Fundamenti

Nazim Rexhepi ia mësyn parlamentit kantonal të Bernës

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga një fotografi, me veshje kombëtare të regjionit Emmentali na buzëqesh bashkatdhetari ynë, aktivisti sindikal dhe këshilltari komunal, Nazim Rexhepi.

“Emmentaler” është emri i një lloji të djathit zviceran me zgavra, të njohur dhe të vlerësuar lartë në gjithë botën. Djathi e ka marrë emrin nga regjioni kodrinor Emmental në kantonin e Bernës. Fshatarët e këtij regjioni, pos për prodhimin e djathit janë të famshëm edhe për qetësinë e tyre dhe për frymën pak a shumë konservative. Janë legjendare tashmë reklamat me tre pleqtë e Emmentalit që mbajnë sekret formulën e djathit të tyre.

Në një fotografi me motiv të njëjtë si ai nga reklama, me veshje kombëtare të Emmentalit e shohim edhe bashkatdhetarin tonë, aktivistin sindikal dhe këshilltarin komunal, Nazim Rexhepi. Fjala është për një fotografi të bërë në kuadrin e fushatës zgjedhore për Parlamentin e Kantonit të Bernës.

Emri i Nazimit nuk është i panjohur në Emmetal. Shqiptari nga Malisheva e Gjilanit ka dhjetë vjet që punon si sekretar në sindikatën Unia të këtij regjioni, në selinë e tij në Langau. Ndërsa që nga viti 2005 ai tashmë në mandatin e tretë është këshilltar (deputet) i Partisë Socialdemokrate (SP/PS) në komunën Langnau të regjionit që përbëhet nga 40 komuna.

Në një kohë kur ai ka lënë pas vetes tri palë zgjedhje komunale të suksesshme, Nazimi e ka hedhur shikimin një hap më tutje: të zgjidhet në Parlamentin e Kantonit të Bernës. Është një sfidë që ai i ka bërë vetes por sfidë realiste. Sepse, siç tregon bashkëbiseduesi ynë, ai për këtë post kishte kandiduar edhe në vitin 2010 dhe kishte hyrë në dhjetëshen e parë.

“I pata fituar mbi 2500 vota ndërsa për t`u zgjedhur më nevojiteshin rreh 2800”, thotë Rexhepi për albinfo.ch. Por ndërkohë ai ka bërë më shumë përvojë dhe ka zgjeruar rrethin e miqve e të njohurve kështu që ka besim të madh se kësaj here do t`ia dalë.

“Aktualisht në Parlamentin e kantonit janë 3 deputetë të Emmentalit nga SP/PS. Nga tre të përmendurit dy nuk kandidojnë më kështu që shanset e mia janë të mira”, thotë Rexhepi. Ai e mbështet këtë besim në faktin se, siç thotë “anëtarësinë e sindikatave e kam në anën time”.

Më tutje Nazim Rexhepi sqaron se ai është kandidat i përbashkët për SP/PS-në dhe Unioni ne Sindikatave të Emmentalit. Edhe në zgjedhjet e fundit për këshilltar komunal Nazimi ka qenë në dhjetëshen e parë dhe është zgjedhur me 715 vota.

Mobi Casa

Ai është i bindur se sikur të dilnin të votonin të gjithë shqiptarët me të drejte vote, zgjedhja e tij do të ishte punë e kryer.

“Janë mbi 400 shqiptarë me të drejtë vote në këtë regjion. Veç kësaj edhe qytetarët tjerë në Langau dhe në Emmental më njohin mjaft mirë nga puna që kryej. Në Langnau jam prej pesë vitesh si sekretar i vetëm sindikal. Në zyrën që e drejtoj unë vijnë shumë qytetarë për të marrë këshilla juridike dhe ndihma të ndryshme”, shton ai.

Nëse do të zgjidhet në këtë parlament, Rexhepi do të jetë shqiptari i parë në kanton që arrin diç të tillë.

Por, përse votuesit në Emmental duhet të zgjedhin pikërisht Nazimin? Është pyetja jonë e radhës drejtuar politikanit shqiptarozviceran.

“Sepse jam njëri ndër aktivistët e parë nga migracioni që merrem me politikë në këtë rajon. Gjithmonë jam munduar të ndihmoj të huajt dhe punëtorët. Ka ende shumë mangësi në këtë regjion sa i përket integrimit të të huajve. Si shembull po përmend vështirësitë për gjetjen e vendeve të lira për shkollim profesional dhe gjithashtu për punësimin e të huajve. Në këto vite si këshilltar komunal jam angazhuar shumë në temat e mirëqenies sociale dhe të integrimit. Mendoj se ia kam dalë të ndikoj në përmirësimin e imazhit të emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti. Këtu ka shumë raste ku të rinj dhe te reja me prejardhje të huaj kanë gjetur vende të mira të mësimit dhe të punës.

“Në postin e deputetit kantonal, veç tjerash do të përpiqem për lidhje më të forta në mes të kantonit të Bernës dhe Kosovës, pse jo, edhe për vendosjen e partneritett në mes të qyteteve kosovare dhe atyre të kantonit të Bernës”, thotë kandidati me gjasa të mira për tu zgjedhur më 30 mars.

Gjithë fushatën deri më tash ai e ka bërë me flyera (fletëpalosje) dhe me pllakate të vendosura në pika të ndryshme nëpër qytet dhe regjion. Ai shfrytëzon edhe nga ky rast që të apelojë te shqiptarët dhe të tjerët në këtë regjion të dalin në zgjedhje dhe të votojnë numrin 1, Nazim Rexhepin.

I lindur në Malishevë të Gjilanit, më 02.04.1967, Nazimi është i martuar dhe baba i tre fëmijëve: dy vajza e një djalë. Më 1989 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1990 është anëtar aktiv i sindikatave zvicerane, ndërsa që nga viti 2004 është i punësuar si sekretar sindikal në Sindikatën UNIA. Aktualisht jeton dhe punon në po të njëjtin qytet së bashku me familje./Blerim Sahabani/albinfo/