Mobi Casa

A do të sillemi edhe në vitin 2015 rreth Dardhës së Ahmatit ?!

/ 13 minuta lexim
RCCOLA

Nga Behxhet Sh. Shala – Bajgora – Ra ky ngërç (vdekje klinike) dhe u pamë. U tha nga ata që vodhën vota. Jo në mënyrë industriale, por në mënyrë artizanale (vendorët). Por, edhe nga ata “miqtë“ ndërkombëtarë që mbyllën sytë nga kjo praktikë e kodifikuar te ne u tha se zgjedhjet e 8 qershorit ishin më të mirat në Kosovën e pasluftës. Një konstatim të tillë e tha javën që shkoi edhe zonja e KQZ-së. Valdete Daka. Duket se të gjithë kishin arsye të lëvdoheshin. Ata të artizanatit luftonin të mbesin në pushtet apo të vinin në pushtet. Ndërkombëtarët mbyllin sytë gjithmonë kur drejtësinë duhet ta sakrifikojnë për realizimin e projekteve politike, e kjo ka ndodhur në 98 për qind të rasteve pas përfundimit të luftës. Ndërkaq, zonja e KQZ-së duhej ta arsyetonte punën e saj dhe të ekipit që e drejton.

Lindja kaloi mirë, por i porsalinduri u desh të kalojë gjashtë muaj në inkubator shkaku se ishte në gjendje të një vdekjeje klinike (nga të mençurit u quajt ngërç politik). Nuk thonë kotë se kur ka shumë mami gjatë lindjes, i porsalinduri shoqërohet me defekte të shumta! Në një gjendje tensioni të lartë politik i cili me kohë u shndërrua në urrejtje, ishte mashtrim të pritej se i porsalinduri do të ketë rritje dhe zhvillim normal. Për këtë arsye e tërë familja (shteti) dhe anëtarët e saj (qytetarët) e pësuan më së shumti, ndërkaq që keqbërësit (politikanët) me një terapi dhe grykësi antologjike bënin përpjekje të mbesin në pushtet apo ta marrin pushtetin.

Në korrik të vitit 1999, duke parë se shumica ishin interesuar ta merrnin grazhdin që e identifikonin si pushtet, çlirimtarët dhe “paqësorët”, Baca Adem tha: “Do të vijë një kohë dhe nuk do të mbetet kush pa u koritë”. Ngërçi politik apo vdekja klinike e shtetit që ishte vetëm arsyetim e një lufte të paskrupullt për grabitje (të mençurit e quajnë kapje të pushtetit) i hoqi të gjitha maskat, madje edhe të atyre që maskimin e kishin shndërruar në artë të mbrojtjes së parimeve. I la cipricullak në aspektin njerëzor, kombëtar dhe moral ata që njerëzoren, kombëtaren dhe moralen e kishin bërë pjesë të kurrikulave të të gjitha institucioneve arsimore, nga ai parashkollorë deri te mekanizmi për prodhimin e analfabetëve serialë i quajtur Universiteti “ Hasan Prishtina”.

U shkelën të gjitha parimet, madje edhe ato që ishin deklaruar si të panegociueshme dhe u dhunuan të gjithë skrupujt moralë dhe amoralë për vetëm një copë pushtet të cilin në fakt as që mund ta kenë. Sovraniteti i shtetit është i ndarë në sovranitetin absolut që në Kosovë e kanë vetëm “miqtë” ndërkombëtarë, ndërsa sovranitetin absolut në vendet ku jeton një serb i vetëm e ka Serbia e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës nga Lista Srbska. Ndërsa, në Qeveri janë dy ministra që as gishtin e vogël nuk e kanë lëvizur për Kosovën e lëre më për serbët e vendit.

Njëri u konvertua brenda ditës nga posllanik i Skupshtinës së Serbisë në ministër të qeverisë Mustafa 1 dhe Thaçi 3, sikur dikur UNMIK në EULESH (ndërrimi i shenjave identifikuese). Ai është Aleksandar Jabllanoviq i cili gjatë ngërçit politik u bë më i rëndësishëm se Barack Obama duke flirtuar me Thaçin dhe Ramushin. Që të dy kishin rënë në dashuri me Jabllanoviqin dhe e llogaritnin si ditë të humbur nëse brenda ditës apo natës nuk takoheshin me ministrin e konvertuar. Jabllanoviq aktualisht është në vend ku lehtë mund të vihet te euro me shumë zero, pa rrezik të përgjegjësisë edhe disiplinore e lëre më të kundërvajtjes apo penale. Është ministër i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, post të cilit i kishte lakmuar edhe drejtori i Cess Manhatan Bank.

Ministri tjetër u katapultua nga Republika Srbska në ministër të Pushtetit Lokal, thuaja se në Kosovë nuk kishte serbë që do ta meritonin këtë post para tij dhe të cilët vërtetë janë angazhuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve serbë të Kosovës, duke u integruar në institucionet e Kosovës. Mirëpo këta, përkatësisht Sllobodan Petroviq dhe Nenad Rashiq, u eliminuan nga Vulini dhe Daçiqi të ndihmuar edhe nga Mustafa dhe Thaçi në rastin konkret.

PDK e fitoi luftën (zgjedhjet), por e humbi paqen (mundësinë për qeverisje si parti fituese). Ishin së paku një milion arsye pse ndodhi kështu Prandaj, luftoi për mbijetesë dhe mbijetoi duke bërë koalicion me LDK-në. Thaçi e luajti rolin e De Golit. I përçau kundërshtarët dhe mbeti në pushtet. Postin e kryeministrit e ndau në dyshe duke u bërë Behgjet Pacoll (zëvendëskryeministër i parë) dhe ministër për Punë të Jashtme (lobim). Shqiptarët domosdoshmërisht duhet ta theksojnë i parë, sepse i dyti llogaritet pozitë degraduese. Tash është në pritje që pas një viti të bëhet Atifete Jahjagë! E shohim! Do të jetë mision i… pamundur, duket !

PDK nuk u reformua, ndonëse kjo është e vetmja mundësi faktorizimi në të ardhmen. PDK përbëhet nga ish krahu i luftës që llogaritet si pjesa më e fortë e saj (na ishte dikur) dhe pjesa tjetër që unë e quaj “barku i butë” apo pjesa intelektuale e PDK-së e cila varësisht nga situata do të zbutet edhe më shumë në të ardhmen derisa të lirohet nga këto tri shkronja të partisë që nuk e kanë edhe aq shumë për zemër!

LDK humbi si subjekt politik, por fitoi Çeta e Elefantëve e cila përkohësisht (vetëm përkohësisht) e devijojë rrugën për te Varrezat e Elefantëve. Elefantët janë gjitarë shumë inteligjentë dhe të mençur e që fondamentalisht i dallon nga politikanët kosovarë! Elefantët, kur e vlerësojnë se janë bërë të padobishëm për komunitetin, bëhen varg e vijë dhe shkojnë pas liderit të tyre drejt një vendi që më vonë shndërrohet në Varrezë të Elefantëve. Ata shtrihen aty dhe refuzojnë ushqimin dhe ujin deri në vdekje! Ndërsa, politikanët kosovarë kur bëhen shumë të dëmshëm shpëtimin e tyre e kërkojnë dhe e gjejnë në poste politike që u siguron imunitet!

Isa Mustafa nuk e pati konkurrent të fortë Ramushin për postin e kryeministrit, por ambasadorin Ian Cliff. Isaja e shpëtoi lëkurën, por i dëmtoi kockat – skeletin (partinë). Isa Mustafa nuk e tradhtoi askënd sepse ai i përgjigjet vetëm elektoratit të LDK-së. Para këtij elektorati premtoi se do të bëhet kryeministër dhe u bë. Llogari e pastër kjo në politikë! LDK si parti vuan nga “sëmundja e pleqërisë”, me të gjitha simptomat dhe pasojat që e përcjellin. Nuk lejon hapësirë të mjaftueshme për gjeneratën e re, sidomos në vendimmarrje, prandaj edhe ka filluar plasaritje brenda kësaj partie. Mirëpo, edhe politikanët e rinj të LDK-së nuk po tregojnë vullnet dhe vendosmëri për t’ua marrë hapësirën për veprim dhe vendimmarrje Çetës së Elefantëve të parahistorisë politike!

Lëvizja Vetëvendosje e përsërit legjendën për Kështjellën e Rozafasë në Shkodër. Çka ka ndërtuar për vite të tëra (parimet) i rrënoi brenda një nate, apo më mirë ta them një ndeje në mbrëmje me V-LAN-in. Tash përsëri u është kthyer parimeve pasi mbeti pa pushtet dhe për momentin po e bën punën e Sizifit apo të Don Kishotit. Po mundohet ta rrokullis gurin (proceset) drejt majave të bjeshkës (puna e Sizifit), e që nënkupton se po e bën luftën kundër Mullinjve të Erës (si Don Kishoti). Do ta kenë shumë vështirë sikur që edhe Thaçi të bëhet president!

AAK është dhe mbeti parti që u ndërtua dhe mbahet vetëm në një shtyllë, në karizmën e liderit Ramush Haradinaj. Kohëve të fundit në AAK u fut si pykë edhe Blerim Shala e që Ramushi donte ta bënte shtyllën më të fortë të AAK-së. Realisht dhe historikisht, pyka kurrë nuk e luan rolin stabilizues, por vetëm përdoret për (për) çarje! Sikur edhe Blerimi! Ramushi bëri shumë gabime në politikë dhe thuaja të gjithë e mashtruan. Si ato parti që e kishin për detyrë ta mashtrojnë, ashtu edhe ato me të cilat donin ta ndërtonin një “qeveri të shpresës”. E mashtruan edhe brenda partisë duke u llaskucavë para tij (për interesa krejt personale të mbijetesës dhe azilimit politik brenda AAK-së), dhe duke u thirrur vazhdimisht në 100 ditët e Ramushit.

Disa prej nesh që e flisnim të vërtetën erdhëm në situatë që ose të kërkonim azil në një shtet tjetër, ose të mbylleshim në shtëpitë tona pa vrarë askënd. Nuk dinim kujt t’i drejtoheshim për të kërkuar besë. Tash, post mortem politikisht, Ramushi po e pranon se ka bërë gabime dhe se mendon ta reformojë partinë! Kjo i ngjan sikur një tregimi kur një familje shumë e varfër dhe me shumë fëmijë vendos t’ua ndërrojë brekët fëmijëve të tyre. Kështu, Xhumshiti me Xhevrijen urdhërojnë fëmijët e tyre që ditën e shtunë në ora 10 të gjithë fëmijët duhet të qëndrojnë në shtëpi, sepse do t’i ndërrojnë brekët! Fëmijët e gëzuar, ditën e shtunë në ora 10 ishin mbledhur në shtëpi dhe prisnin ndërrimin e brekëve. Atëherë, Xhumshiti urdhëron fëmijë t’i deshin brekët e pastaj…! Pastaj u thotë: Xhaviti le t’i vesh brekët e Xhevxhetit, Xhevxheti brekët e Ragipit, Ragipi brekët e Sandokanit dhe Sandokani brekët e… fëmijës të radhës! A po bënë pikërisht Ramushi të njëjtën punë sikur Xhumshiti duke urdhëruar që Burimi t’i vesh brekët e Avnisë, Avnia të Besnikut, Besniku të Ahmetit, Ahmeti të Nitit dhe Niti të Brahimit e kështu me radhë?! A mund të bëhen reforma me ndërrimin e brekëve të palara?! E pamundur për momentin. AAK po i paguan faturat e së kaluarës kur mungonte zoti i shtëpisë. ndërsa minjtë hidhnin valle!

Uji Dea

Nisma për Kosovën duket se mbërriti në fund ende pa u nisur mirë!

E ashtuquajtura shoqëri civile u korit duke kontribuar shumë në ngërçin politik. Me dy fytyra dhe shumë fytyra tash po radhitet me fitimtarët duke i këshilluar se si të veprojnë në të ardhmen! Sikur që e kishin këshilluar koalicionin VLAN

Ngjarjet që e shënuan vitin

Nuk jam i sigurt se korrupsioni që shpërtheu në EULESH mund të llogaritet si ngjarje pasi që mos luftimi i korrupsionit ishte në mandatin e këtij misioni! Dhe, nuk do të ketë gjë prej kësaj pune. Lufta kundër ISIS-it në planin global ishte njëra nga ngjarjet e vitit ku Kosova dha kontribut të çmueshëm duke e luftuar me mjete politike dhe policore. Deri sa Obama udhëhiqte operacionet kundër ISIS-it në planin global, në planin kombëtar ky operacion udhëhiqej nga presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi.

Ngjarje e vitit ishte dekonspirimi i AKI-së për kinse angazhimet në Siri nga ata që duhej ta mbanin gojën mbyllur, si dhe përpjekja për pushkatim publik të këtij shërbimi i cili po i bën hapat e parë drejt një shërbimi profesional dhe të domosdoshëm për sigurinë e vendit, prandaj duhet të përkrahet nga të gjithë!

Ngjarje llogariten edhe fyerjet e rënda që i janë bërë Gjykatës Kushtetuese e sidomos kryetarit Enver Hasani, presidentes së vendit zonjës Jahjaga dhe kryesueses së Kuvendit në kohën e ngërçit politik, zonjës Flora Brovina. Dikush edhe mund të mos quajë ngjarje, sepse i konsideron si mënyrë normale e edukatës dhe komunikimit tonë politikë dhe intelektual.

Ngjarje tjetër është edhe formimi i një institucioni të arsimit të lartë publik ku studentët nuk i nënshtrohen konkursit dhe provimit pranues, por regjistrohen në bazë të listave që përpilohen në “Rektoratin e e OVL-së së UÇK-së”.

Ishte lajm jashtëzakonisht tronditës edhe largimi i Beratit, Shuaipit dhe Margarita quatro staggione nga radhët e PDK-së. Dhe, këtu përfundojnë ngjarjet për vitin 2014!

Parashikimet për vitin 2015

Kryeministrit Isa Mustafa i ka mbetur bomba e kurdisur në duar, ndërsa siguresa është në duar të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për punë të Jashtme, Hashim Thaçi, dhe nga ai do të varet nëse do të shpërthejë kjo bombë. Bombë tjetër mund dhe sigurisht do të jetë edhe Gjykata Speciale që po formohet për dënimin e shqiptarëve (Gjykatë ku të dënuarit do të dënohen në baza etnike) për krimet e supozuara të UÇK-së (nuk më kujtohet se në UÇK ka pasur kinezë!)m dhe se bomba sociale është bombë e cila nuk ka se si mos të shpërthejë! A do të jetë në gjendje që këtë situatë ta menaxhojë eksperti për mikrofinanaca, kryeministri Isa Mustafa, dhe sa kohë do të jetë kryeministër, mbetet të shihet! Mirëpo, është pak e besueshme që me mikro-lëvizje të shpresojmë se do të bëhen makro-ndryshime.

Megjithatë, shpresa është e përjetshme dhe e pavdekshme, ndonëse thuhet se ajo megjithatë vdes e fundit! Të shpresojmë se në vitin 2015 do të bëhet më mirë, sepse siç pati thënë Azem Bejta në një rast, më m… nuk bëhet!

Urime, shëndet, paqe, lumturi dhe të gjitha të mirat në vitin 2015 për të gjithë ata që më duan, më duan më pak, sepse nuk e besoj se ka të tillë që nuk më duan!