Privatizimi i Vetëvendosjes!
Nga Ibrahim Rexhepi – Privatizimi nuk duhet të jetë pikë e mosmarrëveshjes ndërmjet subjekteve politike, mirëpo, ato janë të frikësuara nga qasja që ka Lëvizja Vetëvendosje ndaj këtij procesi.
Po bëhen gati dy muaj prej kur kanë hyrë në grevë punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt. Ka mundësi që ata edhe shumë kohë të qëndrojnë në tendën nën hije të godinës qeveritare në qendër të Prishtinës, meqenëse, aktualisht nuk ka kush të bisedojë me ta.
Ai që ka lanë fjalën peng, kryeministri në largim, është i zënë me numra të tjerë, e jo me 30 milionë euro, sa kërkojnë 912 punëtorë të kësaj fabrike, prej të cilëve vetëm nja njëzet vazhdojnë grevën që nga fundi i majit.
Kërkesat e grevistëve nuk janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, por nxjerrin në sipërfaqe krejt kompleksivitetin e këtij procesi, mosfunksionimin e ligjit, impotencën (apo mosdashjen institucionale) dhe përdorimin e hallexhinjve (punëtorëve) për qëllime politike.
Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje mund të thotë se nuk ka përgjegjësi për këta grevistë, megjithatë, ajo ka qenë pjesë e legjislativit në kohën kur nxirreshin rezolutat dhe kur i jepej përkrahje (kuazi) vendimeve qeveritare që këtyre punëtorëve t’i bëhej kompensimi i pagave të humbura që nga viti 1989, meqenëse ata kanë letrat nga të gjitha instancat gjyqësore të vendit. Së paku, përgjegjësia rrjedh nga fakti se ata janë qytetarë të Kosovës dhe tatimpagues.
Ndonëse kjo lëvizje nuk është deklaruar rreth këtij problemi, pos asaj që ka thënë në Kuvendin e Kosovës, megjithatë qasja e saj ndaj procesit të privatizimit, sikur frikëson subjektet e tjera politike. Ato, së paku LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA duan diçka ndryshe. Janë tri fjali nga programi i saj që janë për debat, ndonëse ato reflektojnë orientimin ideologjik të VV-së.
E para: “Jemi kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe pasurive strategjike të Kosovës…” .
E dyta: “Shitja e pronës shoqërore e publike të Kosovës duhet të rishikohet dhe revidohet në rast se janë shkelur procedurat…”.
E treta: “T’i marrim nën kontroll dhe fusim në përdorim fondin aktual të privatizimit…”.
Pse?
Përgjigjet janë të thjeshta. Sado që VV-ja për shumëçka ka të drejtë, mirëpo, janë disa gjëra që mund të reflektojnë negativisht në të ardhmen e vendit.
E para: Bllokimi i procesit të privatizimit nuk guxon të ndodhë, meqenëse godet keq zhvillimin e tërësishëm ekonomik të vendit. Kjo, para së gjithash, nga fakti se shteti nuk ka potencial financiar që të përkujdeset dhe të aktivizojë krejt ndërmarrjet që duhet të merr, pasi që do t’i duhen para për energjetikë, infrastrukturë, “Trepçën”, ujërat…. Po ashtu, me futjen e krejt ekonomisë nën kontroll qeveritar, atëherë shteti ka rrezik që të paraqitet fuqi me ndikim në tregun e lirë dhe të konkurrencës, i cili është përcaktim kushtetues i vendit. Në të njëjtën kohë krejtësisht duhet të ndryshojë struktura pronësore e ndërmarrjeve, përkatësisht që shumica prej tyre të jenë në pronësi publike, ndërsa Agjencioni Kosovar i Privatizimit të transformohet në agjenci qeveritare. Mirëpo, kjo mund të trembë investitorët, posaçërisht pse qeveritë e deritashme nuk kanë mundur të krijojnë stabilitet dhe të jenë konsistente në zbatimin ligjeve dhe të vendimeve të tyre.
E dyta: Pa asnjë dyshim, procesi i deritashëm i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore duhet të rishikohet, madje, nëse ka mundësi, deri në detaje. Mirëpo, përmes këtij procesi nuk duhet të zhvillohet lufta politike, “meqenëse të gjitha qeveritë e deritashme ishin të korruptuara”, por për të vënë privatizimin në binarë normalë, si edhe për të hequr të gjitha dilemat që mbështjellin atë. Nëse dikush ka prishur lojën, duhet të përballet me ligjin. Këtë nuk mund ta bëjë një debat. Apo një komision parlamentar, por një institucion profesional, i besueshëm dhe i pavarur i drejtësisë. Në fakt, kjo ka mundur të ndodhë edhe më herët, por ka munguar vullneti politik dhe pavarësia e gjyqësisë. Ndërkaq, nëse krejt puna mbetet brenda Kuvendit të Kosovës, atëherë ky do të jetë mekanizëm i luftës politike dhe ky rishikim nuk do të prodhojë asgjë, njësoj sikur që nuk solli asnjë efekt debati për mënyrën e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, apo ai për pagat e humbura të punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj.
E treta: Fondi i privatizimit mund të huazohet, njësoj si e ka për synim PDK-ja me Fondin për Punësim, por jo edhe të tjetërsohet. Së paku kështu e trajtojnë atë ligjet në fuqi, të cilat kanë në konsideratë kredituesit real në pronën shoqërore. Nëse këto para i merr shteti, atëherë kjo nuk mund të quhet ndryshe pos nacionalizim i këtij fondi. Mirëpo, VV-ja përmes vokabularit që përdorë në programin e saj, këtu është e kujdesshme. Ajo thotë se fondi duhet të merren “nën kontroll”, që në fakt nuk definon qartë se a është fjala për huazim të parasë, apo për konfiskim të tyre ?
Megjithatë, nuk duhet pasur aq shumë rezerve ndaj qasjes që ka VV-ja, meqenëse ajo angazhohet për shtetin zhvillimor, social dhe të të drejtës. Mirëpo, këto nuk mund të arrihen në një shtet të varfër dhe pa potencial që shpejt të tejkalojë të gjitha problemet. Prandaj, ekonomia duhet të hapet, qeveria të përkujdeset për ligjet dhe shtetin ligjor, si dhe të mos lejojë keqpërdorimin e shtetit dhe të pasurisë së tij.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


