AKR mbanë takim në Fushë Kosovë, prezanton projektet në këtë Komunë

Aleanca Kosova e Re ka vazhduar vizitat para zgjedhore në degët e saj në komunat e Kosovës, ku sot ka mbajtur takim me anëtarë dhe simpatizantë të saj në Fushë Kosovë.

Në këtë takim, në emër të AKR-së folën deputeti Islam Pacolli dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të cilët prezantuan projektet që janë realizuar në këtë komunë nga ministritë që udhëheq AKR-ja.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli, tha se AKR gjatë qeverisjes ka përkrahur të gjitha komunat e Kosovës me projekte të ndryshme zhvillimore.

“Ministrat tanë gjatë udhëheqjes së tyre kanë përkrahur të gjitha komunat e Kosovës me projekte të ndryshme dhe ne kërkojmë nga qytetarët e Fushë Kosovës që të na përkrahin edhe më tutje që të mund të vazhdojmë të japim kontributin për vendin tonë” u shpreh deputeti Pacolli.

Ministri i MMPH-së, kandidati për deputet, Fatmir Matoshi foli rreth vizionit të presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, për të cilin tha se ka bërë shumë për Kosovën dhe për këtë meriton përkrahjen e qytetarëve të vendit. Ai po ashtu ka shpalosur projektet të cilat ka kryer ministria që ai drejton në qytetin e Fushë Kosovës dhe ka kërkuar përkrahjen e tyre që koalicioni NISMA dhe AKR të jenë triumfuese në zgjedhjet e 6 Tetorit.

“Një javë para shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës janë miratuar 78 milion euro nga fondet e IPA-s, të cilat do të shfrytëzohen për ndërrimin e filterave të termocentralit Kosova B e cila do të ketë ndikim enorm në mos ndotjen e ajrit të Fushë Kosovës. Ne gjithashtu Brenda një jave do të jemi në Fushë Kosovë, për të filluar rregullimin e shtratit të lumit të bardhit të madh”, tha Matoshi.

Driton Hasolli, asambleist i Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e AKR-së, tha se gjatë kësaj periudhe si përfaqësues i AKR në asamblenë e Komunës ka iniciuar shumë projekte të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, ndërsa, ai më kryesori është projekti i aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për rregullimin e shtratit të lumit të bardhit të madh, i cili ka vlerë 250 mijë euro.
Në fund të takimit u bë edhe prezantimi i kandidatëve për deputet nga AKR, Islam Pacolli, Fatmir Matoshi, Vesel Makolli, Alma Lamçja, Ymer Rogova, Nusret Qubreli dhe Avdullah Mehmeti.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS