Akuzohen 5 shqiptarë dhe një belg, kanë tregtuar 28 kg drogë

Gjashtë persona nga Shqipëria, Kosova, Austria dhe Belgjika po përballen nga e marta, në Gjykatën e landit në Klagenfurt, Austri, me padinë për tregti me materie narkotike.
Sipas padisë, në muajin prill ata i kishin ofruar një personi të maskuar si klient e që ishte hetues i fshehur 25 kilogramë marihuanë. Veç kësaj ata akuzohen se kanë kontrabanduar në Austri më shumë se 3 kilogramë kokainë. Kokaina e ofruar,ishte “e kualitetit më të lartë” dhe kishte vlerën në treg prej 500 mijë eurosh, pati deklaruar policia austriake në muajin maj kur ishte kapur grupi njofton albinfo.
Udhëheqësi i bandës është një 37 vjeçar, i cili në grup e ka përfshirë edhe vëllanë e tij 34 vjeçar. Ndërsa kokaina është gjetur në banesën e të akuzuarit të tretë, një 36 vjeçari. Dy shqiptarë me qëndrim në Itali akuzohen se kanë lidhur kontaktin me furnizuesin me drogë, i cili është një belg i moshës 61 vjeçare.
Tre të akuzuarit e parë kanë hedhur poshtë akuzën. Ndërsa “shefi” i grupit pranon se ka pasur një kontakt, por insiston se është detyruar nga një hetues i fshehur që të sigurojë një sasi kokaine për personin me të cilin e ksihte kontaktin.
Procesi vazhdion sot me dëgjimin e dëshmitarëve.