UBT

Gjilani mes mashtrimit dhe shpresës – udhëkryqi i një qyteti të lodhur

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Gani Sadiku – Arbër Ismajli është më shumë se një kandidat, është ftesë për kthim te vetja. Te ai Gjilan që di të ecë me ballin lart, që di të bashkojë, që di të ndërtojë. Nuk ka kohë për inat e për ndasi, as për eksperimente të reja. Ka ardhur koha për përgjegjësi, për përulësi, për ndershmëri. Sepse ky qytet, sado i lodhur, nuk është i humbur.

Ka qytete që plaken nga vitet dhe qytete që lodhen nga udhëheqjet e gabuara. Gjilani i katër viteve të fundit nuk është plakur por është lodhur thellë. I është rrudhur shpresa, i është tharë zëri, dhe ka filluar ta harrojë veten. Jo se qyteti nuk ka fuqi, por sepse asaj fuqie nuk i është dhënë drejtim, nuk i është dhënë zemër. Kur qytetarët vendosën të largojnë një udhëheqës të përvojës e ta zëvendësojnë me një emër të ri, ndoshta menduan se ndryshimi do të sillte frymën e re. Por jo çdo ndryshim sjell përparim. E jo çdo zë i ri flet me zërin e popullit.

Disa zëra, si ai i Alban Hysenit, thjesht tingëllojnë bukur për pak kohë, për t’u shuar më pas në heshtjen e premtimeve të thyera.
Gjilani, ky qytet i dijes, i kulturës, i burrnisë e i dashurisë për vendin, e ka vuajtur një mashtrim të dyfishtë, atë të një ideologjie boshe që erdhi me flamur populist nga Prishtina, dhe atë të një figure lokale që nuk e njihte as historinë, as shpirtin e kësaj toke.

Alban Hyseni nuk është trashëgimtar i asaj që do të duhej të përfaqësonte. Ai nuk i ngjan as Hysenit të Brahim Zhujës, e as të tjerëve që dikur dhanë jetë për këtë vend. E vetmja gjë që trashëgoi, ishte emri, por jo ndershmëria, jo guximi dhe as përkushtimi.

Sot, Gjilani nuk ecë përpara, përkundrazi, zvarritet në një mjegull amullie, ku askush nuk e di kahun, e askush nuk ka guxim ta thotë të vërtetën.
Rrugët nuk janë më të qytetit, por të premtimeve të pambarimta. Institucionet nuk janë më të qytetarëve, por të propagandës. Dhe qytetari i ndershëm nuk është më zëri kryesor, por spektator i një loje të trishtë politike.

Dhe megjithatë, mes gjithë kësaj humnere, lind një shpresë. E brishtë si një qiri në erë, por e pastër. E thjeshtë, por e fuqishme. Shpresa mban emrin Arbër Arbër R. Ismajli.
Ai nuk vjen për të zëvendësuar dikë, por për të kthyer vlerat. Ai nuk i shërben egos, por qytetit. Është rritur në kulturën rugoviste, e njeh gjuhën e urtësisë, e di çfarë do të thotë të mbash fjalën, të jesh pranë njerëzve, jo vetëm para zgjedhjeve, por çdo ditë.

Uji Dea

Në një kohë kur politika është kthyer në treg, Arbëri ngjan si kujtim i një kohe më të mirë, por një kujtim që mund të bëhet realitet. Ai nuk premton mrekulli, por ofron dinjitet. Nuk përdor fjalë të mëdha për të fshehur boshllëkun, por fjalë të thjeshta që lidhen me veprën.

Dhe mbi të gjitha, ai nuk kërkon të fitojë për vete, por të ringjallë një qytet që po zbehet. Në këtë udhëkryq, Gjilani ka përballë dy rrugë: të vazhdojë në heshtje drejt rrënimit, ose të zgjohet dhe të kërkojë veten.

Të rikthejë vlerat, punën, nderin, urtësinë dhe dashurinë për qytetin që dikur ishte krenaria e Anamoravës.

Arbër Ismajli është më shumë se një kandidat, është ftesë për kthim te vetja. Te ai Gjilan që di të ecë me ballin lart, që di të bashkojë, që di të ndërtojë. Nuk ka kohë për inat e për ndasi, as për eksperimente të reja.

Ka ardhur koha për përgjegjësi, për përulësi, për ndershmëri. Sepse ky qytet, sado i lodhur, nuk është i humbur. Ai pret veç një dorë të ndershme që t’ia ngrejë kokën dhe një zë të butë që t’i thotë: “Nuk je vetëm, jam me ty.”/rajonipress/