Eko Higjiena

RDK kandidon Enver Osmanin për deputet të diasporës

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit në Maqedoni ka nominuar për deputet të Evropës punëtorin social nga Gostivari, Enver Osmani, që jeton në Zvicër.

Lajmin e ka konfirmuar për albinfo.ch kandidati i RDK-së për diasporë, Enver Osmani.

Ai ka bërë të ditur për albinfo.ch se subjekti me të cilin garon është mobilizuar për këto zgedhje të prakohshme parlamenetare në Maqedoni edhe në diasporë.

RDK-ja tashmë ka formuar edhe komisionin e diasporës ku do të bëhet fushatë së bashku me kryetarin e partisë, Rufi Osmani dhe sekretarin e përgjithshëm Izet Zeqiri.

Për të kërkuar votat e diasporës do të vizitojnë disa qytete evropiane për të promovuar kandidatin e Evropës nga radhët e RDK-së.

UBT

Enver Osmani është nga fshati Debresh i Gostivarit, ku dhe ka mbaruar shkollën fillore ndërsa shkollën e mesme dhe fakultetin e pedagogjisë e ka kryer në Universitetin e Cyrihut. Ai njihet edhe si poliglot ngase njeh tetë gjuhë të huaja. Aktualisht udhëheq organizatën ChangeKultur, ku kryesisht përfshin sferën psikosociale me këshillime dhe intervenime në raste krize dhe konflikte në Kantonin e Cyrihut. Enver Osmani njihet më shumë dhe si person që ka dhënë një kontribut të madh për sportin shqiptar të diasporës. Ai ëshë edhe menaxher në klubin e mirënjohur të diasporës “FC Kosova”.

Në diasporë do të zgjidhen 3 deputetë; nga Evropa, Amerika dhe Australia. Në përbërjen e tanishme parlamentare të tre deputetët ishin nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Në bazë të Kodit Zgjedhor për t’u zgjedhur deputet nga diaspora në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kandidati duhet të marrë dy për qind nga votat e qytetarëve të cilët janë paraqitur se do të dalin në votime.

Do të thotë se tre deputetët e diasporës zgjidhen sipas modelit të shumicës në një rund zgjedhor.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare shqiptarët nuk arritën të fitojnë asnjë nga tre postet e deputetëve, për të cilët voton diaspora./albinfo.ch/