Privatizimi trashi xhepat e oligarkëve, Prokuroria në gjumë
Transformimi tranzicional i pronësisë publike nga një sistem në tjetrin, që ndodhi në Kosovën e pasluftës, një proces i përcjell me plot parregullsi, me shkelje serioze të ligjit dhe abuzime për përfitime të grupeve të caktuara kriminale, akoma mbetet një proces i cili nuk po nuk hetohet, ndërsa përfituesit kriminalë që u pasuruan kundërligjshëm nuk po sillen akoma para drejtësisë.
Neziraj: Pse askush deri më tani nuk u përgjigj për zhdukjen e tërësishme të Dokumentacionit, që ka ndodhur në kohën e UNMIK-ut?
Transformimi tranzicional i pronësisë publike nga një sistem në tjetrin, që ndodhi në Kosovën e pasluftës, një proces i përcjell me plot parregullsi, me shkelje serioze të ligjit dhe abuzime për përfitime të grupeve të caktuara kriminale, akoma mbetet një proces i cili nuk po nuk hetohet, ndërsa përfituesit kriminalë që u pasuruan kundërligjshëm nuk po sillen akoma para drejtësisë. Sado që shihet qartë se ka një numër të madh të të inkriminuarve në krime ekonomike në privatizim, mënyrën e dhënies se tenderëve etj., që kryesisht përfaqësojnë politikanë të nivelit të lartë, të cilët realisht e vodhën çdo pëllëmbë toke në shtetin tonë, si edhe çdo ndërtesë të ish-fabrikave në vend, ku shumica e pronave të privatizuara, sidomos ato që pothuajse u falën, qofshin fabrika apo toka bujqësore, të cilat janë në duart e politikanëve, familjarëve të tyre e jo vetëm, drejtësia nuk po vepron kundër tyre dhe nuk ka shenja paralajmërimi se do të aktivizohet së shpejti. Prokuroria e Shtetit në përgjigjen e saj ka thënë se nuk është duke u marrë me këtë çështje.”Prokuroria nuk merret me perceptime apo paragjykime për të deklaruar se po hetohen ose jo mjaftueshëm persona të caktuar, por është institucion i pavarur, kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale. Ky institucion ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme, duke siguruar trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat, pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, apo lidhjeve politike, besimeve fetare, apo pozitës shoqërore, andaj sa herë ofrohen prova të mjaftueshme se është kryer një vepër penale, pa marrë parasysh se nga kush, Prokuroria vepron dhe do të veprojë në përputhje me kompetencat që ka”, tha për “Kosova Sot” zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj.
Mafia e ka kapur shtetin
Këtë pozicionim të Prokurorisë së Shtetit e shohin të paarsyeshëm dhe jo të drejtë njohës të fushës së drejtë- sisë, analistët politikë, si dhe ekspertët e ekonomisë. Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se të tillët, përfituesit e inkriminuar në procesin e privatizimit në Kosovë, por edhe të tjerët, nuk dalin para drejtësisë dhe nuk dënohen sepse shteti gjendet dhe funksionon vetëm për grupet ekonomiko-politike mafioze, si të nivelit qendror dhe lokal. “Këto grupe janë ulur në ballë të shtetit dhe po dirigjojnë me shtetin. Ata e kanë kapur pasurinë e tundshme dhe të patundshme dhe për të privatizuar ato e kanë vendosur kontrollin mbi policinë, mbi prokurorinë dhe mbi gjykatat. Tërë këta mekanizma veprojnë nën dirigjimin e këtyre oligarkëve ekonomiko-politikë, andaj nuk kemi ndjekje dhe as përgjegjësi penale për vjedhjet e bëra”, theksoi ai. Sipas tij, dihet ashiqare se nuk ka mundësi që asnjë politikan dhe oligark mafioz ta arsyetojë me fakte pasurinë e krijuar. “Shiko pasurinë e zyrtarëve, nga që presidenti, deputetët e Kuvendit dhe nga ministrat, prokurorët dhe gjykatat dhe domosdo del se kemi krim në përmasa të gjëra. Çdo njeri nga ata që gjoja se jeton me të ardhurat e veta kanë shtëpi, banesë e makina, rroba të shtrenjta, orë e telefona të mirë, që as me të ardhurat deri në 2 mije euro nuk mund ta mbulojnë një luks të tillë. Pra, kemi vjedhje të kalibrit mafioz”, tha prof. Kelmendi për “Kosova Sot”.
Ai shembull konkret dhe më të freskët ka përmendur pronat e Komunës së Prishtinës, të cilat po falen sipas tij për asgjë, por edhe ndikimin dhe kapjen e shteti edhe nga liderët e lartë të nivelit qendror përfaqësues të shtetit. “Merrni p.sh. Prishtinën. Tash edhe prona e patundshme që i ka mbetur Komunës po kalon në duar të oligarkut të firmës ‘Devolli’. Asgjë nuk po u lihet popullit dhe Komunës si pasuri. Kështu është edhe në komunat e tjera të Kosovës. Kudo po vepron oligarkia dhe ajo tërë pushtetin e ka futur nën kontroll të vet… Këta e kanë kapur pushtetin edhe në nivelin qendror dhe nëpër komunat që po i udhëheqin. Nuk kemi fushë ku oligarkia politike nuk dirigjohet nga oligarkia ekonomike. Shikoni z. Thaçi me vëllezërit e vet. Shikoni z. Mustafa me fëmijët e vet. Shikoni ministrat dhe kryetarët e komunave dhe besoj se nënkuptohet se shteti në Kosovë punon për oligarkët dhe mafiozët ekonomikë dhe politikë. Se është kështu shihet nga vendosja e Ramiz Kelmendit në pozitën e zëvendëskryeministrit”, theksoi Kelmendi.
Gjatë procesit, u bë shpëlarje parash
Edhe profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se gjatë procesit të privatizimit të aseteve shoqërore në vendin tonë janë praktikuar metoda abuzive e korruptive në dëmin e interesave shoqërore, në dëmin e qytetarëve dhe të shtetit! “Gjatë privatizimit të aseteve publike, kryesisht janë investuar para të pista në një anë dhe padrejtësisht dhe jo moralisht janë përvetësuar pasuri marramendëse me vlera të larta nga oligarkë të pasuruar në rrjedhat e mënyrat dubioze. Gjatë privatizimit, qëllimisht janë bërë kontrata të mangëta, nebuloze dhe problematike. Në rastet më të shpeshta, as kontratat e tilla nuk përfillen, ta zëmë referuar aktivitetit biznesor të mëparshëm që ishte prodhimtar e në vijim hotelier apo në lokale zbavitëse. Me dhjetëra e dhjetëra punëtorë me vlera profesionale e praktike kanë mbetur jashtë pune, në vend që privatizuesit t’i përparonin asetet e privatizuara e në to të zhvillonin aktivitete produktive ata e ato e bëjnë të kundërtën”, ka pohuar Smaka.
Sipas tij, privatizimi i shumicës së tyre është bërë vetëm sa për formë dhe jo në vlerën reale.”Pasi privatizuesit më të mëdhenj e më të shumtë janë persona të pasuruar në rrethana dubioze e abuzive dhe të njëjtë kryesisht ndodhen në pozita pushtetare influente, ose në biznese problematike që i financojnë pushtetarët e tillë, as procesi i një vlerësimi analitik e kritik i privatizimeve abuzive, së paku në rrethanat aktuale, vështirë se mund të pritet!”, tha Smaka për “Kosova Sot”


