Azem Vllasi u drejtohet pushtetarëve: Inate, rivalitete e përçarje, vetëm në Serbi po gëzohen
Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka kritikuar ashpër zhvillimet në skenën politike të Kosovës, duke e cilësuar situatën aktuale si pasojë të papërgjegjësisë, rivaliteteve dhe interesave personale e grupore.
Vllasi ka thënë se bllokada institucionale mund të tejkalohet dhe se nuk sheh ndonjë pengesë të pakapërcyeshme për zgjedhjen e presidentit.
“Në skenën e pushtetit shihet papërgjegjësi, diletantizëm dhe inate, e krejt pa nevojë dhe në dëm të shtetit dhe popullit”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.
Sipas tij, çështja e zgjedhjes së presidentit nuk paraqet një problem të pakapërcyeshëm, duke përmendur edhe kandidaturën e mundshme të një figure jopartiake.
“Nuk ka asnjë problem i patejkalueshëm për zgjedhjen e presidentit. Pikërisht ky kandidati jopartiak Sejdiu”.
Vllasi ka thënë se edhe brenda pozitës vërehen përçarje dhe interesa që po ndikojnë në funksionimin institucional.
“Njësoj sikur pozita. Inate, papërgjegjësi, rivalitete, përçarje, arsye personale e grupore”, theksoi ai.
Ai ka paraqitur edhe një mënyrë se si, sipas tij, mund të tejkalohet situata aktuale institucionale, duke kërkuar funksionalizimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe më pas zgjedhjen e presidentit.
“Me këta njerz që po keqpërdorin votat me cilat kanë hyrë në parlament, zgjidhje ideale nuk ka. Duhet që t’i votojnë nënkryetarët e parlamentit që u takojnë grupeve parlamentare, Kurti të propzoi përbërjen e qeverisë dhe për atë duhet të debatohet, por Kurti i ka votat dhe të del nga statusi i “Kryeministrit në detyrë” që, si duket shum po i pëlqen. Pastaj të sigurohet prezenca e duhur në parlamet dhe të zgjidhet presidenti”, shtoi Vllasi.
Vllasi ka paralajmëruar se një proces i ri zgjedhor, në rrethanat aktuale, do ta thellonte krizën politike dhe do të dëmtonte edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte vazhdim i agonisë me pasoja të pariparushme. Dhe, çka të pritet nga to nëse i organizojnë dhe kandidojnë këta të njejti. Pasojat e këtyre sjelljeve të papëgjegjshme dhe bllokades në të cilën na ka sjell kjo strukturë qeverisëse dhe parlamentare e dëmtojnë shum edhe poziten ndërkombtare të vendit. Miqtë dhe përkrahësit tanë nga shtetet perendimore janë të habitur. Është rrezik që të na kthejn shpinen. Vetëm në Serbi po gëzohen për sjelljet dhe budallakitë të pushtetarëve tanë”.
Gjatë ditës së sotme deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish.
Në këtë seancë si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e pesë nënkryetarëve.
Seanca e të mërkurës është shtyrë për shkak të mosëmarrëveshjes ndërmjet partive politike për zgjedhjen e nënkryetarëve. Seanca nis nga ora 11:00.


