Fundamenti

Adem Demaçi dhe kontributi i tij në KMDLNJ

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Nga Behxhet Sh. Shala – Fillimi para përfundimit: Që nga themelimi i shtetit serb, në kohën e mbretërisë serbo-kroato-sllovene, Mbretërisë së Jugosllavisë, Jugosllavisë së AVNOJ-it, Republikës socialiste të Jugosllavisë, Jugosllavisë së Zhablakut dhe Serbisë së Sllobës, shqiptarët u ishin nënshtruar një terrori shfarosës duke ua rrezikuar edhe vetë qenien e tyre. Shqiptarët ishin krejtësisht të pambrojtur dhe nga asgjësimi si komb shpëtuan vetëm falë kryengritjeve të pareshtura dhe sakrificave titanike kundër armiqve shumë të fuqishëm dhe aleatëve të tyre, gjithashtu të fuqishëm dhe ndikues në zhvillimet historike, politike dhe strategjike të asaj kohe.

Fillimisht shqiptarët nuk kishin elitë intelektuale nga do të dilte një klasë politike që do t’i mbronte interesat e popullit që i takonin, ndërsa në jo pak raste intelektualët dhe politikanët e shartuar nga okupatorët ishin më të dëmshëm dhe më të pashpirt se vetë okupatori. Sidomos kjo vlen pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kur Kosova mbeti nën Serbinë dhe Jugosllavinë në mënyrë të dhunshme, ndërkohë që Shqipëria nuk kishte as vullnet, as gatishmëri e as forcë ta përmbushë misionin e saj historik, bashkimin e trojeve dhe bashkimin e kombit shqiptar.

Ky ishte dështimi historik i Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj që flirtonte me Jugosllavinë në dëm të shqiptarëve të Kosovës që vriteshin dhe masakroheshin nga çetnikët të konvertuar në komunistë dhe partizanë. Në atë kohë të drejtat e njeriut, ku bëjnë pjesë të drejtat ekonomike, sociale, kulturore, politike dhe kombëtare të shqiptarëve, nuk kishin kuptim sepse shqiptarët nuk konsideroheshin e as nuk trajtoheshin si njerëz. Rezistenca e shqiptarëve mbeti zinxhir i pakëputur deri në kohën kur e fituam një gjysmë liri. Shqiptarët mund ta sensibilizonin opinionin ndërkombëtar vetëm me anë të vuajtjeve dhe qëndrimeve në burgje, për bindje politike. Çdo aktivitet tjetër konsiderohej si aktivitet kundërrevolucionar, terrorist, irredentist dhe separatist, prandaj edhe nuk kishte përkrahje ndërkombëtare. Atëbotë nuk dinim se çka ishin të drejtat e njeriut sepse bënim përpjekje për ta siguruar mbijetesën fizike, qoftë si individë, qoftë si komb. Me arrestimin dhe mbajtjen në burgjet dhe llogoret e ish-Jugosllavisë së Bacë Adem Demaçit për më tepër se 28 vjet, opinioni ndërkombëtar ngjalli interesimin për Luftëtarin e Madh për Lirinë e Fjalës dhe të Burgosurin e Ndërgjegjes, Bacë Adem Demaçin, prandaj edhe shqiptarët filluan të njiheshin si një komb i shtypur dhe i persekutuar brenda kornizës së dhunshme që quhej RSFJ. Mijëra e mijëra shqiptarë u rreshtuan pas Idolit dhe Idealit të Fjalës së Lirë, Bacë Adem Demaçi, duke u shndërruar në shkronja të përpjekjeve për liri dhe çlirim. Me Bacë Adem Demaçi u krijua alfabeti i lirisë, ku të drejtat e njeriut shërbyen si pretekst për një kontekst shumë më të gjerë dhe më sublim e që ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i natyrshëm me Shqipërinë. Të drejtat e njeriut ishin rrugë me gjemba për shumicën e shqiptarëve që domosdoshmërish duhej ta kalonim dhe e kaluam. Baca Adem Demaçi ishte ligjëruesi më i mirë i të drejtave të njeriut për shqiptarët e burgosur në kampet jugosllave dhe për ata që mbaheshin në kampet apo burgun më të madh të hapur e që quhej Kosovë. Ai ishte mësimi teorik dhe shembulli praktik se si mbrohen të drejtat e njeriut.

Lirimi i vogël për një burgosje të madhe:
Që nga vitet e ’70-ta e deri te vitet e ’90-ta, së paku 90 % e të burgosurve politikë në Jugosllavi ishin shqiptarë andaj flitej për modelin e të burgosurit politik shqiptar. Me pavarësimin dhe ndarjen nga Jugosllavia, Kroacia dhe Sllovenia i liruan të burgosurit politikë shqiptarë në fillim të viteve ’90-ta, para se të fillonin luftën me Serbinë. Në ndërkohë në Kosovë kishte filluar një organizim politik i shqiptarëve fillimisht duke e formuar Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (14 dhjetor 1989) dhe pastaj edhe partitë politike, LDK-ja dhe Partia Fshatare.

Në fillim KMDLNJ nuk kishte as zyrë, as mjete teknike si dhe materiale për ta ushtruar veprimtarinë andaj përballej me vështirësi sepse të gjitha aktivitetet bëheshin në lokacione të papërshtatshme. Nuk kishte as degë apo nëndegë në terren sikur as nivel përfaqësues. Me ardhjen e Bacë Adem Demaçit në krye të KMDLNJ-së, u sigurua zyra në Bashkësinë Islame të Kosovës falë Dr. Rexhep Bojës dhe filluan organizimet në terren. U siguruan mjete të domosdoshme materiale për t’i mbuluar shpenzimet e zyrës në Prishtinë. Brenda një kohe të shkurtër Baca Adem Demaçi e bëri shtrirjen e KMDLNJ-së në tërë territorin e Kosovës duke mbuluar me informata çdo ngjarje të asaj periudhe. Informatat mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë publikoheshin shpejt dhe ishin aq të sakta sa që nuk ndodhte që as regjimi i Serbisë, si ushtrues absolutë i dhunës mbi shqiptarët, t’i përgënjeshtrojë ato. Këto informata dhe raporte për të drejtat e njeriut, me sugjerimin e Adem Demaçit përktheheshin në gjuhën angleze dhe serbe duke iu dërguar organizatave relevante ndërkombëtare për të drejtat si: Human Rights watch, Amnesty International, “FIDH”, Federata Ndërkombëtare e Komitetit të Helsinkut, Shoqatës së Popujve të Rrezikuar etj. sikur edhe qendrave të vendosjes në Uashington dhe Bruksel. Të gjitha rezolutat e Kongresit dhe Senatit amerikan sikur edhe të Komisioneve dhe Nënkomisioneve për të Drejtat e Njeriut të OKB-së mbështeteshin në raportet e KMDLNJ-së dhe ishin shumë të besueshme. Adem Demaçi, si kryetar i KMDLNJ dhe autoritet moral për të drejtat e njeriut në nivel botëror (ishte fitues i “Çmimit Saharov” dhe shumë çmimeve tjera botërore për liri të shprehjes dhe i burgosur i ndërgjegjes) i siguroi KMDLNJ-së përfaqësim ndërkombëtar përmes anëtarëve të nderit që ishin autoritete intelektuale dh morale në vendet e tyre.

Hidromorava

Pas daljes sime nga burgu (mesi i vitit 1990) njerëzit e parë që më vizituan në shtëpi në Besianë ishin Bacë Adem Demaçi dhe Bacë Ahmet Haxhiu. Bacë Adem Demaçi më ndau anash duke më ngarkuar me themelimin e zyrës së KMDLNJ-së për Besianë e cila do t’i mbulonte të gjitha fshatrat e Llapit dhe Gollakut. Më tha se ky organizim do të na duhej më vonë pa më treguar menjëherë se për çfarë do të na duhej. Listat e ushtarëve të vrarë shqiptarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë, e nxënësve të helmuar dhe mostrën e helmit, me sugjerimin e Bacës Adem i dërgova në Zagreb dhe ia dorëzova Rektorit të Universitetit të Zagrebit Prof. Dr. Zvonimir Sheparoviq dhe Dr. Slobodan Lang. Në Zagreb pata takuar edhe Heronjtë e Kosovës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovfcin për të biseduar për organizimin e rezistencës në Kosovë dhe transformimin e kësaj rezistence nga ajo paqësore në një rezistencë të armatosur. Gjithashtu, me sugjerimin e Bacës Adem Demaçi kam takuar disa oficerë shqiptarë për të biseduar për organizimin e stërvitjeve ushtarake të shqiptarëve sikur edhe për mundësinë e furnizimit me armatim të nevojshëm për luftë të armatosur. Në atë kohë bëmë përpjekje t’i koordinojmë aktivitetet me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kroacisë dhe në këtë kontekst realizuam takime me Marko Veselicën, Vladimir Sheksin, Dobroslav Paragën në Kroaci dhe Janez Janshën në Slloveni! Adem Demaçi kërkonte dhe gjente aleatë kudo që ishte në interes të shqiptarëve dhe të Kosovës. Kishte takime edhe me avokatin Srgja Popooviqin, Sonja Biserkon, Vojin Dimitrijeviqin madje edhe me Vuk Drashkoviqin për të ndikuar tek opinioni serb në mënyrë që të evitohej lufta. Në ndërkohë Baca Adem Demaçi ka biseduar me të ndjerin gjeneral Shaban Shalën sa ishte nënkryetar i KMDLNJ dhe i ka treguar se infrastruktura organizative e KMDLNJ-së do të shërbejë si logjistikë e UÇK-së. Edhe mua më ka treguar për këtë qëllim andaj i kemi bërë disa lëvizje dhe riorganizime brenda KMDLNJ-së në mënyrë që të mos dekonspirohej ky aktivitet dhe ky qëllim. Adem Demaçi kishte merita të jashtëzakonshme për sensibilizimin ndërkombëtar mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë përmes vizitave që i bënte në qendrat e vendosjes në Evropë dhe SHBA dhe takimin me delegacionet e shumta që e vizitonin Kosovën. Këto vizita kishin dy adresa për takime: KMDLNJ-në dhe LDK-në.
Kallëzimet penale për krime në Kosovë kundër shqiptarëve ndaj udhëheqësve më të lartë serbë dhe jugosllavë e që u dorëzuan në prokuroritë në Prishtinë, Beograd dhe Tribunalin e Hagës u nënshkruan nga Adem Demaçi. Baca Adem nuk i ngarkonte të tjerët me punë që kishin rreziqe. Aty ku ndodhnin krime dhe vrasje, dhunim të të drejtave njerëzore dhe kombëtare nga regjimi serb, Baca Adem ishte i pari.

Orët e para të luftës:
Adem Demaçi e konsolidoi KMDLNJ-në në aspektin organizativ dhe material dhe mori udhëheqjen e Partisë Parlamentare të Kosovës për t’u bërë krah politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai vazhdoi t’i mbronte të drejtat e njeriut tash në një terren tjetër. E kundërshtoi shkuarjen në Rambuje sepse konsideronte se shqiptarët dhe Kosova ende do të mbeteshin nën Serbinë e që nënkuptonte legjitimimin e shkeljeve të drejtave të njeriut nga Serbia. Baca Adem Demaçi e kundërshtoi cilësimin e UÇK-së si organizatë terroriste andaj u izolua nga ndërkombëtarët dhe e ashtuquajtura politikë paqësore. Adem Demaçi kërkoi që të drejtat e njeriut të respektohen edhe gjatë luftës duke u thirrur në dokumentet ndërkombëtare dhe ligjin për të drejtën humanitare. Pas përfundimit të luftës Adem Demaçi u angazhua për kthimin e të gjithë të shpërngulurve me dhunë apo për shkaqe pasigurie në shtëpitë e tyre pa bërë dallim në baza etnike, fetare etj. Fuqishëm u rreshtua në anën e pakicave dhe doli në mbrojtje të drejtave të tyre duke krijuar, në kuadër të KMDLNJ-së, Komitetin për Mirëkuptim, Paqe dhe Tolerancë dhe duke i vizituar pakicat që ishin në Kosovë por edhe në Serbi, Mali të Zi dhe Maqedoni. Adem Demaçi e mbronte parimin e universalitetit për të drejtat e njeriut dhe ishte kundër diskriminimit në baza etnike apo ndarjes së të drejtave të njeriut në baza selektive. Aty ku shkeleshin të drejtat e njeriut, aty ishte edhe Adem Demaçi si mbrojtës i këtyre të drejtave dhe gjithmonë ishte në anën e atyre që ishin të cenueshëm apo ishin në margjina. Për këtë arsye kishte mospajtime me politikanët vendorë por edhe ndërkombëtarë të cilën ia ngushtuan hapësirën e veprimit duke e izoluar politikisht dhe duke ia mbyllur të gjitha rrugët në proceset e vendimmarrjes. Falsiteti i këtyre matrapazëve politikë dukej kur Adem Demaçin e shndërruan në simbol të rezistencës dhe e kufizuan vetëm në të drejtat e njeriut ku edhe ia pranonin autoritetin me kusht që të mos ua rrezikonte postin politik.

Adem Demaçi i dha kuptim të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në të gjitha vendet ku këto të drejta shkeleshin por të tjerët nuk respektuan e as që i respektojnë të drejtat e Adem Demaçit. Të drejtat e Adem Demaçit po shkelen brutalisht dhe turpërisht nga ata për të cilët ka bërë më së shumti. Shumë horra të politikës dhe jashtë politikës, ende po mbijetojnë duke e keqpërdorur emrin e Adem Demaçit duke ua humbur në këtë mënyrë edhe kuptimin e të drejtave të njeriut për çka Bacë Adem Demaçi ka sakrifikuar aq shumë. Sot në Kosovë, përkundër shumë çmimeve të merituara e më shumë të pamerituara nuk e kemi një mirënjohje apo Çmim për të drejtat e njeriut me emrin Mbrojtësit më të Madh i këtyre të Drejtave, me emrin e Adem Demaçit. Adem Demaçi krijoi vlera kombëtare, politike, letrare dhe identifikohet me të drejtat e njeriut në mbarë botën prandaj do të jetojë sa edhe vet njerëzimi kurse mbi ne që strehohemi nën pullazin dhe strukemi pas emrit të Adem Demaçit mund të bjerë vetëm reja e mallkimit dhe turpi. I mjerë është ai shtet, të mjera janë ato institucione, edhe më të mjerë janë ata politikanë që duan të ngrihen mbi emrin dhe veprat e Adem Demaçit, në mungesë të veprave të tyre!

*Ky shkrim është shkruar për tryezën shkencore me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Shkrimi nuk mund të botohet në një libër apo publikim pa lejen e autorit./epoka e re/