FIDANISHTJA

Administrimi ushtarak në Kosovë, 8 shkurt 1945

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sabile Keçmezi-Basha – Pushteti i administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në kohën kur organet më të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së vendosën që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij.

Qëllimet e këtij pushteti ishin:
1. Administrimi ushtarak synonte t’ua mohonte shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin realizuar gjatë luftës;
2. T’ua impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë së pasluftës;
3. Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet shpërthimin e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore;
4. Të thyente rezistencën e popullit shqiptar që kishte filluar në anë të ndryshme të Kosovës;
5. Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare, që do t’i vijë në ndihmë Kosovës, dhe 6. Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e forcave “kundërrevolucionare” shqiptare në Kosovë.

Administrimi ushtarak në Kosovë u vendos më 8 shkurt 1945, me propozimin e J. B. Titos. E gjitha kjo u konceptua si riorganizim i formacioneve ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua me formimin e brigadave dhe të divizioneve të reja, marrjen e masave për thyerjen sa më të shpejtë të rezistencës në Kosovë, që u organizua në disa pjesë të saj. Gjatë ekzistencës së pushtetit ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin e kontingjenteve të të rinjve shqiptarë nga këto treva, të cilët u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në radhët e “brigadave të punës”. Rruga që përshkuan këta të rinj ishte shumë e vështirë, për arsye të presioneve të shtabeve jugosllave.

Ndryshime të shumta u bënë në organizimin e reparteve ushtarake, në kuadrin komandues të këtyre reparteve dhe të seksioneve të shtabit të qarkut. Për drejtimin e tyre u caktuan kuadro serbe e malazeze, të cilët në shumë raste u thirrën nga rajonet e tjera të Jugosllavisë. Nga detyra u shkarkua Fadil Hoxha, i cili në këtë kohë ishte komandant i Shtabit Kryesor, e më pas i Shtabit Operativ të Kosovës. Shef i Shtabit Operativ për Kosovë u emërua Dushan Vukotiçi, i cili deri në atë kohë kishte qenë zëvendëskomandant i Divizionit 46-të jugosllav. Shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviç, i cili u dërgua nga Shtabi Kryesor i Serbisë. Nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët. Vetvetiu kuptohet qëllimi i administrimit ushtarak.

Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit Suprem. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë. Populli, për ditët që do të vijnë, filloi të jetojë në ankth.

Ndërsa më 19 shkurt 1945 (11 ditë pasi u vendos Administrimi ushtarak) në Prishtinë, OZNA dhe ushtarakët thirrën mbledhjen e Komitetit Krahinor të PKJ- së dhe morën vendim që organizata partiake e Kosovës t’i bashkëngjitej organizatës partiake të Serbisë . Për të gjitha këto ndërmarrje populli e anëtarësia nuk pyetej fare. Por, edhe sikur të pyeteshin, përfaqësimi i shqiptarëve në radhët e PKJ-së ishte shumë i vogël. Nga kjo del se pas luftës aspiratat kombëtare të popullit shqiptar në ish Jugosllavi nuk u morën parasysh, por u shtypën me dhunë e terror. Udhëheqja e PKJ-së dhe politika serbe i shfrytëzuan si marrëdhëniet që u krijuan ndërmjet PKJ-së dhe PKSh-së ashtu edhe parullat për “vëllazërimin, bashkëpunimin e internacionalizmin”, për realizimin e qëllimeve të veta grabitqare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar që u manifestua edhe më vonë.

Po qe se shqyrtojmë hollësisht dokumentet ushtarake (LANÇ) dhe partiake (PKJ), nxjerrim përfundimin, se Kosova si njësi autonome nuk lindi pas vitit 1945, por autonomitetin e saj e gjejmë shumë më herët. Ajo gjatë gjithë viteve të luftës pati të drejta të barabarta, si edhe republikat e tjera të ish Jugosllavisë. Mirëpo, ç’është e vërteta, populli shqiptar asnjëherë nuk e shikoi me “admirim” pushtetin e ri, që kishte gdhirë mbi Kosovën pa dashjen e saj. Edhe në dokumentet partiake të kohës thuhet se shqiptarët me vështirësi pranonin të anëtarësoheshin në radhët e PKJ-së. Vetëm në mars të vitit 1945, në Kosovë kishte 1020 anëtarë të PKJ-së, prej tyre vetëm 328 ishin shqiptarë, ose 33% nga numri i përgjithshëm. Përbërja kombëtare ndryshonte edhe në komitetet partiake të rretheve. Pas lufte, organizata partiake në Kosovë u nda në shtatë komitete partiake të rretheve. Vetëm në komitetin e rrethit partiak të Gjakovës, sekretar i organizatës ishte shqiptar (Xhevdet Hamza). I cekëm sekretarët e komiteteve vetëm e vetëm që ilustrimi i padrejtësive në përfaqësimin e strukturës kombëtare të jetë më argumentues.

Diskriminimi kombëtar vërehet edhe në udhëheqjen më të lartë partiake të Kosovës. Sekretar politik i Byrosë së Komitetit të Partisë për Qarkun e Kosovës ishte Milladin Popoviçi, sekretar organizativ ishte Dushan Mugosha, ndërsa anëtarë të saj ishin: Pavle Joviçeviç, Spasoje Gjakoviç, Ismet Shaqiri, Fadil Hoxha, Boshko Çakiq, Xhavit Nimani, Kërsta Filipoviç dhe Mita Milkoviç. Po kjo gjendje e organizimit partiak për nga struktura kombëtare u ruajt edhe pas vrasjes së Miladin Popoviçit (13 mars 1945), e cila zgjati deri në vitin 1968, kur për herë të parë u zgjodh një shqiptar, Veli Deva. Mund të themi lirshëm se e tërë kjo ishte bërë me paramendim, ngaqë organet partiake luanin një rol shumë të madh për vendosjen e fateve të kombeve në ish Jugosllavi.

Dhe do të shtoja se, asnjë komb në ish Jugosllavi nuk ishte i ndarë më dysh dhe i copëtuar si shqiptarët, ku gjysma e tij quhej komb dhe gjysma tjetër kombësi. Asnjë komb në ish Jugosllavi nuk ishte më i ekspozuar ndaj dhunës, dhe, nuk e ka përballuar atë, ashtu sikurse e përjetoi populli shqiptar, dhe, asnjë kombi, nuk i është rrezikuar ekzistenca e substancës kombëtare, sikur e shqiptarëve.

KKVITI

Më 8-13 maj 1945, në Beograd u mbajt Kongresi Themelues i PK të Serbisë. Në të, përveç konstatimit se “është zgjidhur çështja e pakicave kombëtare”, që e diskutoi sekretari politik i Komitetit Krahinor të PKS-së për Kosovë, Gjoka Pajkoviçi, në mes tjerash ceku edhe dobësitë e gabimet e shumta që u bënë ndaj popullit të Kosovës.
Po në këtë tubim, për të njëjtat gabime foli edhe Aleksandër Rankoviçi, njeriu më i dëshmuar për krimet që kishte bërë ndaj shqiptarëve. Këto dy dëshmi dolën nga ata, që nuk kursyen asgjë për likuidimin e shqiptarëve. Shtrohet pyetja, pse e bënë këtë?! Për të lehtësuar ndërgjegjen e tyre, apo për të fshehur masakrat e tjera, që u bënë në mënyrën më tinëzare, në natën e historisë. Mendoj, se, kjo e dyta është shumë më afër mendjes, e në favor të saj flasin shumë likuidime dhe shumë varre masive të shqiptarëve, si në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e për të cilat askush nga kompetentët nuk mori përgjegjësinë.

Planet për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare ishin, që ato të serbizohen dhe të sllavizohen, prandaj me shpejtësi, menjëherë pas “çlirimit” në vendet kyçe udhëheqëse në Kosovë, u caktuan serbët e malazezët si në gjykata e vende të tjera. U hoq Gjyqi Krahinor dhe me kërkesën e drejtpërdrejt të Dushan Mugoshës, u krijuan katër gjykata qarqesh: në Pejë, në Prizren, në Prishtinë dhe në Gjilan (me qendër në Ferizaj), ku të katër kryetarët e gjykatave ishin serbo-malazezë: Petar Shoshkiç, Dragutin Jakiç, Voja Stankoviç dhe Svetozar Nediç . Serbët e malazezët dominonin edhe në Këshillin Krahinor, në Komitetin Krahinor dhe në çdo vend tjetër me rëndësi politike.

Kosova, më 8-10 korrik 1945, do të shkojë në Konferencën e Dytë të Këshillit NÇ për Kosovë që u mbajt në Prizren e dërrmuar nga pushteti ushtarak. Siç është e ditur, kjo konferencë u mbajt nën presion dhe nën kërcënimet e grykës së pushkëve. Pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin serbët e malazezët, por për të krijuar çoroditje te delegatët shqiptarë ata kishin vënë në kokë plisa të bardhë.

Në mënyrë arbitrare, ky kuvend, shpalli të paligjshme dhe korrigjoi vullnetin dhe aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, të shprehura në Konferencën e Parë të Këshillit NÇ për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, të mbajtur në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (31 dhjetor 1943 – 1 e 2 janar 1944). Konferenca u mbajt në kohë lufte dhe pikërisht në atë kohë kur edhe kombet e tjera të Jugosllavisë themeluan organet më të larta të pushtetit të dala nga LANÇ, në kohën kur çdo komb po realizonte sipas dëshirës e vullnetit të tij të drejtën për vetëvendosje, por për shqiptarët sipas të gjitha gjasave nuk vlenin këto parime.

Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar, mbledhja e Bujanit përcaktoi si synim madhor bashkimin e tokave shqiptare. Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem, edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saj. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar, lufta dhe sakrificat e bëra. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim, ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullatën shqiptare.

Të gjitha këto padrejtësi me arsye krijuan tek shqiptarët pakënaqësi. Për këtë, një organizim më i shpejtë dhe më i mirë pritej nga patriotët e intelektualët. Në këtë periudhë dhe nën këtë trysni të vazhdueshme lindën dhe vepruan forcat nacionaliste që në mënyrë të organizuar, përmes organizatave ilegale artikuluan qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: çlirimi i Kosovës dhe bashkimi me shtetin amë- Shqipërinë. Edhe pse pushteti jugosllav i dinte qëllimet e nacionalizmës shqiptare, ajo propagandonte se, këto organizata ishin armiqësore, nacionaliste, separatiste, dhe që vepronin pa sukses, të nxitura nga shtetet perëndimore.

Në këto momente kritike të historisë, nacionalizmi shqiptar ende zotëronte një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën.

Bërthamën e forcave nacionaliste për formimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare e gjejmë në nëntor 1944. Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës, më 1 dhjetor 1944 , lindi ideja që në çdo pjesë të Kosovës, aty ku jetojnë shqiptarët të formohen organizatat ilegale si dhe grupet më të vogla të ilegales shqiptare. Në vazhdën e këtij aktiviteti të lëvizjeve atdhetare, u formuan shumë organizata patriotike shqiptare, me një distancë kohore të caktuar, e, që manifestoheshin sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste siç ishin: Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSh), Besa Kombëtare (BK), Organizata nr. 2 dhe Këshilli i të Dymbëdhjetëve e disa të tjera më pak të njohura.

Në këto grupime nacionaliste përfaqësoheshin gjerësisht inteligjencia e re shqiptare e cila aspironte për një Shqipëri të bashkuar dhe demokratike. Nga ana tjetër, është e domosdoshme të nënvizohet se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial nga nacionalizmat e tjerë ballkanik. Ai në veprimtarinë e vet nuk ishte ekstrem, nuk kishte parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohej në fundamentalizëm fetar dhe në ekskluzivizmin etnik.