A do të ketë befasi të tetorit
Sipas standardit aktual, presidenti në pushtet shfrytëzon autoritetin e tij, për të shënuar ndonjë sukses në fushën e politikës së jashtme, i cili do të forconte imazhin e tij, në javët e fundit para zgjedhjeve në SHBA. Dhe çfarë do të ishin zgjedhjet presidenciale në SHBA, pa e marrë në konsideratë mundësinë e befasive të tetorit?
Çfarë do të ishin zgjedhjet presidenciale në SHBA, pa e marrë në konsideratë mundësinë e befasive të tetorit? Sipas standardit aktual, presidenti në pushtet shfrytëzon autoritetin e tij, për të shënuar ndonjë sukses në fushën e politikës së jashtme, i cili do të forconte imazhin e tij, në javët e fundit para zgjedhjeve. Mundësia e e një manipulimi të këtillë nuk është diskutuar pothuajse fare në shtator, kur presidenti Barack Obama, dukej se po thellonte gjithnjë e më shumë epërsinë e tij në anketa. Por tani, kur duket se gara për Shtëpinë e Bardhë është bërë më e ngushtë, po shtohen spekulimet për befasitë e mundshme të tetorit.
Ja katër skenare, të cilat administrata Obama mund të marrë në konsideratë, për të prodhuar ndonjë lajm pozitiv në momentet e fundit, i cili do të shkonte në favor të Obamës.
1.Sulmi kundër terroristëve në Libi.
Sulmet kundër shënjestrave, në kërkim të atyre që organizuan dhe ekzekutuan sulmin më 11 shtator kundër konsullatës amerikane në Bengazi janë mjaft të mundshme. Dhe kjo mundësi shtohet edhe më shumë, pasi që mediet e huaja raportuan se komuniteti amerikan i inteligjencës është duke hartuar listën e shënjestrave të mundshme në Libi. Së fundi, zyrtarët e administratës konfirmuan se është duke u shqyrtuar në mënyrë aktive një fushatë e këtillë.
Teknikisht, sulmi kundër terroristëve në Libi nuk është një befasi e tetorit. Nga presidentët amerikanë pritet që të ndjekin terroristët, të cilët sulmojnë amerikanët. Publiku kërkon që përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.
Problemi për presidentin është se një sulm i tillë me gjasë nuk do të eliminojë pyetjet se si ka trajtuar administrata sigurinë për personelin në Libi dhe si ka reaguar ndaj sulmit, si pasojë e të cilit u vranë katër amerikanë.
Operacioni i SHBA-së në Libi mund të jetë një veprim i duhur i drejtësisë apo një përpjekje efektive anti-terroriste, për të zbehur ndikimin e Al Qaidës, por me gjasë nuk do të jetë një operacion, që do të forcojë presidentin para zgjedhjeve.
2. Arritja e marrëveshjes me djallin.
A do të arrijë Washingtoni një marrëveshje të minutes së fundit me Iranin, që do ta bindë regjimin në Teheran që të suspendojë programin e tij për pasurim bërthamor? Përparimi drejtë eliminimit të rrezikut të Iranit bërthamor me siguri se do të ishte një sukses i madh në fushën e politikës së jashtme.
Irani ka mohuar se është duke u bërë gati për një marrëveshje, e këtë e ka bërë edhe Shtëpia e Bardhë. Por spekulimet po vazhdojnë, me disa zyrtarë iranianë që po dërgojnë porosi të përziera.
Edhe nëse marrëveshja arrihet, sfiduesi i Obamës mund të argumentojë se Teherani po luan një lojë, me qëllim që të detyrojë Shtëpinë e Bardhë që të zbusë sanksionet tani, me qëllim që më vonë të rifillojë sërish programin e tij bërthamor.
3. Arrestimi i terroristit numër një.
Gjatë fushatës së George Bushit për rizgjedhje, një nga befasitë më të përfolura ishte se Bushi thjeshtë ishte duke e pritur tetorin, për të kapur Osama Bin Ladenin. Në retrospektivë, ne e dimë se sa ishte qesharak ky spekulim. Terroristët janë një shënjestër në lëvizje. Duhet ti kapësh ata, pasi që ti zbulosh. Kjo po bëhet edhe më e vërtetë sot, në kohën kur grupet trans-kombëtare terroriste po përqendrohen në adoptimin e masave të “sigurisë operacionale” dhe implementimin e programeve, me qëllim që të parandalojnë zbulimin e tyre.
Sigurisht, Obama do të dëshironte që të kapte Ayman Al Zavahrin, kryesuesin aktual të Al Qaidës. Megjithatë, gjasat janë të vogla që arrestimi i tij të jetë i manipuluar.
4.Situata në Detin Jugor të Kinës.
Situata aktuale në Lindjen e Mesme ka shpërqendruar vëmendjen e Amerikës nga tendosjet në rritje në Paqësor, ku pothuajse për çdo ditë dy apo më shumë shtete bëjnë kërcënime për disa ishuj të braktisur. Presidenti do të mund të ndërhynte si një Teddy Roosevelt për të qetësuar ujërat në Azi, duke u nderuar edhe me një çmim të dytë Nobel për paqe. Megjithatë, edhe kjo ka pak gjasa të ndodhë. Po të kishte dashur SHBA-ja të ndërhynte, për të zgjidhur disa grindje në Azi, atëherë këtë fushatë do ta kishte filluar para disa muajve.
Natyrisht, numri i skenarëve të tetorit është i pafund. Por në fund, populli amerikan më me dëshirë do të dëgjojë debate të vërteta, rreth çështjeve të vërteta, se sa të lexojë lajme të manipuluara.