Kurti pas dështimit të seancës: PDK-ja të kthehet të dielën, duhet marrëveshje politike për nënkryetarët
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje që PDK-ja të rikthehet në seancën konstituive të Kuvendit të dielën, duke theksuar se përfundimi i procesit kërkon marrëveshje politike ndërmjet partive.
Ai tha se është e nevojshme të shmangen zgjedhjet e reja, ndërsa ka shprehur keqardhje që nuk ka arritur të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se zgjedhja e nënkryetarëve është pjesë e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe se pas zgjedhjes së kryetares Albulena Haxhiu dhe nënkryetarit të parë, Ardian Gola, procesi duhet të vazhdojë me zgjedhjen e katër nënkryetarëve të tjerë.
“Zgjidhja e nënkryetarëve është pjesë e procesit të konstituimit të Kuvendit të Republikës të legjislaturës së 12-të. Paradite zgjodhëm kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun. Sot u zgjodh nënkryetari i parë, Ardian Gola. Unë besoj që PDK-ja nuk është dashur ta braktisë procesin e konstituimit të Kuvendit. Shpresoj që do të vijnë të dielen, në mënyrë që t’i zgjedhim edhe këtë katër nënkryetarë të tjerë dhe mandej të procedojmë me qeveri e zgjedhje të presidentit”, tha ai.
Kurti theksoi se zgjedhjet e reja duhet të shmangen, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe të kushtueshme.
Sipas tij, për tejkalimin e situatës politike nevojitet një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike.
“Po e ritheksoj se duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja, që janë të panevojshme, të përsëritura, të paarsyeshme, të kushtueshme dhe për këtë na nevojitet marrëveshja politike. Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk më është përgjigjur në mesazh për takim, por këtë e ka bërë publikisht duke thënë që s’kemi nevojë për takim. Unë besoj që kemi nevojë për takim. Partisë Demokratike të Kosovës, për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e saj, i nevojiten votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Lëvizjes Vetëvendosje, për ta zgjedhur presidentin, i nevojitet mungesa e bojkotit apo madje edhe vota kundër e PDK-së. Atyre u nevojiten votat tona për, neve na kryejnë punë edhe votat e tyre kundër. Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi. Por kjo nuk ndodhi. Le të shpresojmë që të diellën do të jetë ndryshe dhe do t’ia arrijmë ta konstituojmë”, tha ai.
Kryeministri në detyrë foli edhe për qëndrimet e PDK-së lidhur me kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit, duke përmendur deklaratat e nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë proceseve të vitit të kaluar dhe në këtë legjislaturë.
“Tash, ju e dini që në vitin e kaluar zonja Çitaku pat kërkuar që Albulena Haxhiu të tërhiqet. Sivjet, zonja Çitaku pat kërkuar që zonja Feride Rushiti të tërhiqet. Pardje, zonja Çitaku e bojkotoi votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe njëkohësisht ajo ka paralajmëruar bojkotin për zgjedhjen e presidentit. Po e përsëris atë çfarë tashmë e ka thënë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, kjo është që ne me doemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne me doemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Mirëpo, ju e dini nga gjykimet e Gjykatës Kushtetuese nga viti i kaluar, nuk është e thënë që të jetë ekskluzivisht dhe absolutisht emri unik i këtyre pozitave. Në këtë kuptim, uroj që ashtu siç kemi qenë ne konstruktivë në vitin e kaluar, të jenë edhe të tjerët. Por më së miri do të ishte që këtu të sqaroheshin në takime të përbashkëta. Pra, në një takim timin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do ta sqaronim se cilët deputetë të PDK-së do të mund të votoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Kurti tha se ende nuk ka dërguar ftesë zyrtare për takim me Hamzën, por theksoi se synimi është që përmes një takimi të diskutohen emrat dhe të gjendet një zgjidhje për vazhdimin e procesit.
“Jo nuk ka ftesë, nuk kam dërguar ende ftesa. Unë po duhet që të takohemi, të bisedojmë dhe aty t’i diskutojmë emrat. Por është për të ardhur keq që s’po arrijmë as të takohemi e sot kemi braktisje të procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju e dini që më herët thoshim që e kanë me urgjencë, se duhet të hyjmë në seancë dhe të mos dalim prej aty deri sa ta kemi konstituar Kuvendin. Sot ishte shansi për një gjë të tillë, por u lëshua ky shans. Nuk është tepër vonë, jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht edhe së bashku ishim të suksesshëm”, tha ai.


