Mobi Casa

Në Viti mbahet takimi Iniciues për Themelimin e Këshillit Publiko-Privat për nxitjen e investimeve Lokale

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Në Viti u mbajt sot takimi iniciues për themelimin e Këshillit Publiko-Privat, një iniciativë që synon të forcojë bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat në zhvillimin e projekteve lokale. Në këtë takim që u organizua nga USAID-i amerikan, morën pjesë përfaqësues të qeverisjes lokale, bizneseve të Vitisë, si dhe ekspertë të fushës së ekonomisë dhe menaxhimit publik.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi rëndësinë e këtij këshilli, duke deklaruar se “Këshilli Publiko-Privat do të funksionojë si trup konsultativ joformal dhe këshillëdhënës për të ndarë përvojat dhe për të lehtësuar konsultimet mes meje si kryetar dhe sektorit privat, me qëllimin kryesor që të përmirësojmë kornizën ligjore në fushën e së drejtës pronësore, për të nxitur investimet në komunën e Vitisë.”

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset dhe investitorët.

Në këtë takim foli edhe Jennifer N. Ober, drejtoreshë e aktivitetit të USAID-it për Qeverisjen e Pronës, e cila mes tjerash u shpreh e kënaqur që po takon biznese shumë të suksesshme të komunës së Vitisë.

Fundamenti

Ajo theksoi rëndësinë e këtyre ndërmarrjeve në zhvillimin ekonomik lokal dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet për përmirësimin e qeverisjes së pronës dhe klimës investuese në këtë komunë.

Më pas u diskutua mbi sfidat dhe çështjet e ndërlidhura me menaxhimin, dhënien dhe këmbimin e pronës komunale, partneritetin publiko-privat dhe mbështetjen e bizneseve me pronare gra.

Takimi përfundoi me një diskutim të hapur mes pjesëmarrësve, të cilët ndanë ide dhe sugjerime mbi mënyrat më të mira për të funksionalizuar këshillin, me qëllim që të maksimizohet përfitimi i të dyja palëve dhe të përshpejtohet zhvillimi i projekteve në komunë./rajonipress/