Tregime të shkruara me stil lakonik e funksional
Nga Faik Shkodra – Avdush Canaj, Dallëndyshet e gjumit, tregime për fëmijë. Në tregimet e Avdushit me elegancën e rrëfimit dhe përdorimit të gjuhës së pasur, tamam të nivelit botëkuptimor të fëmijës-zbulohen e shpalosën shkallë-shkallë të fshehtat e botës së fëmijës.
Fragment studimi
Në tregimet e Avdushit me elegancën e rrëfimit dhe përdorimit të gjuhës së pasur, tamam të nivelit botëkuptimor të fëmijës-zbulohen e shpalosën shkallë-shkallë të fshehtat e botës së fëmijës.
Mund të shtrohet pyetja: ku qëndron vlera e tregimeve për fëmijë të Avdush Canajt, si art i fjalës që bashkon jetën e fëmijës me ëndrra dhe preokupimet e të voglit me letërsinë? Kësaj pyetje paksa intriguese, studiuesit e letërsive klasike, duke u marrë me këtë problem, i janë përgjigjur duke konstatuar se përveç përmbajtjes dhe tematikës së pasur e aktuale-patjetër një vepër artistike e bukur e të dashur për fëmijë e bën pjekuria dhe kultura letrare e krijuesit.
Avdush Canaj objektivisht këto dy kërkesa i ka plotësuar dhe, si përmbajtja edhe pjekuria letrare e tij, që ndrojnë në raport të harmonizuar dhe këto dy cilësi nuk mund të vihen në dyshim. Themi kështu se ngjarjet që i trajton shkrimtari në tregime sikur na vënë në dijeni vlerësimin e çmuar të Salvatore Kuazimodos se në fakt krijuesi me veprat letrare arrin ta pasuroj botën e njeriut-pra dhe të fëmijës, dhe si figurat e forta që krijon ai godasin në zemrën e njeriut, e kjo vjen si rrjedhojë e trajtimit të së bukurës.
Në këtë prizëm “Dallëndyshet e gjumit” ua tërheqin vëmendjen dhe shtojnë kërshërinë e lexuesve të vegjël edhe për faktin se janë shkruar me një stil lakonik dhe me pikëpamje të qarta për atë që paraqet si ide e si mesazh, siç thekson bedri dedja,” tregimi i mirë ka nevojë për subjekt të ngjeshur dhe për një fabul gjithashtu të ngjeshur, duke marrë në qendër jo çdo ngjarje të rastësishme të jetës, që del përpara, por duke gjetur midis ngjarjeve e fenomeneve atë që është, si të thuash, më lakonike në përceptimin artisti, pa shumë shtrirje, po doemos me një kulm konik si subjekt e më një bazë shumë të ngushtë konike të ngjarjes”.
Në tregimet: Ditëlindja e viçit, Fshehtësi plus dashuri,Tregimi me dantella,Dordoleci me kapotë, Karamlja e gjumit, Pedagogu,Në parkun e lodrave, Thuaj po, gjysh, Kërpudhë me dritare, Përrallë e mirë, Fillikat në shtëpi, Gishti i padukshëm, Shoku modern, Ku të luaj, Nuk dua të fle, Lepru i ëndrrës, A mos na dëgjuan zogjtë etj., ngjarjet janë zgjedhur me kujdes dhe me tërë përbërësit e tyre shpalosin botën e madhe mendore dhe imagjinative të fëmijëve.
Temat që i trajton Avdushi, sado që në lexim të parë të dukën si të lehta për t`u kuptuar- me lexim më të përqendruar mëson se në syzhetë, në gjerësinë e problematikës që bëhet motiv i trajtimit – rrezatojnë dhe fshihen dukuri e aspekte që përshkohen me vlera të konsiderueshme edukative,arsimore,pedagogjike dhe morale në përgjithësi.
Aspektet ideoedukative dhe emocionale që mishërojnë tregimet ndikojnë në realizimin e qëllimeve dhe të detyrave më të domosdoshme që çojnë drejt edukimit e të pajisjes së fëmijëve me shprehi e me dashuri për çdo gjë të bukur e njerëzore në jetë.
Tregimet fitojnë në përmbajtje edhe për faktin se autori vëmendshëm e me një përkushtim të veçantë prej një shkrimtari të përgjegjshëm ka arritur që brenda subjekteve të japë portrete të prindërve, gjyshërve, gjysheve dhe të njerëzve të tjerë sipas temperamentit, karakterit dhe tipave. Po të të njëjtën rrugë e ndjek edhe me tipat e fëmijëve. Në kuadër të tregimeve do të ndeshim më shumë tipin e prindit pedagog, demokrat dhe të qytetëruar me edukatë, dije dhe kulturë.
Vetë tipi i prindit pedagog është i stolisur me virtyte e cilësi të larta, që në përgjithësi reflekton karakterin e prindit që ka kulturë dhe dije sa pedagogjike aq edhe psikologjike. Për këtë tip të prindit Musa Kraja me të drejt konstaton:” Tipi i prindit pedagog para se gjithash është tip i qetë, ka takt, aftësi përshtatjeje dhe komunikim me fëmijët. Nuk përdor ndëshkim: ka pamje estetike, sjellje të kulturuar, ka vëmendje për fëmijët, që në lindje deri në formimin e tyre, si bashkëshort, si prind .”
Avdushi vepron kështu edhe me njohjen e tipave. Veçanërisht në tregime autori ka vijëzuar tipin e fëmijëve të zellshëm e të edukuar me virtyte të larta morale dhe edukative. Në tregime nuk do ta gjejmë tipin e fëmijëve të ndrojtur,xheloz apo gënjeshtar dhe hajn.
Shumë tregime të vëllimit ”Dallëndyshet e gjumit” shërbejnë si lekturë e rëndësishme për edukatoret e enteve parashkollore, të cilat me ngjarjet që i trajton shkrimtari mund të organizojnë aktivitete të rëndësishme me përmbajtje edukativo-arsimore.
Dihet se pikërisht në moshën parashkollore krijohen bazat e konstitucionit të shëndoshë fizik, të zhvillimit normal fizik, të ekuilibrit, të veçorive të karakterit, periudhë kjo kur krijohet baza e shoqërizimit, ku formohen shumë e shumë shprehi, ku zgjerohen e shfaqen, gjer diku edhe zhvillohen interesimet e fëmijës dhe dëshirat e aftësitë e tij.
Fantazi e pasur dhe mjeshtëria e trajtimit të ngjarjeve kënaqin botën e fëmijës
Nisur nga këto vlera që ngërthejnë tregimet, atëherë duhet shtuar në to më shumë se çdoherë,brendia dhe mesazhet kanë të bëjnë me elemente e vlera humane. Avdushi përpiqet që me shembujt konkret të sjell para fëmijëve një realitet human, një realitet në të cilin ata do të ndihen më të lumtur, më njerëzor dhe më të emancipuar.
Tregimet sendërtohen me detaje të gjetura me sens, detaje që janë produkt i përfytyrimeve artistike modern dhe të mbështetura në trajtat e vlefshme të visarit të çmuar popullor. Gjithandej tregimet shpërfaqen gjendje të veçanta emocionale. Ngjarjet zhvillohen si në ëndrra, duke i bërë fabulat e tregimeve joshëse dhe figurative. Në këtë figurshmëri shquhen dy veçori të autorit: fantasia e pasur dhe mjeshtëria në trajtimin e ngjarjeve, ngjarje që kënaqin botën e fëmijës. Tregimet rrokin në pasqyrim ëndrrat, dëshirat dhe preokupimet e fëmijëve dhe Brenda këtij pasqyrimi autori sjell elemente të bollshme edukative dhe didaktike.
Veprimet e prindërve,sidomos nënës ndaj të voglit na dalin me nota të theksuara didaktike dhe se pikëpapjet e autorit janë plotësit të pedagogjizuara.Gjatë leximit të tregimeve mësojmë se Avdushi brenda tyre ka mishëruar edhe risi stilistike dhe origjinalitet motivor. Subjektet e tregimeve: Thuaj po,gjysh, Kërpudhë në dritare, deti nën xham, Shoku modern etj., shpalosin botën e pasur të fëmijëve dhe raportet e ngrohta që mbretërojnë midis tyre dhe të afërmve, me të cilët i kalojnë çastet më të mira të jetës e të zhvillimit psikofizik. Në këtë tregime shkrimtari ka riprodhuar ngjarje mbresëlënëse dhe secila fjalë vjen nga zemra dhe cilësohet si fjalë magjike e me përsosmëri kuptimore.
Në këtë ngjarje gërshetohen detaje të reja-detaje të huazuara nga pasuria e përrallave tona.
Tregimet “Dallëndyshet e gjumit” janë të mbështetura në veçorit psikologjike të fëmijëve dhe duke i respektuar këto veçori Avdushi ka ditur t`u falë fëmijëve tregime me përmbajtje edukative dhe me elemente të pasur estetike. Tiparet e këtilla ndikojnë që syzhet e tregimeve të njëmendësohet një realitet artistik i gjallë dhe komunikues me fëmijë.
Avdushi, duke qenë i afërt me fëmijët-kudo në tregime egzalton dashurinë, respektin, mallin, ndjenjën dhe fuqinë ndjenjore e mendore për zhvillimin sa më të mirë, sa më të shëndoshë dhe sa më të gjithanshëm të fëmijëve. Në tregime dashuria njerëzore dhe atdheu bëhen pjesë e pandashme e ndjenjës së të vegjëlve.
Ndërmjet figurave artistike autori krijon qartësinë e ideve që për kryefjalë kanë edukatën, mësimin,humanizmin dhe zhvillimin sa më të plotë e të gjithanshëm të fëmijëve. Këto ide e aspirate i realizon duke përdorur gjuhën e pastër, të kuptueshme dhe se kjo gjuhë merret nga jeta e fëmijëve dhe gjuha e pasur e popullit.
Sido që të jetë, këndi nga i cili duhet të vëzhgohet e të përjetohet syzheu i secilit tregim mbetët ai i fëmijës.
Duke qenë shkrimtar i përjetimeve të thella shpirtërore-Avdush Canaj edhe në këtë vëllim në përgjithësi ka arritur të jetë i hapur, ia afërt, i drejtpërdrejtë dhe të jetë mbi të gjitha, një pedagog i dashur dhe i rrallë për fëmijë.
Me të drejtë Dritëro Agolli, për tregimin për fëmijë, shkruan:” Tregimi për fëmijë ka nevojë të japë më shumë kulturë,më shumë dituri. Letërsia ka edhe funksion njohës. Duhet të ketë edhe tregime me tema në fushën e kulturës dhe shkencës”.
Pikërisht këto kërkesa tregimet e Avdushit i përmbushin me përpikëri. Themi kështu se nga evoluimi i zhvillimit mendor e intelektual që vërehet në subjektet e tregimeve na vë në dijeni sa për shkallën e lartë artistike aq për përpjekjet e autorit që përmes situatave e detajeve konkrete që i ka marrë nga jeta, nga lojërat, nga lodrat, nga ëndrrat e nga dëshirat e fëmijëve t`i trajtojë me frymëzim e fuqi krijuese artistike.
Tregimet sjellin te fëmijët vlera të rëndësishme ideore dhe artistike. Tregimet e Avdushit te fëmijët zhvillojnë imagjinatën, i pasurojnë me edukatë dhe kulturë, i pajisin me virtyte, e zhvillojnë shijen për përmbajtjet estetike dhe artistike që reflektojnë tregimet në përgjithësi.
Vlerat e vëllimit “Dallëndyshet e gjumit” duhet parë edhe në faktin se tregimet me përmbajtjet interesante te fëmijët edukojnë, zgjojnë kureshtjen, pasurojnë imagjinatën dhe zgjerojnë botën sa emocionale e shpirtërore aq atë fantastike.
Në disa tregime autori me një çiltërsi të veçantë shpreh dashurinë, respektin, kujdesin dhe mirëkuptimin ndaj të vegjëlve dhe gjithë ky adhurim shpreh fisnikërinë që shkon deri në kult duke u bërë një ndriçues i jetës dhe fatit të tyre.
Në fund, duke i pasur parasysh të dhënat që i bën objekt trajtimi, ku jeta dhe bota psikologjike e fëmijëve të të gjitha moshave është rrokur me vërtetësi dhe aspekte më themelore edukative dhe arsimore, janë ndriçuar në thellësi e gjerësi, pastaj dhe bota psikologjike është respektuar në shkallën më të dëshirueshme, mjetet artistike, mjeshtëria e dëshmuar në konceptimin e çështjeve më themelore që lidhën me fëmijët dhe për jetën e fëmijëve, fryma modern e demonstruar në rrëfimet e ngjarjeve të tregimeve- mund të përfundojmë se të gjitha këto shkojnë në të mirë të vëllimit “Dallëndyshet e gjumit”,që do të lexohen me interesim,sepse tregimet flasin për një krijues që procesin letrar-artistik për fëmijë e ka kuptuar shumë seriozisht dhe me përgjegjësi të madhe./rajonipress/


