Uji Dea

Ajshe Godanca ishte një emër i respektuar në Gjimnazin e Gjilanit

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Dihet, vdekja vjen pa ftesë. Pa ftesë e mori edhe Ajshe Godanca –Behluli, profesoreshën disavjeçare në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Ajo sot mungon. Por, vepra e saj është e “gjallë” dhe jeton. Ajo vdiq në moshën 77-vjeçare. Një vdekje e natyrshme, por me dhembje. Ajsha ishte një femër e shkolluar dhe me dinjitet. Sa punoi në Gjimnazin e Gjilanit, ajo qe e respektuar jo vetëm nga kolegët, por edhe nga shkollarët e saj.

Në Gjimnazin e Gjilanit ajo filloi të punojë aty kah viti 1963. Atë kohë, Ajsha ka ligjëruar lëndën e matematikës. Matematikën e dashur shumë sa, ora e saj ishte një orë që plot dije për shkollarët që jetonin me numra, thyesa, kënde e me detyra të kësaj fushe të dijes. Pak njerëz ishin atë kohë që e kishin të kryer matematikën. Këta njerëz numëroheshin në gishta. Ajo (Ajsha) qe një Afërditë e shkollës shqipe. Çdo herë kur vinte në mësim, me vete mbarte libra jo vetëm nga lënda e matematikës, por edhe libra të tjerë nga letërsia etj.

Ajsha e Rashit Godanca, burri i saj, ishin dy shtylla të forta të Gjimnazit të Gjilanit. Ajsha ishte profesoreshë e respektuar nga të gjithë. Ajo mbante përherë qëndrim të papërkulur para të gjithëve. Ishte e afërt me shokë e shoqe. E donin të gjithë, por edhe ajo i deshi kolegët dhe shoqet e saja të punës.

Gjimnazi, ku ligjëroi Ajsha, ishte njëra nga vatrat e hershme të arsimit ku vijonin mësimet shkollarët e vyer për të vazhduar studimet të mëtutjeshme. Ajsha Godanca ishte një pedagoge fort e dhënë pas lëndës së matematikës. E donte punën me ditar në dorë. Ora e saj ishte një orë shkencore me shumë mjete konkretizimi. Sot, shkollarët e saj, që janë mjaft në moshë, për Ajshe Godancën flasin vetëm fjalë miradije.

Edhe Aliriza Selmani, profesor i historisë, tash në pension, për Ajshe Godanca, flet vetëm fjalë miradije. “Ajo (Ajsha) thotë se ka qenë njeri energjik dhe shumë e rreptë në procesin mësimor. Nuk ka pritur të bie zilja dhe ajo është gjendur në orë mësimore. Gjithnjë ka qenë e përgatitur me fletore, libra e me vizore e mjete tjera. Ka qenë punëtore e vërtetë e arsimit”.

Uji Dea

Ajshe Godanca (Behluli) është e lindur, më 25 nëntor të vitit1938 në Gjilan. Shkollën fillore e ka kryer në Gjilan. Gjimnazin, deri në klasën VI e ka mbaruar në gjuhën shqipe. Në vitin 1954, pas mbylljes së paraleleve shqipe, është detyruar që të vazhdojë gjimnazin në gjuhën serbo-kroate. Ajshe Godanca ka diplomuar në vitin 1956 dhe më pas është regjistruar në degën e Matematikës në Shkup. Është ndër femrat e para shqiptare të Gjilanit që studioi shkencat natyrore. Një femër me dinjitet dhe shumë e përkushtuar ndaj arsimit shqip. Në vitin 1960 filloi punën në Shkollën e Mesme Ekonomike “Dragi Popoviq”, tash “Mehmet Isai” në Gjilan. Këtu ka punuar deri në vitin 1963. Prej vitit 1963 deri me 1976, ka punuar në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Në vitin 1976 e lë Gjilanin dhe kalon me familje në Prishtinë. Pensionohet në vitin 1991.

Siç dihet, në Gjimnazin e Gjilanit, gjatë vitit 1972/73, mësim kanë dhënë këta profesorë, si: Emrush Haliti, Nuhi Rexhepi, Muzafer Gjinolli, Haxhi Vokshi, Veli Beqiri, Sadri Shkodra, Ajshe Godanca, Ejup Dërmaku, Ilaz Matoshi, Isak Bajrami, Ruzhdi Ushaku, Qemajl Kryeziu, Qazim Selimi, Engjëll Sedaj, Rashit Godanca, Osman Rashiti (Bursa – Turqi, i vdekur 1969), Reshat Ramadani, Aliriza Selmani, Ferat Rexhepi, Asllan Isufi, Xhafer Xhaferi, Hamzë Halimi ( i ndjerë), Ramadan Rahimi, Ahmet Veseli, Jetullah Haliti, Metush Idrizi, Kemajl Halimi, Hamdi Sejdiu, Ramiz Zeka (nga Cërnica- i ndjerë), Selman Vokshi, Rexhep Munishi, Xhevat Ismajli (i ndjerë) etj.

Sot, motra e saj, dr. Meleke Behluli – Nimani thotë se, Ajsha ka qenë një punëtore e madhe e arsimit shqip. Ajo shumë e ka dashur profesionin e saj. “Motra ime, Ajsha, ka ndërruar jetë më 16.11. 2015. Tash e një vjet më parë. Ajo, jo se ishte motra ime, por vështirë është ta gjesh ndonjë koleg ose kolege që flet fjalë tjera, pos fjalë miradije. Ajo e ka dashur shumë profesionin e vetë. E kanë respektuar nxënësit e shkollës, por edhe ajo i ka dashur dhe i ka afrue shkollarët me punë e me vepra. Është një fakt se, ajo shkollarëve të saj ua mbante emrat në mend, gati të secilës klasë ku jepte mësim. Në raste të ndryshme, kur ajo takohej me ndonjërin nga shkollarët, ajo tregonte respekti që kishte ndaj tyre, e shprehte me një kënaqësi të veçantë”.

Sipas meje, shtoi znj. Meleke, – motra Ajsha ka qenë një person shumë i fuqishëm, edhe pse jeta e kishte provuar mjaft me probleme. Ishte njeri me interesime të shumta. Lexonte pa u ndalë libra më të ndryshëm. Por, kur vinte koha e lajmeve, ajo vazhdimisht e përcjellte situatën për gjendjen në Kosovë. U brengoste për shumë gjëra që nuk po shkonin si duhet, e sidomos e brengoste gjendja e arsimit tek ne. Të shtoj edhe këtë, se, për ne familjen, ajo ishte një humbje e madhe. Unë, shton Melekja, – vazhdimisht e ndiej mungesën madhe të saj”. /tefik selimi/rajonipress/