AKP-ja shet pronën e uzurpuar

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e 21 të likuidimit ka nxjerrë në shtije disa ndërmarrje, kryesisht toka bujqësore, por një pjesë e tyre janë të uzurpuara nga persona të panjohur deri më tash për agjencinë. AKP-ja ka nxjerrë në shitje një pronë të “NBI Rahoveci”e cila ka një sipërfaqe prej më shumë se një hektar, e që gjendet në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit.
Por, ajo aktualisht është e uzurpuar nga persona që tash për tash as Agjencia e Privatizimit nuk ka mundur t’i identifi kojë. Po ashtu edhe një pronë tjetër prej 17166 metra katror, pronë e ish ndërmarrjes “NBI Rahoveci” është nxjerrë në shitje përmes procesit të likuidimit.
Po ashtu, edhe kjo gjendet në fshatin Xërxë të kësaj komune. Mirëpo, njëjtë sikurse prona e parë edhe kjo është e uzurpuar nga persona deri tash të panjohur nga Agjencia që po e bën privatizimin e tyre.
Shkelzen Lluka, drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit thotë se deri më tash AKP-ja ka dërguar në gjykatë më shumë se 500 padi për persona të papërgjegjshëm që kanë uzurpuar pronën Shoqërore. Por sipas tij, ka edhe shume raste kur AKP-ja nuk ka mundur të identifikojë uzurpatorin.
Ai thotë se për ndërmarrjet që shiten përmes formës së likuidimit AKP-ja nuk merr asnjë përgjegjësi në të ardhmen. “Të gjithë ata që janë të interesuar mund ta shikojnë pronën dhe ata vetë marrin vendim. AKP-ja nuk merr asnjë përgjegjësi që dalin në të ardhmen”tha ai për “Zërin”.
Sipas Llukës edhe në valët e mëhershme ka pasur raste kur ndërmarrjet kanë qenë të uzurpuara, por ato pa asnjë problem janë shitur përmes procesit të likuidimit. Por, përveç ndërmarrjeve të uzurpuara në këtë valë të likuidimit AKP-ja ka nxjerrë edhe shumë toka bujqësore, por edhe lokale në veri të Kosovës.
Po ashtu, në këtë valë të likuidimit AKP-ja ka nxjerrë në shitje edhe disa prona, kryesisht lokale në pjesën e veriore të Mitrovicës. Mirëpo, edhe një pjese e tyre janë fare pa dokumentacion përkatës rreth pronësisë.
“Aseti gjendet përballë shkollës së mesme teknike në pjesën veriore të Mitrovicës. Dyqani është montazh dhe ka një sipërfaqe prej rreth 40 m2. Investitorët potencialë duhet të jenë në dijeni se sipërfaqja e lokalit është marrë nga lista e aseteve të ndërmarrjes, pasi nuk disponojmë dokumente tjera të pronësisë. Po ashtu zyrtarët e AKP-së nuk kanë munduar ta realizojnë vizitën dhe matjet në teren, pasi që lokali gjendet në pjesën veriore të qytetit. Nuk ka tokë që do të transferohet tek investitorët potencialë. Prona e përfshirë në këtë shitje aktualisht shfrytëzohet nga palët e treta pa marrëveshje të qirasë me AKP-në”, thuhet në njoftimin për shitje të AKP-së.
Më tej, në njoftim thuhet se do të jetë përgjegjësi e blerësve potencialë për të bërë hulumtimin e tyre për shkak të situatës. “AKP nuk do të merr përsipër asnjë përgjegjësi për çdo kosto ose barrë që rrjedh më vonë”, thuhet më tej.
Po ashtu, njëjtë si kjo AKPja ka nxjerrë në shitje përmes procesit të likuidimit edhe disa ndërmarrje tjera që gjenden në veri të Mitrovicës, por edhe Zubin Potok, qytet ky i banuar me popullatë të nacionalitetit serb./zeri/