A e meriton NATO çmimin Nobel?

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

BE-ja fitoi çmimin Nobel për paqe në vitin 2012, por disa argumentojnë se ekzistojnë aktorë tjerë institucional, të cilët kanë luajtur një rol shumë më të rëndësishëm dhe të drejtëpërdrejtë në vendosjen e sigurisë dhe prosperitetit, në Kontinentin tonë dikur të shkallmuar nga luftërat.

BE-ja u nderua me çmimin Nobel për Paqe, për shkak të përpjekjeve për të promovuar paqën dhe demokracinë në Evropë, në kohën kur unioni po përballet me krizën e vet më të madhe, që nga themelimi në vitet e 50-ta.

Kur Jose Manuel Barroso, kryetari i Komisionit të Evropës, u zgjua nga gjumi të premten në mëngjes, ai theksoi se “nuk e kishte pritur se kjo do të ishte një ditë kaq e mirë”. Pas të gjithave, është ky një moment në të cilin Evropa po përballet me makthin ekonomik, me rritjen e nivelit të papunësisë-me një rekord prej 25 për qind në Greqi-dhe me krizën politike, e cila ka thëlluar përçarjet në Evropë.

Por vendimi i Komitetit norvegjez të Nobelit për të nderuar BE-në e sëmurë me çmimin për Paqe, ka shtyrë shumë njerëz që të pyesin se a meriton projekti i madh i integrimit të Evropës, me seli në Bruksel, mirënjohjen e plotë për transformimin e pjesës më të madhe të Evropës nga kontinenti i luftës, në një kontinent të paqes.

Kritikët argumentojnë se paqja e pasluftës është vendosur falë bashkëpunimit ndërmjet disa aktorëve të mëdhenj, përfshirë këtu edhe NATO-n.

“Nëse kanë dashur të ndajnë çmimin për ruajtjen e paqes në Evropë, atëherë është dashur që çmimi të ndahet mes NATO-s dhe BE-së”, deklaroi ish-sekretari i Jashtëm i Britanisë, Malcolm Rifkind.

“Deri në fund të Luftës së Ftohtë, ishte NATO-ja ajo që ruajti paqen më shumë se kushdo tjetër”, shtoi ai.

Përderisa NATO, gjithashtu me seli në Bruksel, me shpejtësi uroi BE-në, duke theksuar se ka luajtur një rol vital, aleanca nuk harroi të përmendë edhe përfshirjen e saj. “Që nga fillimi, NATO dhe BE kanë ndarë vlerat e njëjta dhe kanë ndihmuar në formësimin e Evropës së re”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Anders Fogh Rasmussen.

Uji Dea

Nile Gardiner, drejtor i Qendrës Margaret Thacher për Paqe në Fondacionin Heritage, një organizatë konservatore me seli në Washington, nënvizoi rëndësinë e kontributit trans-Atlantik për dekadat e stabilitetit në Evropën e pasluftës.

“Mendoj se SHBA-ja ka luajtur një rol shumë më të madh në vendosjen e paqes në Evropë, se sa BE-ja”, tha Gardiner, duke përmendur partneritetin dhe miqësinë e çeliktë mes kryeministres së Britanisë, Margaret Thacher dhe ish-presidentit të SHBA-së, Ronald Reagan.

Përkundër konfliktit të tmerrshëm në Ballkan dhe përpjekjet e dështuara fillestare për të heshtur armiqësitë, Komiteti norvegjez lavdëroi BE-në për vendosjen e pajtimit në këtë rajon, duke përmendur pranimin së shpejti të Kroacisë në BE, si dhe negociatat me Malin e Zi dhe dhënien e statusit kandidat Serbisë.

Ambasadori amerikan, Cristopher Hill, i cili së bashku me Richard Holbrookun negociojë në vitin 1995 marrëveshjen e Daytonit, me të cilën ju dha fund luftës në Bosnje dhe i cili tani shërben si dekan në Shkollën për Studime Ndërkombëtare Josef Korbel në Universitetin e Denverit, theksoi se BE-ja ka një përgjegjësi të vazhdueshme që të ndihmojë Ballkanin.

“Shpresoj se çmimi nuk është vetëm një shpërblim për gjërat që janë bërë, por edhe një shpërblim për gjërat që ende duhet të bëhen. Mendoj se kemi një punë të pakryer në Ballkan, si për shembull në Maqedoni, për të përmendur vetëm një prej telasheve në këtë rajon. Shpresoj se BE-ja sërish do të jetë e interesuar për rajonin”, tha Hill.

Xenia Dormandy, eksperte në Chatham House për politikën e jashtme të SHBA-së, ndodhi të ishte të premten në Bruksel. Disponimi, tha ajo, ishte i mirë, por skeptik. Megjithatë, shton ajo, shpërblimi ishte i merituar.

“Nuk ekziston askush që mund të argumentojë në mënyrë të besueshme se BE-ja nuk ka vendosur paqen në kontinentin, i cili nuk kishte parë paqe për shekuj me radhë. Ideja se sot mund të ketë konflikt mes shteteve anëtare të BE-së-as që mendojmë për këtë”, nënvizoi Dormandy.(Time)