ARKATANA

A jeni të vetëdijshëm se po talleni me shtetin?

/ 15 minuta lexim
ARKATANA

Nga Halil Matoshi – Padia, jokompetenca, agresiviteti (veprimet e dhunshme), konspiracioni i SHIK-ut, nepotizmi dhe klientelizmi e kanë zaptuar shërbimin e jashtëm të Kosovës, që dikur në një kohë – dikush i thoshte diplomaci!? Është aq e neveritshme se çfarë shërbimi të jashtëm ka ndërtuar sot Kosova, sa të vjen me vjellë…
Sipas një tregimi të moçëm shqiptar (Gjergj Elez Alia) – bajlozi i dalë nga deti pandehet të ketë qenë një shtihan i dërgatës nga ana tjetër (ambasador), që vinte nga një vend armiqësor për haraç – që t’i kërkonte këtij Gjergjit tonë të shkretë e me nëntë plagë në trup një çmim të lartë, që s’ishte në gjendje t’ia paguante (p.sh. të motrën e re.)Ashiqare kasta e re politike në Kosovë, e frymëzuar nga këso legjendash nga thesari popullor, në diplomaci ka dërguar kryesisht bajlozë – harçxhinj!?

Së pari ia pati nisur mbrapsht LDK-ja si partnerja e madhe e koalicionit qeverisës me PDK-në ende të pastrukturuar, përmes nepotizmit klasik e të menaxhuar nga ish ministri “kulturor” i punëve të jashtme, Skënder Hyseni. Prandaj PDK-ja më vonë edhe me partnerin më të vogël AKR-në e “kapen” shpejt shkollën e tij diplomatike, mozomakeq!

Sabri Hamiti e pati mbushur spicë Ministrinë e Jashtme me familjarë, ndër ta edhe djalin e tij e veshi me kravatën diplomatike “flutur”.

Ndërsa vetëm Kolë Berisha si kryetar Kuvendi, atëbotë, “i gdhendi” si prej gurësh të Gllarevës brenda natës dhe i nisi në diplomaci nja katër a pesë “diplomatë” nga rrethi i Klinës!?

Kur PDK-ja erdhi në pushtet në nëntor 2007 SHIK-u ishte ai që duhej të dëshmonte se është instanca më kredibile për “filtrim” dhe “krehje” të shërbimit të jashtëm.

Pastaj kjo organizatë klandestine duhej t’i kënaqte ish-spiunët e vet, ose njëjtë si LDK-ja, familjarët. Që të gjithë kinsediplomatët e SHIK-ut, pas rënies së Skënder Hysenit, i shihje se si vraponin me turr pas ministrit të ri e me “look” perëndimor, Enver Hoxhaj, duke ia pëshpëritur emrin e atij që e ka rekomanduar, që sipas tregimeve të vet diplomatëve të ardhshëm kosovarë ky rëndom ishte Hilmi Reçica dhe Hoxhaj pa hezitim punësonte në shërbimin e jashtëm me rekomandim të SHIK-ut, secilin që ia dërgonin në derë, me kodin “i joni”, pra spiunë ose bashkëpartiakë, ndonjëherë edhe bijtë dhe bijat e këtyre që e kishin prapashtesën “i joni.” Dhe sipas këtyre konditave klandenstine dhe kryekreje primitive, këtij shërbimi ia mësynë vargevi ish-spiunë ordinerë, ish-boksierë amatorë, ish-menaxhues parkingjesh të zaptuara, sipas afishes “mos e prek – e nxanun”, kafexhinj e tregtarë pronash publike dhe ndonjë i dyshuar për krime lufte…

Natyrisht se me daljen e LDK-së në opozitë, pozicioni i “argatëve” të LDK-së u luhat, madje disa nga ta hangrën edhe dru t’mirë!

Sepse ,thjesht, ishin të dyshimtë – “nuk ishin tanët”!

Ndonjëri mezi mbijetoi, duke e përplasur herë n’Shkup e herë n’Shkodër, si i thonë fjalës. Kështu që PDK-ja e “kapi” shërbimin e jashtëm, që nga Tirana e deri në Washtington duke i sistemuar njerëzit e saj, disa nga ta ish LPK-istë/enveristë, që e kishin fituar azilin në vendet përkatëse, disa që kishin luftuar, “duke shkelur mbi trupa të vdekur” për t’i fituar zgjedhjet me PDK-në, ose që i kishin fabrikuar industrialisht ato, ani se shumica pa kurrfarë kredibiliteti politik e pa trohë dijeje për diplomacinë, madje edhe pa fakultet të mbaruar…

Porse po të ishte që ky shërbim ilegal spiunazhi të kishte sens dhe takt që të përzgjidhte njerëz me integritet dhe kredibilë, do të na bënte borxhlinj t’i falënderoheshim, sipas parimit antik të romakëve: “Zotit ç‘është e Zotit, Cezarit – ç’është e Cezarit”, sepse do të na bënte të ndiheshim mirë për përfaqësim të denjë në politikat ndërkombëtare.

Por njerëzit e ShIK-ut ndërtuan një shërbim kryesisht injorantësh të dëgjueshëm, që ata i konsiderojnë “tonët”, “analfabetë funksionalë” – pra të besueshëm.

P.sh. nuk më ka rënë të dëgjoj dikë që t’i fajësojë për jokompetencë Muhamedin Kullashin, Ylber Hysën apo Ilir Dugollin, sepse thjesht nuk kanë prodhuar skandale, ani pse duken shumë të mërzitur në punën e tyre, sepse është tepër e zorshme t’u flasësh injorantëve për diçka që e dëgjojnë për herë të parë nga ti.

Sepse tashti secili që i ka hyrë kësaj pune i druan fatit të Lulëzim “Tradhtarit” alias Pecit!?

Disa nga diplomatët seriozë kosovarë tashmë e kanë hetuar se sa zor është të prezantosh shtetin tënd, i cili keqqeveriset dhe ku shkalla e korrupsionit dhe e krimit të organizuar rritet nga viti në vit.

Sa për ilustrim se si sillen një dorë kinsediplomatësh të Skënder Hysenit e Enver Hoxhajt, po e përmend rastin që e spikati kolegu Agron Halitaj, për një “ingje” në njërën nga ambasadat kosovare, që u fluget e do me ua nxjerrë sytë gazetarëve kosovarë që po shihkan (shih ti!?) vetëm zi!?

Po ku e marrin gjithë këtë guxim t’u vërsulen gazetarëve e opinionistëve njerëz të tillë që vetë nuk dinë mirë shkrim-lexim, që ende fjalët i shqiptojnë me rrokje!?

Dhe krejt kjo azdisje para syve e veshëve të tërë botës.

E tash, kryeministri shtiret kinse është zënë n’zgabim, ose shtiret se krejt është OK.

Dhe një dorë kinsepolitikanësh dhe kinse patriotësh të tërë spektrit politik kosovar, që u jepnin nota kulmore (10) disa prej këtyre kandidatëve, tashti duan të merren me pasojat, sepse kurrë s’kanë dashur të merren me shkaqet, të cilat i kishin prodhuar vetë. Derisa i ballafaquar me skandalin e të birit biologjik, Sabri Hamiti ishte së paku i ndershëm, sepse e dënoi pa mëdyshje aktin e Urtak Hamitit, porse dëshpëruese ishte deklarata e Hydajet Hysenit, që mëton ta kultivojë njëfarë ndershmënie.

Për të askush s’u dashka të merret me skandalet në MPJ, se na qenka punë për ta!

Sipas kësaj logjike askush nuk duhej të pyeste në këtë shoqëri se ku dhe nga kush po bëhen rrush e kumbulla taksat e qytetarëve. Madje askush nuk u dashka të skuqet nga turpi për njollat që i vënë atdheut tyrli-tyrli bajlozash ose kinsediplomatësh!?

Dikush do ta kujtonte këto ditë, goxha të sikletshme për Sabri Hamitin, që dikur thoshte se shërbimi i jashtëm bën politikë të jashtme aq sa prodhohet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, shef i të cilit ishte gjatë.

Dhe çfarë politikash të jashtme prodhonte Kuvendi i Kosovës, i dominuar nga spiunë, gangsterë e zhvatës, rezultati u pa shumë shpejt – ndër të parët ra i biri.

Urtak Hamitin nuk do ta gjykoja për skandalin e fundit gjithaq – një errësim mendjeje mund t’i ndodhë secilit njeri – sado që shkelje e rëndë, por do ta gjykoja për mënyrën nepotiste me rastin e zgjedhjes së tij në shërbim. Fundja as ai nuk ishte nën nivelin e shumicës absolute të kinsediplomatëve kosovarë, që bjerrin ditët e netët kot, e me paratë publike, nëpër kryeqytetet europiane dhe botërore, herë të harlisur nëpër restorante luksoze e diskobare, e më shpesh të mërzitur, pa vetiniciativë (e lëre më të veprojnë si diplomatë të pavarur) e pa trohë vullneti për të bërë diçka të hairit për vendin e tyre e shpesh të dehur rrotë!

Porse tregimi mujshor kosovar, plot dhunë, smirë e dashakeqësi të njerëzve të PDK-së, s’ka të sosur.

“Unë jam SHIK” – po thoshte njëra nga punëtoret e shërbimit të jashtëm kosovarë në Ambasadën e Kosovës në Gjermani – për t’i trembur stafin ose edhe ndonjë kosovar të rrallë që i bie puna “kah ambasadat.”

E njëjta, e paskësh rrahur ish-ambasadorin Vilson Mirdita dhe i shkreti qenka detyruar të kërkojë ndihmën e policisë gjermane për “ta nxjerrë kryet”, sado që të lidhur me “flastera”!?

Dhe në këtë rast, më e rëndë për imazhin e shtetit të ri është rrahja mes zyrtarësh të shërbimit të jashtëm kosovar dhe intervenimi i policisë gjermane se sa, ta zëmë, jokompetenca e skajshme e ish- ambasadorit, (një studiues i drithërave të bardha) që edhe ai thjesht ishte emëruar nga LDK-ja me të njofshëm.

Përderisa një kinsediplomat tjetër, një ish-boksier, u thotë kosovarëve që i qet halli andej kah Lubjana, “përdoreni trurin”, me një fjalë trullana!?

Në anën tjetër skandali i Zagrebit ishte vetëm ‘Maja e Icebergut’ sepse u bë e madhe, ngase Kosova mori ‘notë proteste’ nga Qeveria kroate, për sjelljen e padenjë të kinsediplomatit të saj.

Porse, ‘Kutinë e Pandoras’ e hapi natyrisht akreditimi dhe shkarkimi brenda një dite i Lulëzim Pecit si zyrtar ndërlidhës në Beograd, i cili mundi të hante bukë vetëm një ditë në Beograd, ngase ai nuk e paskësh përfillur kryeministrin dhe paskësh folur serbisht dhe për këtë, nga “shefi i madh” e ka hangër një kallaballëk sharjesh – sipas psikosomatikës së frymës së kohës – modelit ‘Pronto’!?

FIDANISHTJA

Por reagimi më i pështirë erdhi nga ministri Hoxhaj, sipas të cilit Peci doli të jetë këmbekrye spiun serb. D.m.th. aq mirë paskësh menaxhuar ShIK-u & Hoxhaj këtë shërbim sa që po ekzistuaka edhe mundësia që një spiun serb, ose akëcili që ka rrezikuar sigurinë nacionale, të bëhet ambasador!?

Kjo punë u hesht, sepse heshtja e karakterizon shpirtin e Lulëzim Pecit, i cili po get zgjodhi më në fund të jetojë me nder, por ai nuk e veneroi se si “armik i shtetit” nuk do t’ia lënë as lavdinë.

Raymond Aron duke folur për “ndalimin e të gjitha kishave” nga ana e komunizmit sqaronte se kjo ndodhë për arsye se komunizmi ishte vetë Kisha. Besimi komunist – sipas tij – i përligj të gjitha mjetet, dhe se përdëllimi komunist nuk u njeh armiqve të drejtën të vdesin me nder.

Kësaj vere kryeministri i vendit duke folur në një OJQ të Prishtinës tha: “Po shkruajnë disa kundër Qeverisë, në “Koha Ditore”, këtu dhe në diasporë, sepse kanë ardhë dhe kanë kërku me u ba ambasadorë, por nuk i kanë plotësuar kriteret…”

Por meqë u hap ky muhabet, duhet thënë kryeministrit, se kushdoqoftë ai që nuk i paskësh përmbushur kriteret, e në të cilin ka aluduar, ai duhet ta dijë se nuk është turp nëse dikush ka vullnet e gatishmëri ta ndihmojë vendin e tij, pra është legjitime që njerëzit të duan të bëhen madje edhe ambasadorë.

Ata thjesht duhej falënderuar që kanë pranuar t’i shërbejnë shtetit!

E po qysh do qoftë dhe kush do qofshin ata që paskëshin shkuar tek kryeministri, sigurisht se nuk i plotësojnë këto kritere të vëna nga ministri Hoxhaj dhe kryeministri Thaçi, sepse: 1. Ambasadorët duhet të jenë SHIK, pra spiunë; 2. Njerëz që kanë rrotulluar gur e dru për t’i vjedhur dhe për t’i fabrikuar industrialisht votat për PDK-në dhe natyrisht, duhet të jenë anëtarë të besuar të saj; Ish- komandantë apo ish ushtarë të UÇK-së, të fortë dhe të dhunshëm skajshmërisht dhe mundësisht të kenë kërcënuar, rrahur, ose edhe më rëndë të kenë kryer “vrasje e plagesa.”; 3. Preferohen ish- boksierë, kafexhinj, menaxherë parkingjesh të uzurpuara, zvarranikë e hutaqë nga bota mediale, ose tregtarë – shkolla nuk është me rëndësi;

E po, beli, kritere të rënda që nuk mund t’i plotësojë gjithkush. Jo së paku qytetari i edukuar!?

Jo sidomos ata që kanë dije themelore për shërbimin e jashtëm dhe diplomacinë, si: a) profesion dhe aktivitet, aftësi e menaxhimin të marrëdhënieve ndërkombëtare, në mënyrë tipike nga përfaqësues të një vendi jashtë shtetit; b) Art që ka të bëjë me njerëzit, në një mënyrë të ndjeshme dhe efektive, pra me takt në sjelljet prej zyrtari qeveritar në negociata dhe marrëdhëniet tjera mes kombeve.

Çfarë shërbimi i ka bërë vendit kjo klasë kinsediplomatësh (me pak përjashtime natyrisht), pos që bjerrin ditët dhe netët duke bërë llaf e duke i hanger paret e taksapaguesve të varfër të vendit të tyre?

Të kenë lobuar për njohje? Mos me ta marrë mendja!

Të jenë përpjekur për t’i bindur kolegët e tyre nga pesë vendet e BE-së pse duhet ta njohin Kosovën?

Jo! Punë që s’dinë ta bëjnë.

Të kenë ditur që kundërshtarin (Serbinë) ta qesin në pozicion të vështirë para fuqive vendosëse? Nuk kanë as kaçik, as takt për këtë punë!

Të jenë angazhuar së paku që në vendet europiane të bollektë, të nxjerrin favore që të shkojnë disa mijëra të rinj e të reja për punë sezonale në këto shtete, për ta zbutur paksa varfërinë? Nuk e besoj as këtë!

Të kenë folur e shkruar në media për t’i joshur investitorët e mëdhenj. Shumica nga ta nuk kanë ide se ku e si mund të investohet në Kosovë.

T’i kenë propozuar Prishtinës zyrtare politika gjeostrategjike karshi rajoneve me ndikim, ose shteteve veç e veç. As që bëhet fjalë.

Ky shërbim i jashtëm, që përpiqet të vihet në lëvizje nga një ingranazh i ndryshkur thjesht rri atje ku është, duke pritur ndonjë lajm nga Prishtina, e që për ndonjërin nuk do të arrijë kurrë!

Ata që së paku dinë të lexojnë, marrin relata të pamotivuara e të shkruara me përtesë (dembeli të skajshme) nga MPJ dhe atë kryesisht për rrjedhat e politikës së ditës, pa e pasur idenë se sot në globalizëm, secila politikë e brendshme shtetërore njëherësh është politikë ndërkombëtare. Ata presin e përcjellin deputetë e ministra, nga një autobus përplot, që vizitojnë vendet përkatëse – që bëjnë pak llafe, mrekullohen me funksionimin e shteteve të mirëfillta – bëjnë shoping, provojnë ndonjërën nga verërat më të mira italiane, franceze, dalmatinase apo spanjolle dhe kthehen prapa për t’i mbushur xhepat me mëditje të majme. Kaq.

Nuk më ka rënë të lexoj të ketë shkruar ndonjëri nga kinsediplomatët kosovar ndonjë artikull në gazetat më prestigjioze europiane apo botërore, për rëndësinë e mbështetjes së demokracisë në Kosovë nga ato vende, pse mbështetja për Kosovën është mbështetje për një Europë që e ka zvogëluar dhunën ose për një Europë pa dhunë fare…

Këtë punë e bënte shumë më mirë profesori Muhamedin Kullashi kur nuk ishte diplomat, sesa që e bën tashti.

“Udhëtar, udhë nuk ka – ato bëhen duke ecur”, citon Henry Kisinger një proverb kinez në librin “. Diplomacy” që e kanë shumë në qef ta përmendin kinsediplomatët kosovarë!?

Por jo, kurrë udhë e hairit s’do të bëhet me këtë mendësi provinciale dhe më këtë vetëdije primitive e mujshore, katunareske (si frymë e jo si gjeografi) – kështu Kosovën e keni shndërruar në shtet të dështuar!?

Dhe një ditë kjo kastë kleptokratësh dhe e turpshme do të gjykohet, për këtë dëm që po i shkakton atdheut të kosovarëve – duke pretenduar t’i parandalojnë njerëzit që të flasin lirshëm dhe të merren me punët që u takojnë – pra ta kontrollojnë pushtetin jo vetëm si të qeverisur, por edhe qeverisës…

Carne Ross citon Paul Valery-në që thotë: “Politika është arti i parandalimit që njerëzit të merren me punët që kanë të bëjnë me ta.”

Kryeministri i Kosovës duke pasur deficite të thella demokratike, duke etabluar një shtet-parti, prandaj tha asokohe: “Do që po shkruajnë kundër Qeverisë në “Koha Ditore”, këtu e në diasporë, kanë ardhur, më kanë lutur me i ba ambasadora dhe nuk i kanë plotësu kriteret”, sepse kriteret i përcakton vetë ai. Ky është kurthi që ia ka ngritur Kosovës ky njeri, i cili ashiqare po do të thotë: “Mos u merreni me punët tuaja!”

Pra shtetin e koncepton edhe si ide, edhe si realitet, të tij e jo të qytetarëve.

Prandaj punët e shtetit na qenkan monopol i tij!?

Kryeministri kosovar po thotë: “Unë jam mësuesi dhe lideri i madh, arqipeshkvi, ajatollahu, bartësi i së vërtetës supreme dhe i moralit teist.

Unë jam e vetmja kishë dhe xhami…!?

Sepse shteti jam unë …”