Uji Dea

Tribunal për ndërkombëtarët

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Xhemal Ahmeti – Të huajt kërkojnë Tribunal të posaçëm për Kosovën. Kush e kërkon këtë saktësisht? Historia e një akuze që u shpall në qershor të vitit 2007, u riaktivizua më 2012 dhe tash sërish. Pse?

Gjatë një konference për shtyp në gusht të vitit 2012 u zhvillua ky dialog ndërmjet një gazetari amerikan dhe Dick Martyt: “Çka të fshehin?”, “dëshmitë natyrisht”, iu përgjigj Dick Marty. “Cilat dëshmi? Ju nuk i keni ato, prej nga jeni i sigurt se ato ekzistojnë”, e pyeti një gazetar tjetër. Pas një pauze, Marty me një lehtësi: “Do t’i gjejmë ato”. I kanë gjetur juristët ndërkombëtarë faktet që i kërkojnë përgjatë 7 viteve, në bazë të cilave mund të gjykojnë pjesëtarë të UÇK-së për tregti me organe njerëzore? Kjo duket të mos ketë rëndësi akute as për qeverinë kosovare, e cila nuk pyet për bazën faktike që duhet të ketë ideja e krijimit të një Tribunali.

Madje as autorët e idesë nuk dihen konkretisht. Perëndimi mbetet i përçarë në këtë drejtim. Ekspertë perëndimorë të fahut tashmë e kanë paravulsour nismën si aventurë të burokracisë perëndimore e cila në fund do të dështojë duke lënë ndonjë miniportë për t’u rikthyer pas viteve në skenë. Siç ka bërë deri më tani. Tjerët i japin një shans drejtësisë duke besuar se hetuesit ndërkombëtarë nuk do të gabojnë për së treti herë. Çka do të ndodhë? Ose më e udhës: çka ndodhi deri më tani?

KRONIKA E NJË AKUZE
Dick Marty ishte dy herë i sigurt, në qershor të vitit 2007 dhe në gusht të vitit 2012: “Shtëpia e verdhë në Burrel i ka shërbyer UÇK-së si sallë operimi për të zhvilluar kontrabandën e saj me organe njerëzish. Viktimat kanë qenë serbë dhe romë“. Kështu fillimi i raportit 2012 (Pikat 1-20, Faqe 1-4). I njëjti konstatim preambulor lexohet edhe në atë të 2007-s.

Prishtina e Tirana kërcëlluan dhëmbët. Sipas tyre, akuzat e Martyt nuk kishin të bënin me zbardhjen e rastit në fjalë: Intrigë “antishqiptarësh”- kështu ishte tenori. Presidenti i atëhershëm shqiptar Bamir Topi, dinte më shumë: “Raporti i Dick Martyt është i stimuluar nga ultrancionalistët serbë”, tha ai para medieve. Opozitari i atëhershëm i së majtës shqiptare Edi Rama (çka thotë sot?) ishte i prerë: “Kësaj radhe edhe unë jam me mendimin e Berishës se Dick Marty është një sharlatan”. Hashim Thaçi u kërcënua më konkretisht: “Marty duhet shpejtë të sjellë fakte për këto akuza, përndryshe duhet të llogarisë me një padi penale”, kështu mesazhi i tij nga Prishtina. Nuk ndodhi asnjë padi. Pozë që e mori era shpejtë.
Administratori i parë në Kosovë Bernard Kouchner ishte skeptik ndaj raportit zhurmëmadh. Eksponentë të NATO-s dhe SHBA-së demantuan konstatimet e Martyt gjoja të kenë qëndruar indiferent ndaj hetimeve të rastit së “Shtëpisë së Verdhë”. Christina Herodes, atëbotë zëdhënëse e EULEX-it në Prishtinë, ishte e sigurt: “Pas një hulumtimi të gjatë të rastit hetuesit e EULEX-it nuk gjetën dëshmi në ‘Shtëpinë e Verdhë;, të cilat do të konfirmonin akuzat rreth kontrabandimit me organe njerëzish”. “Nuk është diçka sensacionale që hetuesit nuk kanë gjetur gjë”, kundërshtoi Carla del Ponte. Pse? Sepse: “Kosova është fëmija e dashur e SHBA-së”, tha ajo në një intervistë me të përditshmen zvicerane nga Berna “Der Bund”. Pra ajo lë të kuptojmë se SHBA- të janë ato që pengojnë zbardhjen e të së vërtetës? I dorëzuan sot amerikanët kosovarët?

Mobi Casa

SPIUNËT RUSOSERBË SI BURIME?
Sidomos 176 konkludimet e pjesës së dytë të raportit u kontestuan shumë atëbotë sidomos nga ekspertët perëndimorë. Shkaku: mbi 80% e burimeve ishin nga shërbimet inteligjente ruse dhe serbe e 10% “dëshmi“ personash okularë për të cilët vetë Marty ka dalë disa herë konfuz duke thënë herë “janë“, herë “i gjejmë“, herë “kanë frikë“ e në fund “s’dalin“ se i mbysin.

Problem tjetër kontestues ishin Pikat 77-85 të cilat rezultuan pyetje që mbetëm përherë pa përgjigje: Në qoftë se EULEX dhe instancat tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri paskan hulumtuar në mënyrë të rregullt rastin dhe paskan ardhur në rezultate përmbyllëse, atëherë pse ato nuk i dorëzuan në mënyrë zyrtare e publike në Këshillin e Evropës, në parlamentin e saj, pse ato nuk iu janë dorëzuan po në të njëjtën formë siç bëri Dick Marty Komisioneve të OKB-së për të drejtat e njeriut e të ngjashme? Tragjikomike në këtë aspekt – ku Marty kishte plotësisht të drejtë – është edhe fakti se EULEX madje ka edhe një lloj përgjegjësie ndaj KE për një gjë të tillë.
Dick Marty thoshte edhe atëherë si sot. Shtëpia e verdhë është baza e të së vërtetës? EULEX dhe NATO që atëherë i apeluan Martyt të mos merret me provokime – sot heshtin. Ose bëjnë presion që Kosova të pranojë Tribunalin. Pse? Ka fakte të reja? Dëshmitarë të rinj?

QEVERIA DHE SERVILËT
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë thotë Tribunali është i keq për imazhin. Tjerët thonë dhomë e jo Tribunal. Konkurrenca politike, nëse dëgjojmë analistët proqeveritarë, u sillka më shumë për shkaqe pseudoideologjike dhe një urrejtje patogjene ndaj bllokut në pushtet se sa me racionalitet kur i gëzohet një tribunali të tillë. Qenka kështu sepse opozita politike pranon madje edhe me dëmtimin e Kosovës për të ardhur në pushtet. Turboeuropianët në bazë të gjimnastikës së tyre asketike e shpesh servile apriori janë për Triobunalin sepse mendojnë se jashtë gardhit të tyre vetëm iluministë dhe dashamirë të plisave ka e të tjerët që moti kanë braktisur frontin. Zërat që duan të perceptohen si neutralë dhe analistë të huaj mendojnë se ndoshta kësaj radhe me një Tribunal të tillë dhe atë në Kosovë mbyllet një kapitull nervavrasës e që e mban peng Kosovën, madje edhe bllokuaka të ardhmen e saj.

KONKLUZIONI
Pakkush beson në të vërtetë – jashtë e brenda – se gjendja faktografike e hetuesve ndërkombëtarë në rastin “Shtëpia e Verdhë“ do të jetë më ndryshe se ç’ishte më 2007, 2012 apo 2013. Nëse hetimi i atëhershëm i EULEX-it dhe divizioneve tjera legale e të fshehta, kryesisht të sponsorizuara nga ajo pjesë e Evropës që me çdo kusht donë të besojë në variantin e Dick Martyt dhe Carla del Pontes deri më tani nuk qe në gjendje të gjej asnjë dëshmi pse menduaka se tani do t’i ndihmojnë të njëjtat indikacione atëherë të hedhura poshtë nga specialistët perëndimorë si të pabaza dhe sot të papranueshme për standardet ligjore të çdo gjykate ndërkombëtare? Pro Martyt kanë lëshuar në etér së fundi se gjatë këtyre hetimeve është ndërtuar një raport tjetër që nuk bazohet më kryesisht në shërbimet e fshehta si ato të BND-së, rusëve dhe serbëve, por përmban burime tjera? Cilat? Ku është raporti? Pa këtë raport as qeveria kosovare e as ajo shqiptare nuk kanë asnjë arsye që të pranojnë idenë. Raportet që qarkullojnë zyrave diplomatike, kështu siç janë, dalin edhe më të dobët se ai i Martyt, sepse s’kanë fare burime, dhe nëse në ndonjë faqe del një është i ngjyrosur me zi. Para së gjithash mirëpo nisma del teknikisht absurde: ç’u bë me Gjykatën e Hagës? Janë krime lufte apo? Më pak harxhime i dalin Bashkësisë Ndërkombëtare të heqë nga aty “gjykatësit e korruptuar nga shqiptarët“ – siç pandehin serbët dhe rusët – se sa t’ia mësyjë jugut me misione të tjera që do ta kapin shpejt miliardin. Apo sërish shumë gjurmë për asgjë apo për t’ua nxirë kosovarëve qiellin edhe njëherë më shumë pa nevojë. E nëse qeveri të caktuara të BE-së mendojnë se kështu më së lehti do të shporin pushtetin aktual të Kosovës – duke i futur burgjeve hetimore për t’i eliminuar – e kanë gabim. E para sepse kjo qeveri sipas gjitha gjasave nuk do të mbetet as pa tribunal dhe e dyta se asnjëherë deri më tani martirizimi nuk ka sjellë efektin e synuar, përkundrazi ka prodhuar të kundërtën e në rastin e Kosovës do të ishte edhe shumë më i rrezikshëm: do të merrnin dhénë antiperëndimorët dhe Tribunali për Kosovën do të metamorfozohej në Tribunal për Ndërkombëtarët!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)