Hoxhaj, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese
Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, e konsideron antidemokratike e antiligjore emërimin e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Do ta dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Nuk e pranojmë mënyrën se si është zgjedhur kryetari i Kuvendit”, ka thënë Hoxhaj. “Po ashtu, dua t’i ftoj simpatizantët që kanë besuar në ‘Misionin e Ri’ që ta ruajnë qetësinë”.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës “nuk është asgjë tjetër veçse një tentim i uzurpimit të institucionit më të lartë të shtetit”.
Hoxhaj thotë se “në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës Kuvendi u shndërrua në arnë arbitrare të vendimeve të kundërligjshme”.
“Si PDK, këto vendime i shohim jovalide. Nuk i njohim. I tërë procesi është antiligjor, antikushtetues. Ne do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që ajo ta jep vendimin dhe verdiktin përfundimtar”, thotë Hoxhaj, duke shtuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/


