të gjendet në disa shtete të Evropës dhe Azisë, për ta përgatitë sheshin e filozofisë ushtarake. Do të bashkëpunojë me shumë oficerë patriotë të karrierës, për t’i mësuar ushtarët dhe oficerët e UÇK-së, për luftë frontale, ashtu si vepron çdo ushtri çlirimtare, pa e kursyer jetën, por për të bërë luftë të drejtë heroike.
Mr. Halil Alidema do të veprojë edhe në rrafshin propagandistik kombëtar. Do të orientohet që të shkruhet nga ndonjë ekspert “Libri i bardhë” (1992/3), për t’ua bërë të huajve me dije se ne nuk kërkojmë asnjë pëllëmbë toke të huaja, për të ua bërë me dije të huajve diplomatë në gjuhën: angleze, frënge, serbe, gjermane, italiane dhe shqipe, të gjitha mizoritë e okupatorit serb mbi shqiptarë, posaçërisht nga koha e Kongresit Berlinit (1878), e deri më 1989, mizori këto që mbështetshin në Naçertaninë” e Garshaninit nga viti 1844, të cilën e kishte siguruar qysh më 1986 të botuara në “Vjetrar” të Arkivit Kosovës. Atë dokument e kam botuar, por merita i takon përkthyesit nga sllavishtja e vjetër në gjuhën shqipe për herë të parë, Kardi Halimi, të cilin e respektonim sikurse Metush Krasiniqin, Adem Demaçin, Shaban Shalën, Fazli Greçefcin, Jusuf e Bardhosh Gervallën, Kadri Zekën e të tjerë heronj, të vijave të para të luftës për liri, vargu i të cilëve në vijim do të jetë shumë i gjatë që me ta dhe për ta, krenohet sot kombi, pa dilemë. Sikur një profet, do të më thotë në Tiranë më 1993:” E tërë Malësia e Mbishkodrës është gati të na ndihmojë. Dhe nga ai optimizëm doli Heroi Tahir Sinani, dolën Endrit Cara i Shqipërisë mesme, dolën edhe shumë të tjerë nga të gjitha meridianët e botës ku ka shqiptarë, vëllezër të gjakut, si do të thoshte At Shtjefën Gjeqovi famëlartë, më 1927.
Mr. Halil Alidema do të gjendet për ta njohur botën diplomatike për të drejtën e Kosovës, për t’iu bashkuar Shqipërisë me Projektin “ Kosova dëshmon”, më 17 janar 1993 në Maltë në praninë e 30 vendeve mesdhetare. Ky patriot dhe politikanë shumë shpejtë do të njihet në Tiranë me oficerët patriotë si: Ramazan Shala, Fluturak Gërmenji, Vladimir Beja Uzeir Dervishi e sidomos me mikun tim të shtrenjtë gjeneral Halil Katanën. Mr. Halil Alidem për nevoja të UÇK-së, do të sjellë në Shqipëri një sasi të madhe armatimi, i cili konsiderohej se me te, mund të zhvillohet një luftë frontale me armikun së pakut për gjashtë muaj. Çfarë ka ngjarë me atë armatim nuk mund të flas tani për tani, por fajet e atyre që sabotuan një ditë do të publikohen dhe do të mbeten persona me turp se si e injoruan Halil Alidemën dhe luftën e drejte të UÇK-së.
Meqë sëmundja ia ndërpreu hovin e aktivitetit, do të orientohet për të u lëshuar shokëve të idealit këshilla që mos ta kursejnë gjakun e tyre, sepse është momenti historik për ta shkëputë Kosova nga okupimi. Nëse Serbisë ia kallim luftën, ajo këtë luftë do ta humbë me siguri, sepse bota sot mund të informohet. E drejta është në anën tonë. Këtë fakt e kam kuptuar në Vjenë, në Romë, Paris, Maltë dhe në disa vende të Lindjes. Krimet serbe ma nuk mund të fshihen. Kjo armë duhet shfrytëzuar në çdo rrethanë, do të shkruaj Halil Alidema.
Amanetin e mr. Halil Alidemës e barti në vend Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të cilën mendoi, foli dhe veproi. Për veprimtarinë patriotike të Halil Alidemës do të flasin gjithmonë: gjaku, dheu dhe argumentet e luftës për liri dhe bashkim kombëtar.
Lavdi jetës dhe veprës së mr. Halil Alidemës!
Prishtinë, 14 mars 2016.


