Ismail Beluli, në garë për deputetin e diasporës
Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, ka caktuar kandidatin e saj për deputet të diasporës në Evropë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
BDI-ja e Ali Ahmetit ka nominuar për deputet të Evropës biznesmenin nga Gostivari, Ismail Beluli, që jeton në Zvicër.
Me këtë BDI-ja edhe zyrtarisht ka nisur procesin e caktimit të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, raportojnë mediet në Shkup.
Në diasporë do të zgjidhen 3 deputetë; nga Evropa, Amerika dhe Australia. Në përbërjen e tanishme parlamentare të tre deputetët ishin nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Beluli kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluara për deputet të diasporës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme të mërgimtarëve.
Në bazë të Kodit Zgjedhor për t’u zgjedhur deputet nga diaspora në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kandidati duhet të marrë dy për qind nga votat e qytetarëve të cilët janë paraqitur se do të dalin në votime.
Do të thotë se tre deputetët e diasporës zgjidhen sipas modelit të shumicës në një rund zgjedhor.
3 vjet më parë, në zgjedhjet parlamentare shqiptarët nuk arritën të fitojnë asnjë nga tre postet e deputetëve, për të cilët voton diaspora.
Sido që të jetë, me iniciativë të BDI-së, të mërkurën do të shpërndahet Parlamenti i Maqedonisë, pasi partneri i tyre i koalicionit nuk e pranoi konceptin e tyre për një kandidat konsensual për president të vendit.
albinfo.ch


